'Në Liceun e Korçës botonte poezi dhe përkthente Balzakun e Lamartine…”, historia e ‘Harry Fultzit' shqiptar, që drejtoi për 22 vjet ‘Polikumin’ në Tiranë

'Në Liceun e Korçës botonte poezi dhe përkthente Balzakun e Lamartine…”, historia e ‘Harry Fultzit' shqiptar, që drejtoi për 22 vjet ‘Polikumin’ në Tiranë

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Gjergji Canco me origjinë nga fshati Boboshticë e Korçës, i cili që në moshë të re, kur ishte në bangat e shkollës në Liceun Francez të atij qyteti, filloi të botonte në revistën letrare ‘Shpresa’, të shkollës, si në prozë, poezi, e përkthime të ndryshme nga frëngjishtja, si Balzakun, Lamartine etj., por në vitin 1927, ai fitoi një të drejtë studimi nga qeveria e Mbretit Zog dhe shkoi në Francë, ku pasi studioi për katër vite në qytetin e Montpeljesë në ‘Fakulte des Sciences’ në degën e Matematikës, në vitin 1932, u kthye në atdhe ku u emërua pedagog i matematikës pranë Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë, që e drejtonte Harry Fultz dhe më pas në gjimnazin klasik të qytetit të Shkodrës. Emërimi i Cancos, si drejtor i Shkollës Teknike (Politeknikumit) menjëherë pas mbarimit të Luftës, ku ai shërbeu për 22 vite,  deri sa doli në pension në vitin 1966, ku për kontributin e tij të madh në përhapjen e arsimit shqip dhe drejtimin e Politeknikumit në Tiranë, i’u akordua titulli ‘Mësues i Popullit’ dhe ‘Hero i Punës Socialiste’, si dhe emrin e tij prej vitesh e mban një shkollë e mesme në qendër të kryeqytetit.

Ka qenë muaji korrik i vitit 1936, kur Andrea Mazoni, studiuesi i njohur francez i gjuhëve sllave, pasi kaloi ‘Adriatikun’ me një anije të vogël transporti që e kishte rezervuar në Bari të Italisë, u nis në drejtim të qytetit të Korçës, ku kishte dëgjuar për disa fshatra që flisnin një gjuhë të përzier me ato sllave. Me të mbërritur në qytetin e bukur të Korçës, që asokohe thërritje ndryshe edhe “Parisi i vogël”, për shkak të bukurisë së tij, Mazoni, kërkoi që ta shoqëronin për në fshatin Boboshticë, në të cilin do të qëndronte afër tre muaj, për të kryer punën e tij studimore e kërkuese në lidhje me gjuhët sllave. Një nga familjet, ku miku i largët nga Franca gjeti mbështetje dhe ndihmë të pakursyer për punën e tij, ishte dhe familja Canco. Ajo familje, rrënjët e së cilës shtrihen gjatë para disa shekujsh, do të zinte një vend kryesor në një nga librat e Mazonit, të cilin ai e botoi në Francë në vitin 1936. Një studim voluminoz, në të cilin ai përshkruan vetëm Boboshticën (fshatin ku qëndroi afër tre muaj), që nga kohët e lashta, prejardhjen e tyre, doket, zakonet, tradita e gjithçka që lidhej me atë fshat. Midis të tjerash, në librin e Mazonit për Boboshticën, nga Cancot, do të zinte vend aty Dhimitri (Canco), i cili kishte lindur në vitin 1814 dhe vdiq më 7 tetor të vitit 1904.

Dhimitri, njeriu i famshëm i Boboshticës

Dhimitër Canco, i cili kishte studiuar në Liceun e Kostandinopojës një nga më të njohurit e kohës, u kthye në fshatin e tij të lindjes kur ishte 30 vjeç dhe qëndroi aty deri sa vdiq në moshën 90-vjeçare, duke shërbyer si mësues i atij fshati për afro gjysëm shekulli. Në rininë e tij, Dhimitri kishte emigruar për disa vite në Rumani, ku kishte qëndruar në qytetin e Piteshit, afër Bukureshtit, vend në të cilin ishin sistemuar emigrantët e parë shqiptarë që vinin nga fshati i largët Boboshticë i Korçës aty nga vitet 1820-‘30, që formuan dhe koloninë e parë shqiptare të Rumanisë. Dhimitri ishte një njeri tepër i gjallë dhe me një autoritet të madh që respektohej prej të gjithë bashkëfshatarëve dhe ai fliste disa gjuhë të huaja si: frëngjisht, sllavishten, rumanishten, greqishten etj. Pak vite më vonë pas vdekjes së Dhimitrit në 1904-ën, si për të respektuar traditën familjare, një nga nipat e tij (djali i vëllait) Gjergji do të bënte realitet amanetin e tij për t’u bërë “dhaskal”.

Canco, një nga studentët e parë në Montpelje

Gjergji lindi dy vite më vonë pas vdekjes së xhaxhait të tij, në vitin 1906 (më 21 prill) dhe pasi mbaroi mësimet e fillores në fshatin e tij, do të regjistrohej në Liceun Francez të Korçës, të cilin e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1926-‘27. Që në moshë të re kur ishte në bangat e shkollës, Gjergji ishte i dhënë pas letërsisë dhe ai filloi të botonte në revistat letrare të shkollës, të cilat nxirreshin e botoheshin nga vetë nxënësit, siç ishte revista “Shpresa” në Liceun e Korçës. Përveç disa shkrimeve në prozë e poezi, në 17 numra rresht që doli kjo revistë, Gjergji botoi përkthime të ndryshme nga frëngjishtja që ai e kishte mësuar në mënyrën perfekte, si Balzakun, Lamartine etj., kur akoma nuk i kishte mbushur 17 vjeç. Pas mbarimit të Liceut, Gjergji ishte në grupin e atyre studentëve që do të shkonin për t’u shkolluar në universitetet franceze, të cilët ishin dhe grupi i parë nga Shqipëria që niseshin për studime.

Kujtimet e Gjergji Cancos

Lidhur me këtë, në shënimet e ditarit të tij, Gjergji ka përshkruar edhe kohën kur do të largohej nga Korça për në Francë, ku midis të tjerash shkruan: “Me një valixhe të vogël prej dërrase, po nisem për në një shtet që i di gjuhën, i njoh monumentet dhe muzeumet, njoh historinë e atij vendi, por ajo që më frikon, është se çfarë rezultatesh do të kem atje. Më kishte dalë bursa për të studiuar atje, në Francë, me një pasaportë që mban numrin 3474. Arritëm në Paris, është natë. Të gjithë studentët shqiptar që udhëtonin i kaloi një drithërimë e fortë dhe në momente m’u kujtua fjala e një profesori të Liceut të Korçës, që na jepte letërsinë: ‘Të dashur nxënës, kujdes se Parisi ka dritë të fortë, përpiquni t’a përballoni me durim e këmbëngulje’. Në ambasadën shqiptare në Paris, na priti sekretari i saj dhe pasi na uroi mirëseardhjen, m’u drejtua mua me një ton serioz: Canco, për matematikë në Montpelje. Udhëtimi për në Montpelje, më bëri përshtypje të madhe. Njerëzit në tren flisnin ngadalë dhe ishin shumë të respektuar me njëri – tjetrin. Në qytet takova familjen Tashko, që pasi më gostitën dhe më uruan mirëseardhjen, më rekomanduan një shtëpi aty afër për të jetuar. Një grua e dashur dhe e respektuar jetonte vetëm në atë shtëpi. Pasi bëmë prezantimin, m’u drejtua me këto fjalë: ‘Biri im, po fillon një fakultet të vështirë, po ti që ke babën francez, do t’i dalësh mbanë me sukses’. Unë buzëqesha dhe i’u drejtova: Zonjë e nderuar, unë vij nga Shqipëria dhe babai im është nga Boboshtica, ndërsa gjyshi ka qëndruar më shumë se 50 vite në këtë fshat. Po afër fshatit ku unë jetoja, është një qytet që quhet Korçë dhe aty në vitin 1921, u hap për herë të parë në vitin 1921 Liceu Francez. Unë me një këmbëngulje të madhe mësova shumë se kisha ngelur pa nënë. Kështu për të jetuar, babai emigroi në Rumani, e unë jetoja tek një teto, që unë e quaja nënë. Kur isha në vitin e fundit të Liceut, i thashë babait, i cili porsa kishte ardhur nga Rumania, se kisha shpresa të shkoja për studime në Francë, pasi isha nga pesë nxënësit më të mirë të Liceut. Babai më vuri dorën në supe dhe më tha duke buzëqeshur: Biri im, Franca është larg si për mua ashtu dhe për ty. Këto fjalë m’u kujtuan tani në Montpelje, e më dhanë forcë për të përballuar atë që kisha përpara. Isha ulur për një kafe në një nga lokalet e qytetit. Kisha emocione, pasi të nesërmen do të konkurroja për të filluar studimet për në ‘Fakulte des Sciences’ dega Matematikë. Emocionet sa vinin e po shtoheshin. Ndërsa po ngrihesha, një shok më tha: ‘Çdo gjë do të kalojë me sukses, së shpejti do të jemi studentë’. Dhe kështu ndodhi, dëshira m’u plotësua e fillova vitin universitar. Vitet kaluan njëri pas tjetrit, e ashtu pa e kuptuar ndjeva veten të diplomuar. Dhe ja sot në këtë qytet që na priti me dashuri e na mbajti për gjithë këtë periudhë, jemi mbledhur të gjithë për të festuar me shokët e fakultetit, këtë eveniment të rëndësishëm në jetë. Jam diplomuar dhe tani më presin për të dhënë lëndën e matematikës. në një nga shkollat e porsahapura në Shqipëri. Isha i lumtur se po vija në shtëpi, për t’i dhënë lamtumirën asaj gruaje të plakur nga vitet, por që i kishte mbetur diçka nga vitet e rinisë. “Atij shteti dhe qyteti që unë nuk i dija se ku binin në hartë” – më thotë e zonja e shtëpisë – “tani ka një të diplomuar nga shkolla franceze. Të uroj biri im një jetë intelektuale të suksesshme në arsim dhe nga ana ime, me këtë rast të dhuroj këto libra matematike, që i kam të trashëguar nga im shoq”. Kështu u ndava nga zonja franceze dhe erdha në Paris…”!

Nga Parisi në Tiranë

“Ishte viti 1932, Tirana nuk i kalonte më shumë se 20.000 banorë. Shkova për të blerë gazetat në librarinë “Argus”, një nga libraritë e pakta në këtë qytet. Shikoj që në këtë librari kishte shumë më tepër libra e gazeta në frëngjisht, nga sa mendoja. Më bëri përshtypje më tepër në mënyrë të veçantë, libri i arkeologut të njohur francez Leon Rey, me titull ‘Guide De L’Albanie’, që ishte botuar në Paris në vitin 1930. Ditët e para në Shqipëri kalonin ngadalë dhe unë ende nuk isha ambientuar me ritmin e jetës shqiptare. Në kujtesë ruaja ende portretin e doganierit të Durrësit, i cili ende nuk po e kuptonte se ç’kishte kutia që nxirrte atë zë melodioz. Për këtë unë i thashë se quhej gramafon. Portreti i tij me mustaqe deri tek veshët, mori një pamje paksa të çuditshme, kur më pyeti me një zë dashamirësie: ‘Mirë mor zotni, por nga vjen ky gramafon’, duke e theksuar këtë fjalë, sikur ai e dinte prej kohësh. Shumë larg, shumë larg, i’u përgjigja menjëherë dhe për një çast mendova aq larg sa jemi ne të dy…!?”

Harry Fultz: Canco, eja jep mësim

Gjergji Cancos, do t’i sillnin në dorë një letër nga drejtori amerikan i Shkollës Teknike në Tiranë, Harry Fultz, i cili midis të tjerash i shkruante: “Do të jemi të kënaqur, në asht se gjatë këtij vjetit, studentat do të marrin një ide të kjartë mbi projeksione të pikave, vijave dhe sipërfaqeve (planet). Keni mjaft kohë me të cilën mundeni me i dhanë studentëve një ide dhe dijeni, për të cilën ata kanë nevojë dhe mund ta përpjestoni kohën tuaj, kështu që mund të ketë një balancë ndërmjet diskursioneve teorike, provave e problemeve praktike, që do të zhvillohen në dërrasat e vizatimit”. Pasi e lexoi letrën me një frymë, Canco do t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së bërë nga ana e drejtorit të shkollës Teknike, Harry Fultz, që ishte themeluar nga Kryqi i Kuq Amerikan, që në vitin 1921, si dhuratë nga dëmet që kishte pësuar Shqipëria nga Lufta e Parë Botërore. Në atë shkollë, Canco shërbeu duke dhënë mësim deri në vitin 1936, kur me një urdhër transferimi të dekretuar nga Mbreti Zog, i kërkohej që të shkonte për të dhënë mësim në gjimnazin e shtetit në Shkodër.

22 vite, drejtor i Teknikumit në Tiranë

Me mbarimin e Luftës në vitin 1944, Canco u thirr në Tiranë dhe u caktua drejtor i Shkollës Teknike, në atë vend ku vite më parë pas kthimit nga Franca, ishte emëruar për herë të parë si mësues i matematikës, me kërkesën e drejtorit amerikan, Harry Fultz, vendin e të cilit tashmë do ta mbante vetë ai. Lidhur me këtë, midis të tjerash në kujtimet e tij, Canco ka shkruar: “Me qindra nxënës çdo vit dilnin nga shkolla jonë që arriti të kishte në një vit 1.500 nxënës. Pas kësaj, u krijuan konditat që nga shkolla jonë të shkëputeshin degë të ndryshme të Politeknikumit dhe të formoheshin tre Teknikume më vete, si ai Bujqësor i Kavajës, i Naftës në Kuçovë dhe i Ndërtimit “8 Nëntori” në Tiranë. Më vonë u krijuan dhe Teknikumi ‘Gjeologji Miniera’ i Përrenjasit dhe Teknikumi i ‘Mekanikës Bujqësore i Durrësit’.

Në vitin 1966, Canco del në pension

Në vitin 1966, Canco doli në pension, por përsëri nuk u shkëput dot nga pasioni i tij, matematika, të cilën vazhdonte ta jepte në gjuhë të huaj në shkollën e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, në Tiranë. Gjergji, kishte një respekt të veçantë për nxënësit e shkëlqyer që ai kishte pasur ndër vite, emrat e të cilëve ai i kishte shkruar në një kornizë të veçantë që e mbante të varur në shtëpinë e tij, të cilën edhe sot pas kaq vitesh e ruan me kujdes të veçantë, i biri, Zhani Canco, arkitekti i njohur që ka studiuar në Rumani në fundin e viteve ’50-të. Në emrat e nxënësve të shkëlqyer të para-luftës, Canco ka të shkruar: Avni Skraparin, Qazim Turdiun, Naim Shashajn, Xhemal Mamin, Petrit Radovickën, Zija Këlliçin, Skënder Çarçanin, Hajredin Kumbaron e Zija Shkodrën. Në listën e pas-luftës, midis tyresh janë të shënuar: Eduart Starova, Hajri Mezini, Farudin Hoxha, Kujtim Dakli, Fotaq Diamanti, Llambi Blido, Shane Korbeci etj. Për kontributin e madh që Gjergj Canco dha në përhapjen e arsimit në Shqipëri si dhe në drejtimin e Politeknikumit në Tiranë, para viteve ’90-të, atij i është akorduar titulli “Mësues i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”. Fatkeqësisht, Gjergji Canco nuk jetoi më shumë se pesë vjet pas daljes në pension, pasi ai u nda nga jeta më 22 gusht të vitit 1971, por ai është kujtuar e vazhdon të kujtohet me respekt nga ish-nxënësit e tij, për pasionin e veçantë dhe përkushtimin e rrallë në misionin e tij të mësimdhënies. Po kështu edhe pas viteve ’90-të, figura dhe kontributi i Gjergji Cancos në përhapjen e arsimit dhe drejtimin e Shkollës Teknike në Tiranë jo vetëm që nuk është lënë në harresë, por ai është vlerësuar dhe emrin e tij për më shumë se dy dekada, e mban një nga shkollat e mesme (Shkolla Teknike-Elektrike), që ndodhen në qendër të kryeqytetit. /Memorie.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë