Relacioni i Drejtorit të Sigurimit për 50 punonjësit e RTSH-së: Robert Shvarc, me origjinë çifute, zhvillon aktivitet armiqësor dhe ndiqet nga ana jonë

Relacioni i Drejtorit të Sigurimit për 50 punonjësit e RTSH-së: Robert Shvarc, me origjinë çifute, zhvillon aktivitet armiqësor dhe ndiqet nga ana jonë

Nisur nga specifika e veçantë që kishte Radio-Televizioni Shqiptar, si një nga institucionet më të rëndësishme të informacionit dhe propagandës së regjimit komunist deri në fundin e viteve ’80-të, ai ishte jo vetëm nën vartësinë dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, por edhe të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, të cilat si “ORV” (Objekt i Rëndësisë së Veçantë), e mbanin atë nën një kontroll të rreptë, jo vetëm nga ana e sigurisë fizike të atij institucioni, por deri te “pastërtia dhe figura morale e politike” e punonjësve të tij, biografia e të cilëve shikohej me hollësi në disa breza, duke i kaluar ata një “sitë” të imët, vit pas viti.

Jo vetëm kaq, por organet e Sigurimit të Shtetit, me anë të agjenturës që kishin rekrutuar brenda atij institucioni, e kishin dhe e mbanin Radio-Televizionin, në një kontroll të vazhdueshëm e të rreptë, duke penetruar në të gjithë hallkat e tij, si; drejtoria, redaksitë përkatëse, pikat e montazhit, studiot e transmetimit, studio e regjistrimit të zërit, arkiva, grupet e realizimit të filmave, magazinat, prapavija, shoferët dhe automjetet e tyre, e deri te kontrolli fizik i punonjësve dhe të ftuarve, te portat e dyert ky hynin e dilnin ata. Të gjitha këto, veç të tjerash, bëhen të ditura edhe nga një sërë dokumentesh arkivore që janë pjesë e një dosje sekrete (tashmë e de-klasifikuar) që i përket këtij institucioni tejet të rëndësishëm, që nga krijimi i tij në vitin 1961, e deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1991.

Nga kjo dosje voluminoze me mijëra fletë, të cilat janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (fondi i ish-Sigurimit të Shtetit), të cilat janë pjesë Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, kemi përzgjedhur tre dokumente që i përkasin viteve 1975, 1978 dhe 1982, ku drejtorët e Drejtorisë Punëve të Brendshme të Tiranës, përkatësisht Nustret Dauti dhe Zef Loka, informojnë Komitetin Qendror të PPSH-së, mbi të gjithë problematikën e këtij institucioni. Për më shumë rreth kësaj, na njohin dokumentet në fjalë, të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al.

DOKUMENTI SEKRET I HARTUAR NGA DREJTORI I DREJTORISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS, NUSTRET DAUTI, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, ME LISTËN E PUNONJËSVE TË RADIO-TELEVIZIONIT SHQIPTAR, TË CILËT KANË PROBLEME BIOGRAFIKE DHE ZHVILLOJNË VEPRIMTARI ARMIQËSORE

 REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                                                     S E K R E T

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                              Ekzemplar Nr. 2

DREJTORIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                           E përkohshme 2 vjet

Nr. 2839                                                 

                                                Tiranë, më 26.IV.1975 

L Ë N D A: Mbi personat me përbërje dhe qëndrim të keq politik, që punojnë në Radio-Televizion.

  1. Spiro Harallamb Konduri, i datëlindjes 1941, lindur në Durrës, me profesion inxhinier në Radio, me banim në lagjen Nr. 3. Rrjedh nga një familje shtresë e pasur. Familja e tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ka mbajtur qëndrim të keq politik. Pas çlirimit, prekur nga reformat e pushtetit popullor. Ka dajo, G., dhe D. F., ish tregtarë në Gjirokastërarratisur në Greqi. Halla e tij….martua me…ish tregtar. Xhaxhai, Vaso Konduri, ish-anëtar partie, përjashtuar si shovinist grek, e i prekur nga reformat. Kushëriri i parë i babait, Pandeli Konduri, ka qenë anëtarë i Partisë Fashiste dhe sekretar i Ballit Kombëtar. I ati i Spiros, njihet me qëndrim jo të mirë politik.
  1. Xhezair Abdulla Abazi, i datëlindjes 1944, lindur në Vleshë të rrethit të Dibrës, me arsim të lartë, profesioni, redaktor në Radio, me banim në lagjen…! Rrjedh nga një familje shtresë e mesme, i ati në kohën e Zogut, ka qenë xhandar dhe është martuar me…. të bijën e S. C., ish-oficer i Halil Halisë, i cili pas çlirimit, është cilësuar kulak. Xhezairi, është kritikuar për përkrahjen që i ka bërë krijimtarisë së Fadil Paçramit.
  2. Artan Nimet Tartari, lindur në 1948 në Tiranë, operator, banon në….!
  3. Adil (Didi) Nimet Tartari, datëlindja 1945, lindur në Tiranë, me arsim të lartë, me profesion, redaktor në Radio, banon në lagjen….! Rrjedh nga një shtresë e mesme. I ati i tyre deri në vitin 1942, ka punuar në Ministrinë e Financave. Gjatë okupacionit, i ati u bë anëtar i Partisë Fashiste dhe ka mbajtur qëndrim të keq politik. Në familjen e tyre, grumbulloheshin ballistë e tradhtar dhe kanë pasur në shtëpi një depo armësh, që përdorej për furnizimin e Ballit. Në kohën e Zogut, gjyshi i tyre, Refati, ka qenë kryetar i Gjendjes Civile në Durrës, me ardhjen e fashizmit, caktohet deputet i Durrësit dhe anëtar i Regjencës, deri në çlirim. Pas çlirimit, është arrestuar dhe dënuar me 15 vjet burg, si armik i popullit, mbasi ka kryer dënimin, ka vdekur. Xhaxhai i tyre, Fiqriu, mbas çlirimit dënuar me 6 vjet për agjitacion e propagandë, tani i lirë në Durrës. Qëndrimi aktual i tyre, është indiferent.
  1. Skënder Shyqyri Kazazi, i datëlindjes 1945, lindur në Tiranë, me arsim të mesëm, profesion teknik, punon në Radio-Televizion, më banim në lagjen Nr.4, Rruga “Urani Pano”, Nr. 30. Në regjimin e Zogut, si familje kanë qenë pro atij regjimi, sepse si gjyshi dhe i ati, kanë qenë tregtarë të pasur. Kanë pasur dyqan manifakture deri në çlirim. Gjatë luftës për çlirimin e Tiranës, një pjesë e dyqanit dhe mallrave, u janë djegur. Mbas çlirimit, janë prekur rëndë nga reformat e pushtetit popullor dhe janë tatuar në tatime të jashtëzakonshme. Qëndrimi aktual i familjes së tyre, është indiferent.
  1. Alfred Tuni Papuçiu, i datëlindjes 1947, lindur në Tiranë, me arsim të lartë, punon si redaktor në Radion e Jashtme, me banim në…! Rrjedh nga një familje shtresë e mesme. Në regjimin e Zogut dhe gjatë okupacionit, i ati i tij ka mbajtur qëndrim të mirë dhe ka qenë partizan, por ka dezertuar dhe ka marrë pjesë në rininë e Ballit. Pas çlirimit ka qenë anëtarë partie dhe përjashtuar për qëndrim të keq në të kaluarën.
  2. Adnan Selim Çiftja, i datëlindjes 1943, lindur në Tiranë, me arsim të mesëm, me profesion teknik në Televizion, me banim në lagjen….! Në regjimin e Zogut dhe në okupacion, si familje kanë qenë pro tyre, megjithëse i ati ka qene llogaritar tek të pasurit. Xhaxhai i tij, Ali Çiftja, në kohën e Zogut dhe okupacionit, ka qenë ushtarak me gradën kapiten. Mbas çlirimit, për aktivitet armiqësor, dënuar me 15 vjet burg dhe pas dënimit, vdekur. Qëndrimi politik, aktual i tyre, është indiferent.
  3. Gaspër Mark Çurçia, i datëlindjes 1945, lindur në Shkodër, me arsim të lartë, profesioni, dirigjent i orkestrës frymore në Radio, me banim në lagjen…! Rrjedh nga një familje shtresë e mesme, i ati i tij është vrarë për hasmëri.
  4. Liljana Mystehak Dine (Shanaj), e datëlindjes 1949, lindur në Vlorë, me arsim të lartë, përkthyese, me banim në…! Rrjedh nga një familje, shtresë e mesme. Qëndrimi politik familjes së saj, i mirë, i ati ka qenë oficer i organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. E përmendura, është martuar me Petraq Llazar Dinen, babai dhe familja e të cilit, kanë qenë të lidhur me pushtuesit. Në Greqi, familja e burrit ka çifliqe, nga të cilat merr të ardhura dhe këtë pasuri, nuk ka pranuar t’ja kaloj shtetit. Llazari ka qenë anëtar i organizatës së Vorio-Epirit.
  1. Qemal Bedri Xhomo, i datëlindjes 1928, lindur në Selanik të Greqisë, redaktor në Radion e Jashtme, me banim në…! Rrjedh nga një familje shtresë e lartë nëpunësish. I ati i tij vjen nga një shtresë bejlerësh e Leskovikut. Ky martuar me një italiane, me të cilën për një kohë të gjatë, ka banuar në Selanik, ku ka pasur edhe tokë dhe dyqan manifakture, e ka ushtruar profesionin si mjek. Në vitin 1937, i ati ka ardhur në Shqipëri dhe është stabilizuar në Elbasan. Qemali ka mbaruar shkollë fillore në Selanik. Është e martuar me Jolanda Pogun, e cila rrjedh nga një familje e pasur dhe e ç’pronësuar mbas çlirimit, sepse i ati i saj, ka qenë pronari i fabrikës së sapunit në Shkodër. Qëndrimi politik aktual, është indiferent.
  1. Spartak Murat Morina, i datëlindjes 1948, lindur në Tiranë, me arsim të mesëm, me profesion teknik, me banim në lagjen…! Babai i tij ka qenë oficer dhe përkthyes i këshilltarit jugosllav dhe shoqërues i Koci Xoxes, u implikua në këtë veprimtari, u përjashtua nga partia dhe u internua.
  2. Robert Julian Shvarc, i datëlindjes 1932, lindur në Sarajevë të Jugosllavisë, me arsim të lartë, përkthyes në Radion e Jashtme, me banim në lagjen…! Roberti rrjedh nga një familje zanatçi, individual. I ati i tij, është me origjinë çifute. Roberti është implikuar nga i dënuari Stathi Qehaja. Ka zhvilluar dhe zhvillon aktivitet armiqësor dhe aktualisht ndiqet nga ana jonë.
  3. Jani Gllasan Meksi, i datëlindjes 1940, lindur në Labovë të vogël të rrethit të Gjirokastrës, me arsim të mesëm, me profesion teknik, banues në Tiranë. Rrjedh nga një familje shtresë e mesme. I ati i tij ka qenë avokat. Pas çlirimit është dënuar me 18 vjet burg për mashtrime dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe aktualisht vuan dënimin në burg.
  4. Enrika Bedri Përmeti, (Pellazgu), e datëlindjes 1928, lindur në Tiranë, me arsim të mesëm, me profesion përkthyese në Radion e Jashtme, me banim…! Rrjedh nga një shtresë e lartë nëpunësish. I ati i saj ka studiuar për doktor në Austri, pas çlirimit ka punuar si i tillë në disa rrethe dhe ka vdekur. E ëma e saj është austriake, tani ndodhet me banim në Itali. Si familje, kanë qenë pro regjimeve të kaluara. Ka motër Dh….me të cilën jeton në Itali dhe ky atje është oficer aviacioni. Enrika është e martuar me Edi Toptanin, i cili rrjedh nga një shtresë e pasur dhe babai i tij, është dënuar me burg për tentativë arratisje. Vëllaj i saj…..Mirush Përmeti, pushkatuar me grupin e sabotatorëve të Maliqit. Burri i mbesës së saj (Dritës) Xhemal Kusi, i dënuar për veprimtari armiqësore. Enrika, pas çlirimit ka zhvilluar veprimtari armiqësore.
  1. Agush Myrteza Gina, i datëlindjes 1943, lindur në Libohovë të rrethit të Gjirokastrës, me arsim të lartë, me profesion inxhinier në Televizion, me banim në…! Rrjedh nga shtresë e mesme nëpunëse. Në regjimin e Zogut dhe në periudhën e okupacionit dhe gjatë okupacionit, si familje kanë qenë pro atyre regjimeve. I ati i tij ka mbaruar shkollën ushtarake në Tiranë dhe në vitin 1938, është dërguar në akademinë ushtarake në Romë. Ka qenë oficer artilerie me gradën kapiten, detyrë të cilën e ka pas edhe gjatë okupacionit, deri në vitin 1943. Gjyshi i tij, ka qenë nëpunës gjykate gjatë para çlirimit. Babai i Agushit, ka kushëri të tretë, Xhemal Hysen Gina, arratisur në vitin 1956, në Jugosllavi.
  1. Viktori Vasil Xhomo (Xhaçka), e datëlindjes 1920, lindur në Ziçisht të rrethit të Korçës, me arsim të mesëm, me profesion redaktore, me banim në…! Rrjedh nga një familje shtresë e mesme, para çlirimit ka kryer Konservatorin e Romës. Është e martuar me Abaz Xhomon, i cili është shtresë e pasur çifligarësh, ka kryer studimet në kolegjin francez. I dënuari Agostin Bonati, i dënuar si pjesëtar i një grupi vënë në shërbim të Zbulimit Francez, e implikon Abazin se edhe ky është vënë në shërbim të tyre. Abazi së bashku me kushëririn e tij, Koço Çekrezi, ka nxjerrë gazetën “Ora” dhe “Varësi”, deri në okupimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Gjatë okupimit, ky ka punuar në Ministrinë e Kulturës. Viktoria ka një vëlla (Antar Partie), Andon Xhaçka.
  1. Veneranda Zef Gjika, e datëlindjes 1947, lindur në Tiranë, me arsim të mesëm, me profesion teknike në Televizion, me banim në Tiranë. Rrjedh nga një familje shtresë e varfër. I ati i saj, ka qenë prift dhe me ndjenja të theksuara klerikale. Aktualisht, i ati (zhvillon veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, këtij i kemi material në ndjekje, që nuk mund të ekspozohet).
  2. Edmond Novruz Dilaveri, i datëlindjes 1948, lindur në Tiranë, me arsim të lartë, me profesion redaktor, me banim në lagjen…! Rrjedh nga një shtresë e mesme. Si familje, kanë qenë pro regjimeve të kaluara. I ati i tij gjatë okupacionit ka qenë oficer i Policisë me detyrë komisar. Po ashtu, xhaxhai i tij, Sabah Dilaveri, ka qenë oficer i regjimeve antipopullore në artileri dhe mbas çlirimit, për aktivitet armiqësor, është burgosur.
  3. Violeta Zenel Vila, e datëlindjes 1949, lindur në Tiranë. Familja e saj me qëndrim të mirë politik, i ati dhe e ëma, anëtarë partie. I shoqi i saj, Mitro Kristo Tanka, nga Markati i Konispolit, ka xhaxha Ndini Tankën, që në vitin 1961, u dënua si lidhje e diversantëve. Po ashtu, Mitro ka të arrestuar burrin e hallës së tij, Violeta, ka xhaxhanë e saj, Sali Vila, si kulak.
  4. Hasan Ali Voci, i datëlindjes 1931, lindur në Stamboll të Turiqisë, me profesion shofer, me arsim të mesëm, me banim në…! Rrjedh nga një familje zanatçinj individual, në vitin 1932 kanë ardhur familjarisht nga Stambolli. Nga viti 1932, deri në vitin 1944, i ati i tij ka punuar xhandar (gardian) burgu. E ëma e tij është turke, Hasani është i martuar me Engjëllushe Voci, e bija e Hysen Ramës nga Delvina, shtresë e pasur, e cilësuare kulake, të cilët janë dëbuar nga vendlindja e tyre dhe vendosur në Vorë të rrethit të Tiranës. Si familja kanë përkrahur regjimet e kaluara.
  1. Rudolf Qemal Kikino, i datëlindjes 1921, lindur në Tiranë, me arsim të mesëm, profesioni teknik, me banim në…! Rrjedh nga një familje shtresë e mesme, e ati i tij, Qemali, pasi ka mbaruar gjimnazin, ka punuar në gjykatën e Gjirokastrës. Ka qenë pronar i një hoteli në Sarandë, deri në vitin 1941. Ka punuar sekretar komune në Kërçovë të Kosovës. Në vitin 1942, transferohet sekretar gjyqi në Kërçovë dhe në vitin 1944, po në këtë detyrë, në Durrës, deri në çlirimin e vendit. Gjyshi i tij, Riza Kikino, ka mbaruar studimet në Turqi dhe është emëruar nënprefekt dhe prefekt në disa qytete të Shqipërisë. Në burg ka pas kushërinjtë e parë të babait, Enver Musa Kikino, për veprimtari armiqësore.
  1. Gjergj Trajan Pekmezi, i datëlindjes 1941, lindur në Tiranë, me arsim të lartë, me profesion instrumentist, me banim në lagjen nr. 5. Rruga “Gjon Buzuku”, Nr. 213. Rrjedh nga një familje shtresë e mesme, i ati i tij është vrarë më 4 shkurt 1944, nga forcat e Xhaferr Devës. Xhaxhai i tij, Petraq Pekmazi, ka pasur pronë dy kamionë që i përdorte në rrugën Tiranë-Kosovë. Me ardhjen e gjermanëve, ka punuar si përkthyes në ushtrinë gjermane, deri në çlirimin e Tiranës. Në atë kohë, është kapur nga partizanët dhe pushkatohet si armik.
  1. Cin Lazër Simoni, i datëlindjes 1938, lindur në Shkodër, me arsim të mesëm, me profesion violinist, me banim në lagjen Nr. 9, Rruga “Skënderbej”, Nr. 23. I ati i tij, në kohën e Zogut dhe okupacionit, ka qenë pro regjimeve, ka qenë tregtar, dyqan manifakture dhe rrobave të gatshme, deri më 1947. Mbas çlirimit, është tatuar rëndë dhe e ka mbyllur dyqanin. I ati i tyre, ka qenë në burg, për mos denoncim ari. Qëndrimi aktual i tij, është indiferent.
  2. Alfons Kol Gurashi, i datëlindjes 1942, lindur në Korçë, me arsim të lartë, komentator special, me banim në…! Baba i tij ka qenë anëtar i Partisë Fashiste dhe ka bërë pjesë në rrethin Katolik, reaksionar. Një vëlla i Alfonsit, ka qenë mësues në Kosovë dhe me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, ai shkon në Kanada, ku është dhe sot.
  3. Gëzime Shyqëri Skënderi, (Dika), e datëlindjes 1946, lindur në Dibër të Madhe, me arsim të mesëm, përkthyese në radion e Jashtme, me banim në lagjen…! Gëzimia është e martuar me Myzafer Dikën, familja e të cilit njihen me qëndrim të keq politik. I vëllai i tij, Agim Dika, dënuar me 25 vjet burg politik, për tradhti të lartë ndaj atdheut, pasi u arratis në Jugosllavi.
  4. Dallandyshe Gaqi Veshi (Bregasi), e datëlindjes 1949, lindur në Vlorë, me arsim të lartë, me profesion redaktore në redaksinë e muzikës, me banim në lagjen…! E përmendura është martuar me Zhuli Bregasin, babi të cilit, Neki Starova, ka qenë shtresë e pasur bejlerësh, prekur rëndë nga reformat e pushtetit popullor. Nekiu ka qenë i lidhur me Ballin dhe pushkatuar nga forcat partizane. Vëllai i të shoqit, ka qenë në burg 15 vjet burg, për tendencë arratisje dhe vjedhje. Dajat e tij, Bajram dhe Ali Goça, shtresë e pasur bejlerësh dhe pushkatuar nga forcat partizane.
  5. Islam Sali Proseku, i datëlindjes 1913, lindur në Tiranë, me arsim të mesëm, me profesion redaktor, me banim në Tiranë. Rrjedh nga një familje shtresë e mesme. Si në kohën e Zogut, ashtu dhe gjatë okupacionit, si familje dhe vetë Islami, kanë mbajtur qëndrim të keq politik. Ky, ka qenë anëtar i “Legalitetit” dhe ka marrë pjesë me armë në dorë, kundër forcave partizane. Qëndrimi aktual i tij është indiferent.
  6. Xhaferr Ibrahim Shabani, i datëlindjes 1951, lindur në Tiranë, me arsim të lartë, inxhinier televizor, me banim në…! Babai i tij rrjedh nga një familje shtresë e pasur. Pas çlirimit, ka bërë pjesë në një grup armiqësor antipushtet. I ati i tij Bimi dhe xhaxhai Qemali, kanë pasur aktivitet armiqësor (materialet e fundit për të atin dhe xhaxhain, janë të mbyllura dhe mendojmë të mos ekspozohen).
  7. Findia Pilo Veizi, lindur në 1922 në Himarë, me arsim të lartë, përgjegjës redaksie në Radion e Jashtme, me banim në Tiranë, në lagjen…! Findia është anëtar i PPSH-së, i përmenduri është implikuar në procesin e Ibrahim Zverkut, ku thuhet: “Bashkë me elementë të tjerë si; Taho Sejko, Mërkur Çelo, Thanas Nano, Findia Veizi, Sofokli Afezolli, kanë folur që edhe në Partinë tone, duhet të vendosen normat leniniste, për të cilat foli Hrushovi, në Kongresin e XX-të, dhe të rehabilitohej Koci Xoxe”./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Scutari: 16/07/2023 11:26

    Përveç se kemi nxjerrë inatet dhe smirën me njëri-tjetrin asgjë nuk kemi bërë në ato vite të luftës së klasave, ashtu siç edhe sot, kur i kemi shtuar në ndihmë edhe teknologjinë...

    Përgjigju
  • Tata: 16/07/2023 09:07

    Tani qe shqiptaret pane bote me sy,mesuan edhe mbi luften e ftohte dhe se si u be ne gjithe vendet. Mjaftohuni te jeni me te gjere sepse me duket pak e thate situata,kur amerika shpalli komunizmin si ideollogji te ndaluar,edhe sot ashtu eshte,beri nje masaker intelektualesh qe jane turpi botes edhe sot,e strehoi te gjithe nazistet. Propoganda te tilla nuk e bejne dot kapitalizmin nje ekonomi popullore,sepse populli eshte tjeter e paraja tjeter. Kjo ekonomi e pa kontrolluar po con ne lufte te re qe do jete vertete fundi i babezise,kkmunizmi u mundua,por sia arriti,megjithate paraja njk mbyt dot deshiren per mbijetese te popullit. Kemi evoluar ne kete pike dhe ideollogjija si mjet nenshtrimi nuk egziston,kemi te pasur e te varfer,persene e dime dhe kjo eshte sfida e njerezimit sot,jo historite me mbret.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore