Për imazhet e bukura, për të cilat vështrohet bota me syrin e fëmijës, humorin e hollë, vargun goditës e ftesën e hapur që u bën fëmijëve drejt leximit me “Jona dhe deti”, Zimo Krutaj u përzgjodh këtë vit si një nga fituesit e Fondit të Letërsisë për Fëmijë, nga Qendra e Librit. E gjejmë këto ditë në stendat e Panairit të Librit.
“Panairi është gjithmonë një festë e madhe, e unë kam kënaqësinë të jem këtu, jo vetëm për fëmijët, por sepse festat për librin duhet të jenë festat e të gjithëve”, thotë Krutaj.
Rrëfen vështirësitë e magjinë e krijimtarisë letrare për të vegjlit.
“T’i drejtohesh botës së fëmijëve është shumë e vështirë sidomos kur sot mjetet e komunikimit janë krejt të ndryshme...larg librit të shtypur dhe do të doja që kjo teknologji që ka hyrë gjithnjë e më shumë në jetën e njerëzve t’i shërbejë edhe librit të shkruar, jo vetëm përmes përhapjes, por edhe nxitjes së leximit”, thotë më tej shkrimtari.
“Jona dhe deti”, ku rrëfehet takimi i parë i një vogëlusheje me detin, i dedikohet fëmijëve në një moshë të hershme, ku ende hyn në botën e legjendave e përrallave përmes zërit të të rriturve.
“Kjo veçori e bën këtë libër të jetë sa më afër botës së fëmijëve , të marri vlerat e reja të kësaj bote, vlera të së panjohurës, të rrisë dashurinë për natyrën, udhëtimet, për atë që na rrethon... Dhe që bëhet pjesë e një bote që do të përbëjë dhe formimin shpirtëror e edukativ të fëmijës kur të rritet”, shton më tej.
Edhe Krutaj, si çdo shkrimtar për fëmijë e ka një burim frymëzimi, dhe do të komunikojë, mesazhe edukuese për brezin që rritet.
“Besoj kanë ndikuar leximet e shumta, si të gjithë kur ishim fëmijë, por edhe fëmijët e mi të cilët kanë qenë edhe janë frymëzuesit e parë të librave të mi... Edhe fakti që duke pasur një pjesë të punës sime të gjatë si përkthyes më duhet të bëj shumë punë me gjuhën. Nëse ky libër do të jetë një kontribut sado modest për të ri dhëne fuqinë shprehëse të shqipes unë do të isha i kënaqur... Sepse, është e rëndësishme që fëmijët të rriten me heronjtë e përrallave, heronjtë imagjinar dhe real, por në radhë të parë me ato të kulturës popullore shqiptare, të cilat përgjithësisht lihen disi në hije...”, shprehet më tej.