Pesë vite pas shpalljes “non grata”, Sali Berisha synon të rikthehet në Shtetet e Bashkuara, por pa shkelur në Departamentin Amerikan të Shtetit. Në konferencën e përjavshme nga selia blu, vetë kreu i Partisë Demokratike e konfirmoi se ndonëse në shtator pritet të shkojë në SHBA, nuk do të ketë asnjë takim në DASH. Gjë që shpjegohet fare qartë me faktin seish-kryeministrit nuk iu hoq vula e non gratës, por vetëm ndalimi për të udhëtuar drejt Amerikës.

Berisha shpjegoi edhe njëherë se në shtator pritet të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Republikane për zgjedhjet midterm, si pjesë e Partive të Qendrës së Djathtë, IDU.

Pyetje: Në bashkëbisedimin e fundjavës, ju paralajmëruat se po prisni dokumentet për të udhëtuar drejt SHBA-ve. A e tërhoqët pasaportën nga ambasada amerikane? Dhe po ashtu në të njëjtin bashkëbisedim, ju paralajmëruat se po punoni për të fiksuar takime edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit. A keni fiksuar ndonjë takim të rëndësishëm?

Sali Berisha: Dokumentet janë në ambasadën amerikane dhe unë nuk kam prenotuar asnjë takim. Unë shkoj, siç e dini, shkoj në Teksas në konferencën e Partisë Republikane amerikane për zgjedhjet midterm. Unë jam në një delegacion të Unionit Demokrat Ndërkombëtar, një delegacion i gjerë, i cili është i ftuar nga Partia Republikane, parti kryesore në IDU, për të marrë pjesë në këtë konferencë. Përveç kësaj, unë kam një ftesë dhe nga një institut republikan.

Berisha ende nuk e ka pasaportën në dorë. Kreu i PD-së tha se dokumentet ndodhen në Ambasadën Amerikane dhe se është ende në pritje të vizës.

Pyetje: A keni pasur ndonjë njoftim të orëve të fundit, apo minutave të fundit se kur e merrni pasaportën?

Sali Berisha: Jo, nuk kam pasur njoftim, as orën, as minutat.

Sali Berisha u ndal edhe te rritja e çmimeve, duke thënë se qeveria është treguar indiferente. Sipas Berishës është jetike heqja e menjëhershme e TVSH-së për ushqimet, subvencionimi i plotë i të gjitha shpenzimeve për shkollën dhe vendosja e minimumit jetik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:35
Zgjedhjet vendore/ Kur do t’i zyrtarizojë PD kandidatët? Berisha: Po përgatitemi, kjo periudhë do t’i kushtohet fushatës

1788179803_saliberisha.jpg

Sali Berisha tha se PD po përgatitet për zgjedhjet lokale dhe do të prezantojë kandidatët për kryebashkiakë. I pyetur nëse emrat do të zyrtarizohen brenda shtatorit, kreu i PD-së nuk dha afat por tha se kjo periudhë do t’i kushtohet kryesisht përgatitjeve për fushatën elektorale.

Pyetje: Mazhoranca duket se është vënë në lëvizje për betejën elektorale lokale. PD kur do e zyrtarizojë kandidatin e saj jo vetëm për betejën e kryeqytetit, por edhe për bashkitë e tjera?

Sali Berisha: Mazhoranca ka shpërndarë dhe po shpërndan 1 miliardë e gjysmë euro për hajdutët e saj lokalë në kundërshtim flagrant me ligjin elektoral. PD po përgatitet të paraqesë para shqiptarëve kandidatët më të mirë që ata kanë pasur ndonjëherë.

Pyetje: A do i keni brenda shtatorit?

Sali Berisha: Sigurisht që kjo është periudha në të cilën veprimtaritë dhe përkushtimet kryesore janë për fushatën elektorale.

Ora 14:28
Berisha: Qeveria, zero reagim ndaj rritjes së çmimeve! Të hiqet TVSH-ja për ushqimet, minimum jetik dhe subvencionim për të gjitha shpenzimet e shkollës

Sali Berisha akuzoi qeverinë se nuk po ndërmerr masa për të frenuar rritjen e çmimeve, ndërsa solli si shembull Greqinë. Kreu i PD-së tha se megjithëse pagat në vendin fqinj janë më të larta dhe çmimet më të ulëta, qeveria greke ka vendosur uljen e çmimeve për 1600 produkte, nga ushqimet bazë te mjetet shkollore dhe artikujt e përdorimit të përditshëm.

“Qeveria e vendit fqinj, Greqia, ka vendosur të ulë me koston nga 5 përqind në 30 përqind të çmimeve të 1600 artikujve. Çmimeve të ushqimeve bazë, çmimeve të të gjitha mjeteve shkollore për fëmijët, çmimeve me përdorim të gjerë nga konsumatorët në shtëpi. Pra, Greqia, ndonëse qytetarët e saj kanë një rrogë mesatare katër herë më të madhe se qytetarët shqiptarë dhe çmime qartësisht më të ulëta se në Shqipëri, përsëri konsideron çmimet tejet munduese për qytetarët dhe bën një ndërhyrje shumë të rëndësishme për lehtësimin e qytetarëve të saj.

Ndërkohë, çmimet në Shqipëri, sipas statistikave më të fundit, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën këtë vit 5 herë më shumë se sa mesatarja e vendeve të BE. Dhe qeveria ka zero reagim. Çmimet pra janë rritur këtë vit krahasuar me rritjen mesataren të çmimeve të ushqimeve në BE, 5.2 herë më shumë. Dhe qeveria ndërmerr zero veprime”, tha Berisha.

Sipas Berishës, në Shqipëri çmimet e ushqimeve janë rritur këtë vit 5.2 herë më shumë se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian. PD propozon heqjen e menjëhershme të TVSH-së për ushqimet, mbulimin e shpenzimeve shkollore dhe vendosjen e minimumit jetik.

“Për PD-në është jetike heqja e menjëhershme e TVSH-së për ushqimet. Subvencionimi i plotë i të gjitha shpenzimeve për shkollën bazuar në parimin e arsimit falas. Vendosja e menjëhershme e minimumit jetik. Këto masa ne i konsiderojmë masat më të domosdoshme për t’iu kundërvënë lakut të urisë, mjerimit dhe varfërisë që po shtrëngohet çdo ditë e më shumë në familjet shqiptare në nevojë.

Por natyrisht, përkundrejt këtyre masave, narkoqeveria ofroi njëherë Besën, dhe pasi i doli kallp Besa, tani Pasqyrën, një mashtrim të turpshëm të dytë duke dëshmuar se nuk jeton në këtë realitet, por jeton tërësisht në kullën e fildishtë të pushtetit të saj dhe nuk ka asnjë interes të përbashkët me qytetarët, përveç interesave të pasurimit të qytetarëve”, tha Berisha.