Policia ka arrestuar si të dyshuarin kryesor për atentatin kundër prokurorit Arjan Ndoja, Redjan Rrajën, i cili është kushëriri i deputetit socialist Rrahman Rraja. Ai ka klinikë dentare në qendër të Fushë Krujës, ndërsa jetonte mes Shqipërisë dhe Kanadasë. Redjan Rraja nuk është një emër i panjohur për policinë shqiptare, pasi ka qenë skeduar edhe për disa ngjarje të tjera në vitet e fundit.
Ai është me profesion stomatolog, ndërsa ka qenë lakuar në dosjen e dhunimit të Xhisiela Malokut nga kushëriri i tij, Rexhep Rraja dhe i pranishëm në tavolinë me Elton Çiçon (kishin lidhje familjare) në Tiranë në 2016 kur u ekzekutua te lokal "De Niro" në zonën e ish-Bllokut. Ai ka qenë i dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për veprën penale të “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, në lidhje me vrasjen e mikut të tij, Elton Çiço.
Mjeku u akuzua se mbrëmjen kur ndodhi ngjarja, ka fshehur celularin dhe pistoletën që mbante viktima, Elton Çiço. Ndërsa përsa i përket rastit të Xhisiela Malokut, vajza në një nga intervistat e saj në media asokohe deklaronte se 'Rreth orës 20:00 ka ardhur te banesa ime, në fshatin Nikël, Rexhep Rraja, Ramazan Rraja dhe Redjan Rraja dhe më kanë marrë me zor duke më thënë “Na hape punë".

Klinika Rraja në Fushë Krujë
/r.k./Shqiptarja.comKomente

