Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Joani, ka uruar besimtarët e krishterë në virgjilje të Krishtlindjes. Kryepeshkopi Joani na fton jemi të përulur, të dashur dhe të kujdesemi për të tjerët, sidomos për ata që janë në nevojë.

“Këto fjalë e përmbledhin dhe e shprehin kuptimin festës së Krishtlindjes në mënyrën më të thellë dhe më të përsosur. Nëse do të përqendrohemi për të kuptuar rëndësinë e këtij misteri të madh, në të cilin Biri dhe Fjala e Atit u mishërua dhe u bë njeri, atëherë do të mund të marrim pjesë në festimin dhe gëzimin shpirtëror dhe do të ndiejmë brenda nesh fuqinë transformuese të përjetimit të kësaj ngjarjeje. Mishërimi nuk është thjesht një mrekulli apo një mister i denjë për t’u admiruar; është dhurata më e madhe që mund t’i jepej njerëzimit. Biri dhe Fjala e Perëndisë mishërohet dhe ulet pranë vuajtjes njerëzore, prek shtrembërimin e natyrës sonë për ta drejtuar, duke na zbuluar thellësinë e dhembshurisë dhe të përulësisë së thellë, që lind nga dashuria e Tij e pafund për të gjithë botën. Shën Athanasi i Madh e  shpreh këtë të vërtetë tronditëse në mënyrë lakonike: Biri i Perëndisë u bë njeri, që ne të bëhemi perëndi.

Të dashur vëllezër dhe motra! Duhet ta shpallim me gëzim këtë lajm të mirë dhe të dëshmojmë me zell dhe pa u lodhur se tashmë Perëndia banon ndër ne. Një dëshmitar i vërtetë shpëton jetë - thotë Solomoni i ditur (Fj. Urt. 16:6). Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë. Vetëm prania e Tij mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim. Ai është drita në errësirën tonë dhe mësimi i Tij, thotë psalmisti, është një llambë për udhëtimin tonë në këtë jetë.

Për të festuar shpirtërisht Lindjen Krishtit, le të kujdesemi gjatë këtyre ditëve festive të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore. Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë – në varfëri, në sëmundje, në dëshpërim dhe në vetmi. Zoti e identifikon Veten e Tij me njerëzit në nevojë, duke na thënë: Sepse pata uri e më dhatë të ha; pata etje, e më dhatë të pi; i huaj isha, e më morët brenda; i zhveshur, e më veshët; u sëmura, edhe erdhët të më shihni; isha në burg, edhe erdhët tek unë.... Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua (Mt. 25:35-40). Vetëm duke bërë këto, Krishtlindja do të ketë kuptim të vërtetë dhe gjithçka te ne do të ndriçohet nga Fjala e bërë mish”, është urimi i Kryepeshkop Joanit.


Lajmi kryesor:

Ipeshkvijtë katolikë urojnë bashkërisht besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes (VIDEO)