Negociatat e dështuara dhe 
“merita” e vetme e Bashës në PD

Negociatat e dështuara dhe <br />“merita” e vetme e Bashës në PD
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka hedhur poshtë dokumentin zyrtar për bisedime ofruar nga ndërmjetësit e Bashkimit Europian, i cili parashikon një riformatim të qeverisë dhe shtyrje të zgjedhjeve më 16 korrik, me kusht që opozita të kthehet në Kuvend për të votuar Veting-un.

Dokumenti u pranua pak minuta më parë nga kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta, por ai u refuzua nga Lulzim Basha, pasi Rama dhe Meta e shoqëruan me kushtin që opozita të votojë menjëherë Veting-un në Kuvend.

Ndërmjetësi Knut Flekenstein, pasi mori fjalën e kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Ilir Meta, ka shkuar në takim me nënkryetarin e Partive Popullore Europiane, McAllister, por Basha nuk ka pranuar ofertën ndërkombëtare, të pranuar ndërkohë nga shumica.

Ai u ka thënë ndërmjetësve ndërkombëtarë se kërkon shtyrje të zgjedhjeve deri në fund të vitit dhe një qeveri pa Edi Ramën kryeministër.

Pas kësaj, bisedimet mes dy palëve duket se janë bërë pa kuptim, dhe do të shkohet drejt zgjedhjeve pa Partinë Demokratike.

Lëshimi i orëve të fundit i Edi Ramës, ishte i paparashikuar, sidomos lidhur me shtyrjen e datës së zgjedhjeve, edhe pse ai e argumentoi me nevojën që shqiptarët kanë për të marrë procesin e Veting-ut. Nga ana tjetër, Rama është treguar i gatshëm për formatim të qeverisë, për të rritur besimin e opozitës.

Dokumenti i ofruar ishte në të vërtetë një ofertë që ngjante me qëndrimin e LSI disa javë më parë, e cila kërkoi qeveri besimi dhe një fleksibilitet për afatin e zgjedhjeve.

Bisedimet mes dy palëve u ngjajnë shumë bisedimeve mes shqiptarëve dhe serbëve në Rambuje, ku faktori ndërkombëtar ofroi një dokument, dhe fitues u shpallën ata që pranuan dokumentin, pra shqiptarët.

Shumë vetë besojnë se Edi Rama ka bërë bllof duke pranuar dokumentin, por dhe nëse kjo është e vërtetë, ai është i fituari i këtyre bisedimeve, të paktën si lojtar i mirë. Të njëjtën gjë thanë për të edhe kur miratoi reformën në drejtësi, por ajo tani po ashtu po shkon drejt zbatimit.

Pas kësaj, skena politike pëson një ndryshim të fortë. Nuk është e qartë nëse tani në zgjedhje do të shkohet duke respektuar vendimin e KQZ për mos regjistrimin e koalicioneve, pra secila parti më vete, apo do të ri-interpretohet në datën 29 prill. Por e sigurtë është që LSI do të marrë pjesë në zgjedhje, pas një përpjekje të fortë ndërkombëtare të dështuar, për të kthyer PD në Kuevnd dhe në zgjedhje.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike po shkon drejt bojkotit përfundimtar, pa një vendim politik të forumeve të saj, siç mund të ishte Këshilli Kombëtar apo Kryesia e zgjeruar e Partisë Demokratike.

Ish- kryeministri Berisha, i cili është dhe inspiruesi tinzar i kësaj fryme radikale në Partinë Demokratike, e ka cilësuar më parë vdekjeprurëse bojkotin e zgjedhjeve nga Partia Demokratike dhe po nxit Partinë Demokratike për një protestë të dhunshme në Kavajë më 7 maj, dhe më pas destabilizimin e procesit zgjedhor, me shpresë që procesi të dështojë në terren.

Por nga ana tjetër, qeveria është e qetë dhe e sigurtë në kontrollin mbi situatën, dhe ka një angazhim për të kryer një proces zgjedhor shembullor, dhe për të përballur me ligjin çdo përpjekje për destabilizim.

E vetmja enigmë që ngelet pas kësaj, është nëse kjo që po ndodh me Partinë Demokratike është një betejë e Lulzim Bashës për t’i shpëtuar ballafaqimit zgjedhor, apo një imponim ndaj tij prej Sali Berishës për t’i shpëtuar reformës në drejtësi. Sido që të jetë, është e qartë se është një skenar vdekjeprurës për Partinë Demokratike, e cila pas këtyre zgjedhjeve nuk do të jetë në parlament dhe as aty ku do të vendoset për reformën në drejtësi. Lulzim Basha ka “meritën”, siç e thotë një kolegu ynë, që e transformoi Partinë Demokratike nga një parti antikomuniste dhe kundërshtare e fortë e socialistëve, në një parti antiperëndimore dhe kundërshtare e fortë e Europës. Siç nuk e meritonte!

Dhe në vend që të bënte historinë e saj, duket se po e nxjerr atë nga historia.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg