Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro tha se kapitujt 25 dhe 26 të negociatave të anëtarësimit në BE, të cilët lidhen me arsimin, janë drejt përmbylljes.
“Dua ta nis nga ky i dyti, pra kapitulli 26 - ku pothuajse kemi përmbushur të gjitha piketat. Konkretisht, është krijuar tashmë me vendim të Këshillit të Ministrave, Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar. Kemi Planin e Veprimit për Arsimin Dixhital 2025-2030. Është lançuar Baza Shtetërore e të Dhënave të Arsimit të Lartë (SMIAL), e cila është një bazë të dhënash që përdoret prej korrikut të vitit 2025, që gjurmon aktivitetin studimor online nga notat te klasifikimet. Kemi planin e veprimit për arsimin e lartë dhe planin e integritetit dhe gjithashtu, kemi miratuar në qeveri ligjin për ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, dhe me miratimin e ligjit edhe në Parlament, plotësojmë 100% piketat përmbyllëse në raport me procesin e integrimit”, tha Kumbaro.
Sipas ministres, krijimi i Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore përbën edhe piketën përmbyllëse të kapitullit 26, të dedikuar arsimit. Me miratimin e këtij ligji, ky kapitull konsiderohet i përfunduar. Në këtë drejtim, Universiteti i Kembrixhit do të ofrojë ekspertizë në 6 fusha.
Ministrja tha se kapitulli 25 ndodhet në fazën e avancimit të plotë.
“Janë miratuar aktet nënligjore të Ligjit për Kërkimin Shkencor. Po rrisim gradualisht buxhetin dedikuar kërkimit shkencor. Paketa e akteve nënligjore është mbyllur, i cili ka kaluar në 0,3% të PBD dhe na kërkohet që në vitin 2030 të shkojë në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Është miratuar plani i veprimit për tabelën evropiane të inovacionit. Kemi ndër të tjera dhe platformën ACRIS, regjistrin e kualifikimeve shkencore”, tha Kumbaro.
Puna për përmbushjen e kapitujve 25-26 vazhdon sipas kalendarit, si pjesë e grupkapitullit 3 të negociatave me BE.
Ministrja njoftoi se projekti i kampusit të Liceut Francez të Korçës është tashmë gati, është miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe parashikon ndërtimin e kampusit brenda territorit të godinës historike të Liceut Francez.
“Jo më larg se dje në Këshillin Kombëtar të Territorit është miratuar projekti i kampusit të Liceut Francez i cili do të ndërtohet brenda territorit ku ndodhet godina historike e Liceut Francez, e cila do të vihet edhe ajo në dispozicion të shkollës ku do t'i shtohen edhe dy ndërtesa të reja, ndërtesa që ka të bëjë me klasat, laboratorët, bibliotekën dhe ndërtesa që do të këtë mensën dhe konviktin e shkollës që do ndërtohet, projekti tashmë është gati”, tha Kumbaro.
Testimi ndërkombëtar PIRLS 2026, i cili u zhvillua në 180 shkolla në mbarë vendin dhe morën pjesë 4480 nxënës, ka përfunduar. Ky testim, i realizuar për herë të parë në mënyrë dixhitale, vlerëson aftësitë e leximit te nxënësit.
Komente










