TIRANË- Për mazhorancën qeverisëse, krijimi i  një administrate moderne është tepër e rëndësishme, e cila do të negociojë së shpejti anëtarësimin e Shqipërisë me BE-në.
Për këtë qëllim, edhe vendet e lira në administratën publike do të plotësohen përmes konkursit gjatë muajit tetor.
Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito deklaron se administrata e ardhshme do të nisë negociatat me BE-në, duke vënë në dukje se "negociatat janë tepër ekzigjente, strikte dhe profesionale dhe nëse s'kemi profesionalizëm, është e pamundur të kemi negociata".
Ministrja nënvizon gjithashtu se konkursi do të jetë korrekt pasi mekanizmi i ofruar nga ligji i ri nuk krijon hapësira për punësime klienteliste.
"Është kandidati ai që do të zgjedhë se në cilin pozicion do të shkojë. I pari për 10 vendet e lira, i dyti për 9 vendet e tjera e kështu me radhë. E ka të pamundur drejtuesi i institucionit të thotë dua këtë person në këtë vend, vetëm sepse është në listë. Gjithashtu, kemi futur teknologjinë e informacionit në mënyrë që testet të lënë gjurmë dhe procedura të jetë sa më pak e diskutueshme", shton Harito./ATSh/