Negociatat, Opozita: Pranuam 
"McAllister plus", Rama refuzoi

Negociatat, Opozita: Pranuam <br />
Partia Demokratike dhe partitë opozitare kanë shpërndarë një njoftim për mediat, duke zbardhur takimin me zv/ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee si dhe negociatat e zhvilluara një ditë më parë me maxhorancën për zgjidhjen e ngërçit politik. 

Opozita sqaron se ka pranuar paketën McAllister plus propozimet e kryeministrit Edi Rama, ndërsa thekson se ka qenë maxhoranca e cila ka refuzuar. 

"Duke pranuar propozimin e integruar McAllister Plus të paraqitur nga Z. Hoyt Yee, i cili nuk përfshin shumë nga kërkesat tona thelbësore, opozita ka dëshmuar vullnetin dhe mirëbesimin për të punuar drejt një zgjidhje politike që do t'u garantojë shqiptarëve kushtet minimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme me pjesëmarrjen e opozitës. 

Opozita vendosi t'i thotë po propozimit të integruar McAllister Plus, në mirëbesim për angazhimin e z. Hoyt Yee në emër të Departamentit të Shtetit si dhe të shumë anëtarëve të shquar të Kongresit të SHBA. Pasi  opozita ka thënë qartësisht "PO" ndaj propozimit të integruar, tani është koha që Z. Rama të thotë po, dhe të hapë rrugën për të garantuar së bashku përmes dialogut që ky propozim të jetë plotësisht i zbatueshëm"
, thuhet në deklaratën e koalicionit opozitar. 

Në 16 pikat e diskutuara nga opozita me Yee, ambasadorin Lu si dhe negociatorët e maxhorancës, s'përmendet votimi elektronik në këto zgjedhje, pikë e cila nuk përmendej as në paketën McAllister dhe as në propozimet e kreut të qeverisë Rama. Gjithashtu, PD është tërhequr dhe nga kërkesa për zgjedhje në vjeshtë, duke iu përmbajtur pikave të paketës McAllister e cila parashikon një shtyrje të procesit në 16 korrik. 

Ndërkohë që diskutime mes palëve ka pasur sa i takon identifikuesit elektronik të kartave biometrike të zgjedhësve. 

Konfirmuam votën për Vettingun
Në deklaratën e koalicionit opozitar thuhet gjithashtu se gjatë negociatave pakica parlamentare ka rënë dakord për votimin e ligjit të Vettingut në Kuvend, pas arritjes së marrëveshjes mes palëve.

"Në përgjigjen e mëtejshme nga Ambasadori Lu, ai kërkoi që të konfirmojmë gatishmërinë tonë për të votuar komisionet e vetingut pas marrëveshjes.

Pas sqarimit të përbashkët se kjo është parashikuar në pikën 15 të planit McAllister, Z. Basha u përgjigj se "po"-ja opozitare ndaj propozimit të integruar, përfshin zbatimin e pikës 15 të paketës McAllister për votën në Parlament për komisionet e vettingut",
thuhet në këtë deklaratë.

Deklarata e Koalicionit Opozitar

Përmbledhje e pikave kryesore në propozimin e integruar "McAllister Plus" paraqitur nga Ndihmës Zëvendës Sekretari Hoyt Yee më 16 maj 2017. 

1. Një zëvendës Kryeministër i përkohshëm (person jo-politik), i propozuar nga opozita;

2. Caktimi konsensual i katër ministrave (ekspertë teknik të respektuar) me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të administratës publike dhe ndikimeve në procesin zgjedhor;

3. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i zgjedhur nga opozita;

4. Avokati I Popullit i zgjedhur nga opozita; 

5. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, te cilat do te garantojnë standardet më të larta të nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme;

6. Përzgjedhja konsensuale e një kandidati të respektuar për President, i pranueshëm për Qeverinë dhe për Opozitën. (Nuk është më e mundur pasi Presidenti tashmë është zgjedhur në Parlament vetëm me votat e shumicës qeverisëse)

7. Krijimi i një ministrie të re speciale, të drejtuar nga një figurë politike e zgjedhur nga opozita, e cila do të merret ekskluzivisht me zbatimin e çdo hapi që duhet të merret, në mënyrë që në të ardhmen shqiptarët mund të kenë mundësinë të votojnë përmes një sistemi elektronik.

8. Ndryshime në ligjin për transparencën e financimit të partive politike.

9. Ndryshime në Kodin Penal, dënime më të ashpra për blerjen e votës, fotografimin e fletës së votimit dhe krime të tjera lidhur me zgjedhjet.

10. Burime shtesë për KQZ-në për të monitoruar financimin e zgjedhjeve dhe transparencën e shpenzimeve, duke përfshirë auditues ndërkombëtarë për financimin e fushatës së partive politike dhe ndryshime të mundshme në ligjet përkatëse.

11. Emërimi i ekspertëve teknikë si zëvendësministra në ministritë që mund të ndikojnë në procesin zgjedhor, të ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët do të monitorojnë çdo çështje që ka të bëjë me procesin zgjedhor

12. Caktimi i përkohshëm i personave të respektuar, të cilët nuk përfaqësojnë parti politike, si zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Policisë dhe monitorim i fortë ndërkombëtar për të parandaluar abuzimet e mundshme të administratës publike.

13. Strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit për të monitoruar problemet e lidhura me zgjedhjet, të përbërë nga Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm dhe 12 Zëvëndës Drejtorë rajonalë, të ndihmuar nga PAMECA dhe ICITAP.

14. Shtyrja e zgjedhjeve deri më 16 korrik (Ky propozim daton që nga 25 prilli, pra 3 javë para se propozimi i integruar ju prezantua palëve!)

15. Droga:
• Komuniteti ndërkombëtar do të monitorojë çrrënjosjen e kanabisit.
• Pjesëmarrja e opozitës në Task Forcën Kombëtare të luftës kundër Drogës.

16. Dekriminalizimi (Largimi dhe parandalimi i kriminelëve nga mbajtja ose kërkimi i posteve publike)
• Partitë politike angazhohen publikisht për ekzaminimin e fortë të kandidatëve në listat partiake dhe të koalicionit.
• KQZ ekzaminon kandidatët nëpërmjet personelit shtesë, me mbështetje ndërkombëtare (të plotësuara në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit dhe Kodin Zgjedhor)
• Angazhimi i SHBA dhe partnerëve të tjerë për t’u dhënë Kryetarëve të partive politike rekomandime të mbështetura mbi të dhënat penale të kandidatëve.

17. Mbështetje ndërkombëtare për forcimin e monitorimit të regjistrit të zgjedhësve.

18. Mbështetje ndërkombëtare për KQZ-në për ngritjen e linjave telefonike të ndihmës, për vëzhgimin dhe shqyrtimin e ankesave mbi ligjin e shërbimit civil dhe blerjen e votës. 

19. Mbështetje ndërkombëtare për vëzhgimin e rolit të medias në zgjedhje dhe caktimin e segmenteve orare në media. Ndalimi i transmetimeve të videokasetave të partive politike të regjistruara më parë pa identifikim të qartë.

20. Kthimi i Opozitës në Parlament, për formimin e Komisioneve të Vettingut.


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Call centerat drejt tkurrjes, Suela Gega: Rrogat kanë mbetur në vend, bëj string art që t’ia dal

Call centerat drejt tkurrjes, Suela Gega: Rrogat kanë mbetur në vend, bëj string art që t’ia dal