E ndërsa negociatat u shtynë, Shqipëria dhe Maqedonia vijojnë procesin screening, teksa në Bruksel është zhvilluar takimi shpjegues për kapitullin 6 “Legjislacioni Tregtar”, ku delegacioni shqiptar u kryesua nga zv. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi dhe zv. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Sokol Dedja.

Sipas njoftimit, në këtë takim u shpreh angazhimi për të vazhduar progresin e reformave në fushën e legjislacionit për shoqëritë tregtare, auditimit ligjor dhe raportimit financiar në dobi të bizneseve dhe transparencës, në funksion të zhvillimit ekonomik.

Në përfundim të takimit, delegacionet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u përshëndetën edhe nga Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz Calavera, e cila shprehu mbështetjen e plotë të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Në momente të vështira familjet bëhen bashkë dhe për ne ju jeni pjesë e familjes”, tha Calavera, e cila është edhe drejtuese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të zbatimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

Procesi ‘screening’ është një analizë e hollësishme e kuadrit ligjor shqiptar në tërësi dhe ecurisë së përafrimit të legjislacionit, si një ndër hapat që vendi po hedh për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.