Nekropolitikë dhe nekroshkencë

Nekropolitikë dhe nekroshkencë

Sali Berisha është i vetmi që mund ta kuptosh, deri diku. Jo për fajin e tij, por për fajin e të gjithëve ne, që e kemi bërë të keqen dhe ligësinë që del nga goja e tij e shthurur, një gjë të zakonshme. Si shoqëri kemi vendosur të bashkëjetojmë me të përmjerat publike që dalin nga goja e një plaku të rrjedhur. I cili në fundin e jetës biologjik, e ka të pamundur të ndalë përroin e ndotur psikologjik që i sillet nëpër mendje. Pandemia e koronavirusit i ka dhënë një dorë. Politikani që në historinë e Shqipërisë do të mbahet mend për tragjedinë e madhe që ishte për këtë vend 1997-a, për plagët e grushtit të shtetit të 1998-ës, për viktimat e Gërdecit, për të vrarët e 21 janarit, e ka të vështirë të bëjë politikë pa një ingredient të domosdoshëm tashmë në psikikën e tij: vdekjen.

Sali Berisha është për t’u mëshiruar në fakt. Nuk është kollaj të biesh në mbrëmje në shtrat, me ankthet që sapo të zë gjumi të shndërrohen në makthe. Thonë se nuk ka torturë më të madhe, se sa sekretet që je i detyruar të mbash me vete deri në varr. Dhe sekretet e Sali Berishës janë me viktima, të shkaktuara sa herë që ai ka qenë në pushtet. Dhe këtu duhet të kërkohen arsyet përse sapo gdhihet, pa larë ende sytë, Sali Berisha rend tek Facebook-u dhe fillon të shkruajë për të vdekur që nuk deklarohen. Me video makinash funerale të boshatisura, që varrmihësit dixhitalë ia dërgojnë atij për të vërtetuar që këtu ka të vdekur të pashpallur.

Është një përpjekje e Doktor Vdekjes për të larguar fantazmat që e kanë munduar natën, dhe që ai e di se do i rikthehen sapo të bjerë muzgu. Në radhë pas Sali Berishës për të numëruar të vdekur imagjinarë, është shelegu i tij i përjetshëm. Bujar Nishani, presidenti me një karrierë të admirueshme, si kapterr që u bë president duke kaluar më parë nga një pikë karburanti në Durrës, ku sipas Bamir Topit shërbente me pompë në dorë, deri ditën kur Topi shkoi dhe e mori për ta propozuar si kryetar të Partisë Demokratike të Tiranës.

Ndryshe nga Sali Berisha, Bujar Nishani nuk është i shtrënguar nga asnjë viktimë në nekrodeklaratat. Por Bujar Nishani e di fort mirë, se karrierën e ka bërë pikërisht duke lexuar në ajër, mendimet e doktorit. Dhe nëse doktori vendos që në Shqipëri ka të vdekur dhe të pakallur, Bujar Nishani duhet ta rrokë menjëherë mesazhin dhe ta shtjellojë. E ndihmon goxha dhe fakti që askush nuk e merr seriozisht, për t’i mbushur postimet e tij me marrëzi që e krahasojnë Shqipërinë me Kinën. Dy të mësipërmit janë politikanë që vdekjen e kanë zgjedhur si temë për të mbetur në mendjen e publikut. Edhe pse të painteresuar për numrin e demokratëve që i braktisin dhe të qytetarëve që i neveritin.

Këto kohë, ka spikatur me temën e vdekjes edhe një i vetëquajtur shkencëtar. Quhet Taulant Muka. Është ai zëvendës ministri që ndejti pak ditë, dhe vendosi të japë dorëheqjen për shkak se nuk ia bënë babanë shofer dhe sepse në zyrën që i kishin dhënë në Ministrinë e arsimit, nuk kishte banjë brenda zyrës dhe këtij i duhej të shkonte në fund të korridorit, dhe gjithashtu sepse banja një ditë nuk kishte patur letër higjenike. I ka thënë vetë këto në një intervistë. Taulant Muka është ai shkencëtari që deshi të përvetësonte protestën e studentëve një vit e gjysmë më parë, por që studentët e dëbuan me ceremoni kur u shfaq një ditë të bukur pranë tyre. Është ai shkencëtari që shkaktoi një reagim të fortë të publikut në fillimin e krizës së koronavirusit, kur tha se “jam mjek, por nuk vij të ndihmoj sa kohë që të jetë kjo qeveri në pushtet”.

Në 25 mars, në një prej emisioneve të televizioneve shqiptare, që nuk kuptohet se cfare u duhet më shumë për t’i vënë kryq një sharlatani, Taulant Muka parashikoi se deri në 18 prill në Shqipëri do të vdisnin 250 deri në 300 qytetarë. Tani, shifra e viktimave sot dihet, është 26. Secila prej tyre është një fatkeqësi dhe dhimbje e madhe për familjen, pa dyshim. Megjithatë masat e marra nga Kryeministri, kanë bërë që Shqipëria të ketë numrin më të ulët të viktimave në rajon dhe në botë, për 1 milion banorë.Pyetja është se c’kusur ka shoqëria shqiptare, që në mesin e një situate me një vështirësi të paprecedentë, të dëgjojë tingujt që dalin nga kolektori i ujërave të zeza të Sali Berishës apo Bujar Nishanit, apo ai i delireve të një sharlatani që e quan veten shkencëtar dhe që streson dynjanë duke parashikuar dhjetë herë më shumë të vdekur, se sa realiteti. Kujt i shërben nekropolitika dhe nekroshkenca, në një kohë kur njerëzit kanë nevojë për shpresë, përveç qëllimeve të liga të atyre që shoqëria me të drejtë i ka degdisur pa kthim në vetminë e tyre të madhe?PS. Herën tjetër që do dëgjoni Doktor Vdekjen, dishepullin e tij Bujar dhe sharlatanin shkencor Taulant, që japin njoftime ogurzeza, dijeni se gjërat po ecin mirë dhe për shqiptarët ka shpresë.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja