Veç kësaj, ai ka qenë edhe kandidat për deputet në listat shumëemërore të PD-së si edhe ish-kryetar i Bashkisë së Durrësit po nga radhët e demokratë. Kësisoj, e gjithë propaganda e bërë nga televizioni që ai drejton, shkon direkte në shkelje të ligjit pasi televizionet private nuk mund të bëjnë propagandë politike në favor të një subjekti politik apo të ndonjë tjetri.
Skandali
Fakti që AdriaNet, një televizion që është regjistruar si subjekt privat kryen aktivitetin e një partie politike, përbën një skandal shumë të madh për vetë Partinë Demokratike. Kjo pasi njoftimet e bëra ishin të detajuara me data, me orare dhe me vende se ku dhe kur qytetarët e Durrësit duhet të bëhen anëtarë të demokratëve në kuadër të zgjerimit të partisë më të madhe opozitare. Veç kësaj, pronari i kësaj mediaje audiovizuale është edhe një nga emrat më shumë të përfolur për t’u bërë edhe kreu i ri i Partisë Demokratike për qytetin e Durrësit çka do të thotë se është edhe një nga prurjet e reja të Bashës për të drejtuar Partinë Demokratike.
Kësisoj, interesat personale të Arqile Goresë për të bërë sa më shumë punë për PD-në kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, pasi në legjislacionin për mediat audiovizuale në Shqipëri, propaganda politike është e ndaluar me ligj.
Urdhrat e Bashës
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shpërndarë një urdhër rreth 2 muaj më parë që të nis procesi i anëtarësimeve të reja në Partinë Demokratike. Pavarësisht se ky afat duhet të mbaronte në datën 28 shkurt të vitit 2014, PD vendosi që t’i shtyjë edhe më shumë këto anëtarësime, pasi numri i personave që u bashkuan me partinë më të madhe opozitare ishte jashtë pritshmërisë, pra tepër i ulët. Kësisoj, në bazë të këtij urdhri të dhënë nga Basha duket se i ka detyruar të gjithë anëtarët e lartë të PD-së që të kalojnë çdo kompetencë për të thithur sa më shumë prurje të reja në opozitë me argumentin se kjo forcë politike po reformohet.
Mungesa e burimeve njerëzore
AMA, monitorimi i medieve përqendrohet në Tiranë
Mesa duket, Arqile Gorea, pronari i AdriaNet është një njohës i mirë i legjislacionit shqiptar për mediat audiovizuale. Konkretisht, Autoritetit për Medait Audiovizuale ka një procedurë konkrete në ndjekjen e këtyre subjekteve. Në pamundësi për shkak të burimeve njerëzore, AMA mbikëqyr të gjitha televizionet që janë të vendosura në Tiranë, lokale apo kombëtare.
Por për televizionet që janë të pozicionuara jashtë kryeqytetit, bëhen procedura të ndryshme. Konkretisht me të tilla raste AMA fillon hetimin ndaj televizionit vetëm në rastin kur depozitohet një ankesë në rrugë zyrtare apo elektronike. Çka do të thotë se nëse nuk ka një ankesë, ky televizion që shkel ligjin mund t’i shpëtoj ndëshkimit, pasi pronari i saj është informuar mirë se AMA nuk mund ta monitoroj dot këtë rast për mungesë të burimeve njerëzore.
Kësisoj, Arqile Gorea mund të bëjë propagandë politike në favor të subjektit partiak ku ai bën pjesë ,pasi deri më tani nuk është depozituar ndonjë ankesë në Autoritetin për Mediat Audiovizuale. Kësisoj, Gorea ka vijuar punën e tij për të bërë të gjithë punën e nevojshme për të favorizuar sa më shumë Partinë Demokratike në thithjen e anëtarësimeve të reja në PD.
Shkrimi u publikua sot (08.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)