Orët e para të ditëve monotone, të cilave u dihet filli e mbingarkesa, të marrin forcën ndonjëherë.

Kësisoj, edhe një fjalë shprese që mund të gjendet me ne në mëngjes, vritet gjatë ditës dhe vdes ngadalë në errësirë.  

Kjo panoramë bëhet edhe më e shpeshtë a e zakonshme, kur njeriu e ka humbur gjysmën e zemrës në pleqëri, e patjetër që do t’i dalin lot prej gjysmës së mbetur; kjo ndodh me 76 vjeçaren, nënë Naxhie Dedej, të cilën e kam përballë vetes në një kafene të rëndomtë lagjeje, Atë, djalin e saj të përhumbur dhe historinë e një jete te mundimshme e të lodhshme, e cila, siç thotë nënë Naxhia "po mbërrin në fund të shkallëve".

Kujdeset e vetme për djalin me aftësi të kufizuara
Para dy vjetësh, kur sapo kishin kaluar pak orë nga Viti i Vjetër dhe pasi kishin konsumuar darkën e Vitit të Ri 2015, në atmosferën e qiellit të flakëruar nga fishekzjarret, burri i znj. Naxhies, z. Vath Dedej, ndërroi jetë pa zhurmë, vetëm duke i shtrënguar fort dorën së shoqes.

Mungesën e tij, 76 vjeçarja e ndjen çdo ditë, në çdo cep të shtëpisë së saj të vogël, ku tashmë jeton me djalin e dytë, i cili ka lindur me sindromën Down.

Sot, djali i znj.Naxhie, z. Fatbardh Dedej është 56 vjeç. Por, ai do kujdesin e njëjtë si me të një fëmijë.

nena
Fatbardh Dedej dhe nëna e tij Naxhie Dedej

Pas vdekjes të së shoqit
Dhe tanimë që z.Vath nuk jeton më, përveç dhimbjes të të birit dhe znj Naxhie, përgjegjësia  e kësaj të fundit është dyfishuar.

Të dy flenë në një dhomë, ndonjëherë nënë Naxhia edhe e përkund kur Bardhi nuk ka gjumë; më pas kur dita agon, ajo bën gati mëngjesin dhe e ushqen, përafërsisht rreth dy orë; dhe mandej për orë e orë të tëra, të dy flasin me një gjuhë të përbashkët që u përket vetëm atyre, dhe kujtojnë kohët kur jetonin të tre. “Gjithmonë donte të më bënte qejfin. Dilte xhiro me djalin, dhe kur kthehej fshihte duart me fruta apo lule mbrapa, dhe më puthte. Ishte njeri i përsosur, dhe shumë i bukur, me sy të kaltra.

Ndonjëherë i thoja, ti kot më more mua, je gjithë ky burrë, dhe më thoshte: ’Unë ty të kam shpirt!’”, tregon e përmalluar për Shqiptarja.com, nënë Naxhia. Ndërsa Bardhi vetëm dëgjon, në pamje të parë duket i shpërqendruar, por kur bie qetësia dhe asnjë nga ne nuk flet, dëgjohet nofulla e tij teksa kërcet. Naxhia rrëfen se marrëdhënia baba-bir ka qenë shumë e ngushtë e shoqërore; i shoqi kujdesej më shumë se ajo vetë për Bardhin, nuk mërzitej dhe nuk nxehej asnjëherë, ndërsa sot... në të dy shpirtrat e tyre, është një vend bosh.

Me vete në kafene, duart e nënë Naxhies mbanin një tullumbace - kapriçoja më e fundit e Bardhit- ndërsa ajo tregon për Shqiptarja.com se dëshirat e tij janë të ndryshme nga dita në ditë. “Kërkon të blejë akullore, dhe në fund nuk e ha, por lekë janë ato”, shpjegon nëna, e cila shton se ja del të përballojë jetën vetëm me pensionin e saj dhe një ndihmë të papërfillshme nga shteti për Bardhin. Ndër të tjera, për shkak të moshës, ajo ka probleme me zemrën dhe ndaj është e detyruar të blejë ilaçe për vete dhe për djalin medoemos. Me këto vështirësi, ditët e tyre rrjedhin njësoj.

Marrëdhënia me të tjerët
Naxhia tregon për Shqiptarja.com se që pas vdekjes së burrit, ajo nuk del më larg se disa hapa jashtë shtëpisë së saj.

Pavarësisht se ka 5 fëmijë, 2 vajza edhe 2 djem të tjerë përveç Bardhit, Naxhia shprehet se ata janë martuar dhe secili ka problemet e tij.

“Bëhen gati 3 vjet që  nuk dal tek njerëzit, apo të flas me njeri këtu në lagje veç djalit. Edhe fëmijët e tjerë vijnë të më shikojnë se unë nuk kam dëshirë të dal më, por secili ka problemet e tij. Unë jam e lumtur se i rrita, e janë bërë fëmijë të mbarë, pavarësisht të gjithave: Jeta është luftë”, rrëfen nënë Naxhia për Shqiptarja.com.

Megjithatë raporti i fëmijëve të tjerë me vëllain e tyre, i cili është ndryshe nga ta, është i mirë, Naxhia thotë se e duan Bardhin.

I vetmi problem janë njerëzit e tjerë, të cilët nuk e kanë pranuar. E veshur me rroba të zeza, në qafën e znj. Naxhia bie në sy varësja e floririt me mbishkrimin ‘Unë dhe Ti’; e pyetur se kush ja ka dhuruar, mes lotësh tregon se ia ka blerë z. Vath.

“Ma ka dhuruar njeriu im i zemrës kur festova 40 vjeç, edhe nuk e kam hequr kurrë!”. 


Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com