Pagat në ndërtim nuk pasqyrojnë realitetin. Kështu u shpreh në konferencë për mediat ministri i Financave Petrit Malaj i cili tha se 25% e të punësuarve në këtë sektor kanë të deklaruar pagë deri 50 mijë lekë.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ky sektor vuan mungesën e krahut të punës dhe pikërisht pagat që deklarohen në këtë sektor nuk reflektojnë realitetin me të cilin përballet sektori i ndërtimit”, tha ministri.

Sipas tij u rritën pagat për 118 mijë punonjës menjëherë pasi nisi fushata ndërgjegjësuese gjatë vjeshtës së 2025-ës.

“Pas mesazheve ndërgjegjësuese, një pjesë e mirë e subjekteve kanë reflektuar dhe më konkretisht. Për 118,000 të punësuar në sektorin e ndërtimit, në dhjetor 2025, kemi patur një rritje të fondit të pagave me 9%, krahasuar me muajin shtator 2025, duke arritur në rreth 78 milionë euro”, tha Malaj.

Aksioni në ndërtim do të mbyllet më 23 maj dhe është i ndarë në 3 faza.

“Faza e parë e këtij plani sapo ka filluar dhe ka të bëjë me mbledhjen e të dhënave, të çmimeve të shitjes së agjencive imobiliare, por edhe formalizimin e tyre. Faza e dytë e këtij plani do të fokusohet te nën kontraktorët të cilët nuk kanë reflektuar në ligje për pagat dhe ndaj tyre do të bëhen rivlerësime në çmimet reale të shitjes. Ndërkohë, do të investigohet edhe burimi i financimit. Transaksionet e dyshuara do të raportohen te Drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave për vetëvlerësimet më të mëtejshme. Faza e tretë e këtij plani do të fokusohet te ndërtuesit. Detyra e riskut do të identifikohen ata ndërtues të cilët nuk kanë reflektuar në dy fazat e para”, tha Binaj.

Kontrolli ndaj bizneseve nuk do të ndalet as pasi të mbyllet ky aksion, pasi nëse ka përsëri ulje të pagave apo çmimeve të shitjeve të pronave, përsëri do të ketë verifikime nga tatimet.

Pas ndërtimit, kontrollet kundër informalitetit do të shtrihen edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, si turizmi, siguria ushqimore, tregtia online dhe tregu i qiradhënies së makinave.

Ndërkohë, ministri Petrit Malaj bëri me dije për Report Tv se procesi i rivlerësimit të pronave do të nisë në muajin shkurt. Për rivlerësimin e pronave tatimi do të jetë 5%, nga 15% që paguhet aktualisht nëse shet pronën. Tatimi paguhet për diferencën e vlerës mes asaj të regjistruar në kadastër dhe asaj me të cilën shitet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:30
Aksioni kundër evazionit në ndërtim deri në maj, Drejtori i Tatimeve: Në fokus të kontrolleve edhe turizmi, siguria ushqimore e tregtia online

 

Drejtori i Tatimeve Ilir Binaj tha në konferencë se aksioni në ndërtim do të vijojë deri në 23 maj 2026, dhe është i ndarë në tre faza.

“Faza e parë e këtij plani sapo ka filluar dhe ka të bëjë me mbledhjen e të dhënave, të çmimeve të shitjes së agjencive imobiliare, por edhe formalizimin e tyre. Nga aksioni i organizuar nga strukturat e hetimit dhe kontrolli në terren u morën nga databazat e çmimeve reale të shitjes nga agjencitë kryesore mbylle, të cilat do të përdoren për të verifikuar të gjitha ato ndërtues apo në kontraktorët e tyre të cilët nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve. Faza e dytë e këtij plani do të fokusohet te nën kontraktorët të cilët nuk kanë reflektuar në ligje për pagat dhe ndaj tyre do të bëhen rivlerësime në çmimet reale të shitjes. Ndërkohë, do të investigohet edhe burimi i financimit. Transaksionet e dyshuara do të raportohen te Drejtoria e parandalimit të pastrimit të parave për vetëvlerësimet më të mëtejshme. Faza e tretë e këtij plani do të fokusohet te ndërtuesit. Detyra e riskut do të identifikohen ata ndërtues të cilët nuk kanë reflektuar në dy fazat e para, do të kontrollohen duke përdorur informacione të marra nga agjencitë imobiliare, të dhëna nga kontraktorët, duke bërë një analizë të thelluar të financimit qoftë për vetë, qoftë për blerësit e tyre”, tha Binaj.

Për bizneset që nuk reflektojnë do të ketë edhe masa ndëshkuese.

“Por në rastet kur nuk ka reflektim, do të merren masa përkatëse nëpërmjet me legjislacionin tatimor. Akti i mosdeklarimit të pagës në sytë e administratës tatimore është shumë i rëndë dhe si i tillë do të trajtohet. Në do të përdorim të gjithë fuqinë që na jep ligji për të dekurajuar evazionin që lidhet me kontributet për pension”, tha drejtori i tatimeve.

Pas ndërtimit, kontrollet kundër informalitetit do të shtrihen edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.

“Përveç ndërtimit në fokus përpjekje e së vazhdueshme për formalizimin e tregut, do të vazhdojë të mbetet turizmi dhe siguria ushqimore për të cilat po përgatiten plane operacionale specifike. Tregtia online është një sektor tjetër për të cilin po përgatisim plane për ta adresuar gjatë vitit. Janë duke u mbledhur të dhënat qoftë nga bankat për pagesat që bëhen për nga platforma dixhitale, por edhe për tregtinë online dhe do adresohen nga drejtoritë tona specifike. Ndërkohë aksione të tjera apo plane të tjera sektoriale kanë të bëjnë me ato që u filluan gjatë vitit të kaluar që ishte shitja e makinave, pra për atë është duke u ndodhur faza e parë me 100 individë, me rezultate mjaft të kënaqshme, ndërkohë që do të vazhdojmë me të njëjtë intensitet gjatë këtij viti. është identifikuar me risk edhe shitja e aksioneve, pra aksioneve që shiten midis individëve për kompani të ndryshme, por që nuk reflektojnë vlerën e tregut”, tha Binaj.

Ora 11:18
Sigurimi i detyrueshëm i banesave ndaj tërmeteve, Malaj: Projektligji do miratohet së shpejti në qeveri

Projektligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave ndaj tërmeteve do të miratohet së shpejti në Këshillin e Ministrave, tha ministri Petrit Malaj. Ai tha se primi do të jetë lehtësisht i përballueshëm nga qytetarët shqiptarë. Sipas Ministrit, primi dhe sigurimi i pronave do bëhet dhe do menaxhohet nga shteti. 

“Kemi përfunduar procesin e konsultimit dhe shumë shpejt ky ligj kalon për tu miratuar në Këshillin e Ministrave pastaj në komisionet parlamentare. Sa i përket primit, do jetë një prim lehtësisht i përballueshëm nga qytetarët shqiptarë. Pr.ligjin mban parasysh se për ato familje që mbështeten me ndihmë ekonomike, do subvencionohen nga shteti. Do jetë ligj i mirë për vetë faktin se primi dhe sigurimi i pronave do bëhet dhe do menaxhohet nga shteti. Do jetë shoqëri sha, s ai përket fatkeqësive të tjera natyrore ne nuk e kemi të parashikuar në këtë ligj”, tha Malaj.

Ora 11:13
Malaj për Report Tv: Rivlerësimi i pronave nis në shkurt, së shpejti aktet nënligjore

Rivlerësimi i pronave do të nisë në muajin shkurt, bëri me dije ministri Petrit Malaj për Report Tv. Ministri Malaj i tha gazetares Eliza Gjediku se shumë shpejt do të miratohen dhe udhëzimet përkatëse me qëllim që të nisë procesi i rivlerësimit.

“Ky ligj ka hyrë në fuqi më datë 22 janar dhe udhëzimet që shoqërojnë pritet të miratojmë shumë shpejt, brenda gjysmës së parë të muajit shkurt do kemi udhëzimet përkatëse që të vijohet me procesion rivlerësimit”, tha Malaj.

Për rivlerësimin e pronave të paluajtshme propozohet që tatimi të jetë 5%, nga 15% që paguhet aktualisht nëse shet pronën. Tatimi paguhet për diferencën e vlerës mes asaj të regjistruar në kadastër dhe asaj me të cilën shitet.