Në zemrën e sheshit “Nënë Tereza” nuk do të jetë më shatërvani, i vlerësuar tashmë si i amortizuar dhe jashtë funksionit. Ai është shembur këtë të shtunë dhe do të rivitalizohet duke krijuar shatërvanë të vegjël pa basene, për t’i hapur “rrugë” mbajtjes së meshës së madhe nga Ati i Shenjtë në ditën Botërore të Paqes.
Fast Food “Kolonat”, i vendosur midis Rektoratit dhe Institutit të Arkeologjisë, do të hiqet përkohësisht. Gjithashtu nuk do të ketë më kioska, lokale e ndërtime që ndodhen në të dy krahët e Universitetit Politeknik, duke ia lënë vendin hapësirave të gjelbërta.
Këto ndryshime do të shoqërohen edhe me restaurimin e shkallareve të Universitetit të Arteve dhe atij Politeknik që rrethojnë sheshin. Pjesët e munguara të travertinave do të zëvendësohen me të njëjtin material dhe trotuaret do të plotësohen me mozaikun e veshjes sipërfaqësore.
Ndërkohë që do të bëhet restaurimi i fasadës së Universitetit Politeknik (Korpusit), Akademisë së Arteve, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Rektoratit dhe Pallatit të Kongreseve.
Nga ana tjetër, pritet të mbillen pemë dekorative të larta, ndërsa ndryshime pritet të pësojë edhe ndriçimi në këtë shesh.
Kjo fazë synon që sheshi të jetë gati për vizitën e Papës, ndërsa më pas ende e pazyrtarizuar pritet një ndërhyrje e dytë për ta përshtatur me planin francez.
Papa Francesku, zgjodhi të çelë vizitën e parë në Europë, pikërisht me Shqipërinë si simbol të harmonisë fetare, ndërsa me 23 Korrik me votat unanime të anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës u shpall “qytetar nderi.
Shkreli per A1 REPORT: Eshte percaktuar fondi per te demshperblyer pronaret e kioskave e lokave qe shemben
Artan Shkreli, Këshilltari kulturor i kryeministrit në një prononcim telefonik për A1 Report, sqaron se ndërhyrjet në shesh do të jenë të thella. Fillimisht Shkreli sqaron se ndërhyrja synon kthimin në identitet të sheshit, që do të thotë pastrimi në themel i zonës: Që nënkupton heqjen e të gjithë lokaleve përreth zonës, duke filluar me largimin e “Kolonave”, apo dhe prishja e disa bareve që ndodhen në pjesën e djathtë në Korpusit. Shkreli nënvizon se pas gjithë këtij procesi pronarët që janë me dokumentacion të rregullt do të dëmshpërblehen sipas ligjeve, madje Këshilli Ministrave ka alokuar edhe fondin.
Projekti i Institutit te Monumenteve te Kultures zbatohet nga Bashkia e Tiranes, ja ndryshimet
Projekti për rehabilitimin e sheshit Nënë Tereza u hartua nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe u miratua në datën 15 Korrik 2014 nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.
Ndërkaq, Komisioni shtetëror i ngritur organizimin e punës dhe aktiviteteve për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, që drejtohet nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ia ngarkoi Bashkisë së Tiranës ekzekutimin e projektit për ndërhyrje rehabilituese në sheshin “Nënë Tereza” të cilat parashikojnë si më poshte:
Vendimi:
Çlirimi dhe rehabilitimi i sheshit qendror nga shatërvani ekzistues
Çlirimin dhe rehabilitimin e sheshit te kolonadave midis Rektoratit dhe Institutit të Arkeologjisë nga tendat e aktivitetit privat kolonat
Çlirimin nga kioskat, lokalet qe ndodhen në të dy krahët e Universitetit Politeknik dhe rehabilitimin e këtyre zonave si hapësira të gjelbërta
(Ne foto: Vendimi i Keshillit Kombetar te Restaurimeve)
Cfare ndryshimesh parashikohet t’i ndodhin sheshit “Nene Tereza”
Ndërhyrjet rehabilituese parashikojnë nivelimin e sheshit qendror pas heqjes së strukturës së shatërvanit në qendër të tij, i cili tashmë është vlerësuar si i amortizuar, krejtësisht jashtë funksionit dhe jokoherent me kontekstin arkitektoniko-urbanistik të sheshit.
Shkallaret që rrethojnë sheshin do të restaurohen tërësisht, pjesët e munguara të travertinave do të zëvendësohen me të njëjtin material dhe trotuaret do të plotësohen me mozaikun e veshjes sipërfaqësore.
Fasadat e objekteve që ballafaqohen me sheshin do të pastrohen plotësisht. Objekteve të Universitetit Politeknik të Tiranës, Akademisë së Arteve, Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Rektoratit do t’u kthehet hijeshia e pamjes së tyre fillestare.
Koncepti i ndriçimit të sheshit do të ndryshojë tërësisht: në qendër të sheshit do të pozicionohen ndriçues të lartë dhe në perimetrin e tij ndriçimi do të jetë i ulët. Gjithashtu do të unifikohet ndriçimi sipërfaqësor i bardhë i fasadave të objekteve dhe do të vihet në pah volumetria e tyre me anë të ndriçimit ngjyrë blu.
Në pjesën e kolonadës do të hiqet struktura e përkohshme e Fast Food ‘Kolonat’, duke rikthyer identitetin e kompleksit në tërësinë e tij.
Hapësira përgjatë dy krahëve të Universitetit Politeknik do të clirohet nga ndërtimet dhe do të kthehet në hapësirë të gjelbër.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)