Bilanci i përmbytjeve katastrofike mes Tibetit dhe Nepalit është rënduar ndjeshëm, me 626 viktima dhe 2.400 persona të zhdukur. Shpresat për të gjetur dikë të gjallë nën rrënoja praktikisht zero. Megjithatë, ka ende një numër shumë të madh trupash që duhen gjetur. Tre prej tyre janë nxjerrë nga lumi pasi kishin mbërritur tashmë në territorin indian, qindra kilometra larg zonës së katastrofës.
Rreth 90 punëtorë kanë mbetur të bllokuar në një hidrocentral që është ende në ndërtim. Punëtorë të tjerë, të cilët po punonin në një linjë të transmetimit të energjisë elektrike, janë lokalizuar. Dhjetëra alpinistë dhe turistë që konsiderohen të zhdukur mund të ndodhen ende në shtigjet e Himalajeve, pa e kuptuar fare se çfarë ka ndodhur.
Të tjerë mund të kenë arritur të ngjiten në shpatet e malit kur mbërriti vala vdekjeprurëse. Këtë ia dolën ta bënin disa italianë, të cilët tashmë janë shpëtuar, si edhe 96 indianë në anën kineze. Mendohet se këta të fundit kanë kaluar në Nepal dhe janë në pritje të ekipeve të shpëtimit.
Nuk përjashtohet mundësia që shumë persona, si të huaj ashtu edhe vendas, të jenë të sigurt dhe thjesht në pritje që të kontaktohen. Edhe gjatë ditës së djeshme janë shpëtuar të mbijetuar nga ndërtesat që arritën t'i rezistonin përmbytjes.
Tragjedia ka përmasa historike. Po aq e jashtëzakonshme është edhe sfida logjistike për operacionet e kërkim-shpëtimit. Edhe Kina, e cila ka në dispozicion burime të jashtëzakonshme, vetëm dje arriti të dërgonte një ekip me një qen kërkimi në zonën ku deri të mërkurën ndodhej ndërtesa e madhe e doganës.
Kapacitetet e Nepalit, sido që të vlerësohen, janë shumë më të kufizuara. Është e qartë se vendi ka nevojë për gjithçka, por qeveria në Katmandu ka vendosur të heqë dorë nga ndihma e ofruar nga vendet e tjera.
Pse? Ministria e Jashtme e Nepalit ka marrë përsipër të shpjegojë arsyet e këtij refuzimi. Sipas autoriteteve në Katmandu, përvoja e tërmetit të vitit 2015 tregon se pranimi i ndihmës ndërkombëtare nuk është domosdoshmërisht zgjidhja më e mirë.
Në atë kohë, dhjetëra vende dërguan ekipe shpëtimi. Aeroporti i vogël i kryeqytetit u mbingarkua aq shumë, sa ngarkesa të domosdoshme u detyruan të devijoheshin drejt aeroporteve të tjera. Ndërkohë, ekipet e huaja të shpëtimit u përqendruan kryesisht në zonat që ishin më të lehta për t'u arritur.
Ajo që nënkuptojnë autoritetet nepaleze është se kërkimi i vëmendjes publike dhe konkurrenca mes ekipeve ndërkombëtare të shpëtimit nuk i sollën ndonjë përfitim të madh vendit.
Prandaj, qëndrimi i sotëm i Nepalit është i qartë: kush dëshiron të ndihmojë mund të dërgojë para, por jo ekipe shpëtimi. Faleminderit, por do t'ia dalim vetë.
Është një qëndrim i ashpër, ndoshta edhe i kuptueshëm, por që nuk e tregon të gjithë historinë. Zona e goditur nga katastrofa është politikisht shumë delikate. Përmbytja ka goditur luginën që të çon drejt pikës kufitare të Gyirongut, lidhja më e rëndësishme tregtare e Nepalit me Kinën. Lugina kryesore e goditur, ajo e lumit Trishuli, të çon drejtpërdrejt në Katmandu.
Pikërisht aty, përmes një projekti inxhinierik tejet ambicioz, Kina propozon ndërtimin e një hekurudhe që do të ishte në gjendje të kapërcente diferencën prej 1.400 metrash në lartësi mes Gyirongut dhe Katmandusë.
Hekurudha do të kishte ura jashtëzakonisht të larta, por mbi të gjitha tunele spirale brenda maleve, të projektuara për të ulur gradualisht lartësinë. Distanca prej rreth 70 kilometrash në vijë ajrore mund të më shumë se dyfishohej për shkak të itinerarit në brendësi të Himalajeve.
Do të ishte një vepër e jashtëzakonshme infrastrukturore, me një kosto prej rreth 30 milionë eurosh për kilometër, e cila do ta nxirrte Katmandunë nga orbita indiane. Aktualisht, India është furnizuesi kryesor, në mos i vetmi, i Nepalit.
Prania e ekipeve indiane të shpëtimit përkrah atyre kineze në këtë zonë do të ishte politikisht e sikletshme. Dhe pasi të hynin në territor, lind edhe një pyetje tjetër: kur do të largoheshin?
Ndërkohë, ka edhe një lajm të mirë nga liqeni që u krijua të mërkurën pas shembjes së akullnajës.
Të enjten në mbrëmje, operacionet e shpëtimit ishin ndërprerë për shkak të rrezikut që liqeni të dilte nga shtrati. Alarmi tregonte se presioni i ujit po bëhej i papërballueshëm. Ekzistonte rreziku që diga natyrore të çahej papritur dhe të shkaktonte një tjetër përmbytje.
Fatmirësisht, gjatë natës, disa çarje të krijuara në pjesën e sipërme të barrierës i lejuan ujit të shkarkohej gradualisht përgjatë dy lumenjve, Lhende Khola dhe Trishuli.
Në rrjedhën e poshtme të liqenit kryesor ndodhen edhe barriera të tjera natyrore, ndoshta rreth njëqind, të krijuara nga shkëmbinjtë e shkëputur nga mali. Edhe ato përbëjnë shqetësim dhe po monitorohen përmes satelitëve.
Rreziku ende nuk ka kaluar, por operacionet mund të vazhdojnë. Secili në anën e vet të kufirit./Corriere Della Sera










Komente
Komento