Numri i personave të zhdukur në Nepal pas përmbytjes së madhe të së mërkurës ka arritur në 4,247, ndërsa dihet se të paktën 903 persona kanë humbur jetën.

Nga personat e zhdukur, 3,655 janë nepalezë, ndërsa 592 të huaj.

Grupet e kërkim-shpëtimit kanë hapur një vrimë në hidrocentralin Trishuli-3A, mjaftueshëm të gjerë për të hyrë dhe për të nisur kërkimet për të mbijetuar, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Mediat vendase kanë raportuar se ekipet e shpëtimit po kërkojnë babain e një vajze të vogël, e cila u shpëtua nga ujërat e përmbytjes në Khalte, Rasuwa, në fillim të kësaj jave.

5-vjeçarja Ishara mbeti e bllokuar në një rrjetë pasi nënën e saj e mori rrjedha e ujit. Ishara mbërriti në spital pa ndjenja, por pasi u zgjua, ishte në gjendje të tregonte emrin e saj dhe të rrëfente atë që kishte ndodhur.

Ishara raportohet t’u ketë thënë punonjësve se babai i saj ndodhej në Kathmandu.

Të mbijetuarit e përmbytjeve masive të rrëmbyeshme në Nepal kanë rrëfyer se si panë të afërmit e tyre të zhdukeshin mes rrjedhave të vrullshme të baltës.

“Anëtarët e familjes sime u morën nga uji para syve të mi”, tha një banore e distriktit Nuwakot.

Një tjetër e mbijetuar, Goma Pandit, ka thënë se ka humbur buajt dhe të gjithë bagëtinë.

“Edhe tokat e mia bujqësore u përmbytën. Dhjetë thasë me fara senapi, tonelata misër dhe oriz, gjithçka ka ikur, nuk ka mbetur asgjë.”

Nga ana tjetër, për disa njerëz ka ende pak shpresë se mund të shohin të dashurit e tyre.

Një grua, bashkëshorti i së cilës besohet se ka mbetur i bllokuar brenda një tuneli hidrocentrali në kantierin Trishuli-3A në Nepal, kur përmbytja katastrofike goditi të mërkurën e kaluar, ende shpreson se ai është gjallë.

“Ende kam 50% shpresë se ai është gjallë, sepse brenda tunelit ka një sistem furnizimi me oksigjen”, tha Sita Pandey. “Por me çdo orë që kalon, kjo shpresë zvogëlohet gjithnjë e më shumë.”

Ndërkohë autoritetet kanë rifilluar varrosjen e viktimave të paidentifikuara, trupat e të cilave janë nxjerrë në breg.

Zyrtarët po marrin mostra të ADN-së nga këto mbetje mortore, për t’i krahasuar më vonë me ADN-në e familjarëve, me qëllim identifikimin e viktimave.

Gati 200 nga 272 trupat u varrosën të dielën dhe zyrtarët thonë se shpresojnë të përfundojnë sot varrosjen e trupave të mbetur.