Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarve dhe Tregut të Shqipërisë që drejtohet nga Nikollaq Neranxi, mbështet protestën e opozitës dhe e konsideron atë të drejtë.

Kreu i shoqatës, Nikollaq Neranxi, teksa vizitoi këtë të hënë protestuesit në çadër në një intervistë për Report Tv shprehet se qeveria Rama përkeqësoi klimën e biznesit dhe se shumë subjekte tregtare falimentuan gjatë këtij mandati qeverisës. 

 "Unë mund të them që kjo qeveri na ka mashtruar me taksat që jo vetëm nuk i uli por i 10- fishoi. Mund t’ju them që këto 5 muajt e fundit sipas të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve kanë shkuar në faliment mbi 10 mijë biznese. Unë nuk bëj pjesë në asnjë parti por të jem i sinqertë më pëlqen programi i kësaj proteste", shprehet Neranxi. 

Neranxi u shpreh se kauza e opozitës për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira do t'i shërbejë edhe Edi Ramës për të shkëputur lidhjet e tij me elementë të lidhur me botën e krimit.

"Mendoj që qeveria teknike është në leverdi edhe për Ramën se i krijon mundësi të distancohet nga kriminelët. Siç e dimë dhe në pushtetin vendor dhe qendror ka persona me të shkuar kriminale dhe se dëshira për pushtet ka bërë që ai të mos ta shohë këtë gjë", tha Neranxi. 
 
Nikollaq Neranxi u shpreh se anëtarë të shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë do t'i bashkohen protestës.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com