/ATSH/.- Jo vetëm shqiptarët nga Kosova vijnë në Shqipëri për turizëm, por tashmë edhe interesi i turistëve shqiptarë për të eksploruar pikat turistike të Kosovës po rritet gjithnjë e më shumë.

Sipas KosovaPress, operatorët turistikë në Tiranë, thonë se ka shumë kërkesa sidomos për vende turistike të tilla si në Bogë, Rugovë e Brezovicë, si në dimër ashtu edhe në verë.

"Sivjet ka pasur grupe drejt Kosovës, të cilat janë bërë në formë organizimesh për disa qytete kryesore, ka pasur në Prishtinë; Prizren, Gjakovë dhe në Pejë. Ka një tendencë në rritje jo vetën gjatë pushimeve verore, por edhe gjatë periudhës dimërore, ku ka tendenca në rritje për në Bogë, në grykën e Rugovës, pasi aty ka një pistë skijimi aq sa është mundësia. Ka kërkesa në rritje për Brezovicën, pavarësisht problematikave që ka në rinovimin e pistave të skive dhe të industrisë akomoduese. Ka rritje vitet e fundit edhe në Dragash, në Brod, pasi aty është investuar në këtë fushë (skive) dhe ka një kërkesë në rritje", tha Sadik Malaj, lidhur me turizmin në Kosovë.

Kreu i operatorëve turistikë të Shqipërisë, Sadik Malaj thotë për KosovaPress se, Kosova në turizmin e bardhë ka më shumë potencial se sa shumë vende të tjera në rajon, por se për këtë duhen më shumë investime, promovim e infrastrukturë.

"Në periudhën dimërore, në industrinë e bardhë po themi të skive, Kosova ka potencial shumë më të madh se vendet përreth. Në rast se investohet, nisur nga kërkesa që vjen nga tregu turistik për elementë të tillë shërbimi dhe qendra të skive, Brezovica do ishte destinacioni më i mirë, sidomos për shqiptarët pasi është shumë i afërt nga Tirana. Investimet dhe tendencat për ta përfshirë në këto elementë (skitë) edhe Bogën edhe Brodin do ishte jashtëzakonisht interesante. Normalisht që tani ka mungesë investimesh dhe potencialet turistike që përfaqësojnë këtë zonë, Brezovica, Brodi dhe Boga do të konkurronin të gjitha vendet përreth", tha më tej z.Sadik Malaj.

Edhe pse Kosova është hapësirë e vogël gjeografike, me resurset natyrore dhe njerëzore që ka ofron mundësi të mira për zhvillimin e disa llojeve të turizmit, por fatkeqësisht, sipas ekspertëve të këtij sektori, është bërë shumë pak për promovimin e këtyre bukurive natyrore dhe për investimet nga ana e institucioneve qeveritare