Në 114-vjetorin e pavarësisë, pritet të mbahet protestë kombëtare anti-qeveritare, por deri më tani, grupime të ndryshme kanë njoftuar orare të ndryshme të nisjes së saj.

Organizatorë të të ashtuquajturit “Revolucioni Flamingo”, njoftojnë se tubimi nis në orën 10:00 në sheshin “Skënderbej”, dhe më tej marshim drejt kryeministrisë.

Ky grupim flet për dy ditë protestë, më 28 dhe 29 nëntor, edhe ditën e çlirimit, duke shfaqur skenarë për vijimin e saj pa ndalim edhe gjatë natës.

Ndërkohë grupe që thonë se përfaqësojnë studentët kanë lajmëruar orën 12:00 për nisjen e protestës, dhe zgjatjen e saj vetëm në një ditë, më 28 nëntor.

Në festën e pavarësisë, kryeministri Edi Rama do të jetë në Vlorë, siç e ka bërë traditë tashmë në ceremoninë e ngritjes së flamurit në orën 10:00

Opozita nga ana tjetër, ka deklaruar se do të mbështesë protestën kombëtare, dhe ende nuk ka bërë njoftim nëse do të ketë festime zyrtare të Pavarësisë dhe Çlirimit, duke qenë se i feston të dyja festat kombëtare në të njëjtën ditë, më 28 nëntor

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:46
'Këtu ku gjëmon vallja', 10 grupe folklorike në Vlorë për 114-vjetorin e Pavarësisë! 'Shqiponjat' e Shkupit fituese të festivalit

1795813361_foto.JPG

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës Folklorike Shqiptare “Këtu ku gjëmon vallja” ka përmbyllur edicionin e tij të parë në Vlorë, duke bashkuar 10 grupe folklorike nga të gjitha trevat shqiptare, në kuadër të 114-vjetorit të Pavarësisë.

Në skenën e Teatrit “Petro Marko”, grupet sollën këngë, valle dhe kostume tradicionale, duke krijuar një atmosferë festive. Çmimin për ansamblin më të mirë e fitoi “Shqiponjat” nga Shkupi, ndërsa u ndanë edhe çmime për kostumet dhe interpretuesit më të mirë.

Drejtoresha e Qendrës së Kulturës në Vlorë, Anxhela Kapllani, e cilësoi aktivitetin një sukses të jashtëzakonshëm dhe shprehu dëshirën që festivali të kthehet në një traditë të përvitshme.

“Ishte një sukses i jashtëzakonshëm, atmosfera ishte shumë e madhe. Fituesi i edicionit të parë ishte ansambli “Shqiponjat” nga Shkupi. Ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Ky ishte vetëm edicioni i parë, ne do të jemi së bashku përsëri në sezonin e ardhshëm.”- tha Kapllani.

Në përfundim, grupet folklorike dhuruan edhe një performancë në rrugët e qytetit, duke e kthyer Vlorën në një skenë të hapur të këngës dhe valles shqiptare.

Ora 20:41
Festat e Nëntorit/ Nga ngritja e Flamurit te koncertet, axhenda e aktiviteteve që do të zhvillohen në Vlorë për ditët e Pavarësisë dhe Çlirimit

1795808587_dtygutioio.jpg

Vlora do të jetë ‘kryeqyteti’ i shqiptarëve nesër, ku bashkëkombas nga të gjitha trevat mblidhen për të festuar 114 vjetorin e Pavarësisë. Aktivitete janë planifikuar të mbahen në qytetin bregdetar edhe në 29 nëntor, ‘Ditën e Çlirimit’ të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë.

Festimet nisin të shtunën, më 28 nëntor, në orën 10:00, me ceremoninë zyrtare të ngritjes së Flamurit në Sheshin e Flamurit. Në orën 11:00 do të zhvillohet “Parada e Pavarësisë”, një marshim festiv përgjatë Bulevardit “Ismail Qemali” drejt Sheshit të Flamurit. Ndërsa në orën 19:00, po në Sheshin e Flamurit, do të mbahet koncerti festiv.

Aktivitetet vijojnë të dielën, më 29 nëntor, me ceremoninë zyrtare për Ditën e Çlirimit, e cila do të zhvillohet në orën 10:00 në Varrezat e Dëshmorëve në Vlorë. Në mbrëmje, në orën 19:00, do të organizohet një tjetër koncert festiv në Bulevardin “Ismail Qemali”.

Axhenda:

E Shtunë | 28 Nëntor 2026

1. 10:00- Ceremonia Zyrtare e “Ngritjes së Flamurit 28 Nëntor”

Vendi: Sheshi i Flamurit, Vlorë.

2. 11:00- “Parada e Pavarësisë”-Marshim festiv përgjatë Bulevardit drejt Sheshit të Flamurit

Vendi: Bulevardi “Ismail Qemali” drejt Sheshit të Flamurit.

3. 19:00- Koncert Festiv

Vendi: Sheshi i Flamurit, Vlorë.

E Diel | 29 Nëntor 2026

1. 10:00- Ceremonia Zyrtare e “Ditës së Çlirimit 29 Nëntor”

Vendi: Varrezat e Dëshmorëve, Vlorë.

2. 19:00- Koncert Festiv

Vendi: Bulevardi “Ismail Qemali”, Vlorë.

Ora 20:38
Me valle, tupana dhe veshje kombëtare, Vlora ndez atmosferën festive në prag të 28 Nëntorit (VIDEO)

 

Qyteti i Vlorës ka nisur festimet që mbrëmjen e sotme me një atmosferë të veçantë festive në prag të 28 Nëntorit. Pranë Teatrit “Petro Marko”, qytetarë të shumtë janë mbledhur për të festuar me muzikë, tupana dhe valle tradicionale shqiptare.

Të veshur me kostume kombëtare dhe të shoqëruar nga ritmet tradicionale, vlonjatët kanë dhuruar pamje festive, duke përcjellë emocionet dhe krenarinë në prag të Ditës së Pavarësisë.