Nesër 12 vjet nga ’21 janari’, Balla: Dosja e vrasjes së Aleks Nikës t’i kalojë SPAK-ut! Berisha 'mbron' Bashën: S’ka pasur rol konkret! Është bërë hetimi i plotë

Nesër 12 vjet nga ’21 janari’, Balla: Dosja e vrasjes së Aleks Nikës t’i kalojë SPAK-ut! Berisha 'mbron' Bashën: S’ka pasur rol konkret! Është bërë hetimi i plotë

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe ish-kryeministri Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Ballaka folur sot për 21 janarin e 2011-tës, vrasjen e 4 protestuesve para godinës së kryeministrisë gjatë kohës kur kryeministër ishte Sali Berisha. Balla nga Roskoveci i ka bërë  thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Tiranës që dosjen e vrasjes së Aleks Nikes më 21 Janar t’ja kalojë SPAK-ut.

“Nesër përkujtojmë 12 vjetorin e masakrës të bulevardit dhe të vrasjes së katër dëshmorëve të këtij vendi në protestën e 21 janarit 2011. Dua të theksoj se dosja në ngarkim të zyrtarëve më të lartë të asaj kohe, jo vetëm gardës së Republikës, jo vetëm Ministrisë së Brendshme por edhe atyre në krye të qeverisë, fakti është që një prej katër dëshmorëve Aleks Nika dosja e vrasjes së të cilit është një dosje e pa mbyllur.  Familjarët e tij dhe unë gjithashtu i jemi drejtuar disa herë Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Tiranës, SPAK-ut për të kërkuar që elementë të reja që kanë dalë në këtë dosje të hetohen. Fakti është që ka patur dëmtime me dashje të provave gjatë vitit 2011 qoftë nga predha e gjendur në trupin e e të ndjerit por edhe  elementë të tjera dhe që në vlerësimin tim edhe apeli im është që në 12 vjetorin e këtij krimi, dosja në ngarkim të personave të përfshirë në vrasjen e Aleks Nikës dhe ky krim të mos hetohet më nga Prokuroria e Tiranës por ti kalojë SPAK-ut"- shprehet Balla. 

Ai tha se me këtë çështje duhej të merrej vetë Prokuroria e Posaçme sepse personat e përfshirë në atë që e quan ‘krim shtetëror’, hyjnë në juridiksionin e SPAK.

“Arsyeja është shumë e thjeshtë, personat e përfshirë në këtë krim shtetëror që i mori jetë 4 qytetarëve dhe u plagosën dhjetëra, janë persona që hyjnë në juridiksionin e   Prokurorisë Speciale. 21 Janari është korrupsion, pra qytetarët shqiptarë dolën në bulevard për të kundërshtuar korrupsionin e asaj kohe, dhe në këtë këndvështrim unë mendoj që Prokuroria nuk duhet të rrijë duar kryq. Theksoj edhe njëherë që dosja e 21 janarit në rastin e vrasjes së Aleks Nikës nuk duhet të vazhdojë të mbetet më nëpër sirtaret e Prokurorisë së Tiranës por duhet t’i kalojë Prokurorisë Speciale Antikorrupsion”- përfundoi Balla.

Mirëpo, Sali Berisha është shprehur se për këtë ngjarje të rëndë është bërë një hetim i plotë. Teksa është pyetur për veprimet e Qeverisë së tij, në veçanti të ish-ministrit të tij të Brendshëm LUlzim Bashës, Berisha e mori në mbrojtje atë edhe pse janë në 'luftë' të hapur prej kohësh me akuza të forta ndaj njëri-tjetrit prej kohës. Përçarja e tyre për partinë sigurisht nuk është 'luftë' e mjaftueshme kur bëhet fjalë për një ngjarje që rëndon kaq shumë për Berishën

 “21 Janari është akt anti-kushtetues, i Edi Ramës dhe grupit të tij. Ka një deklaratë të kryesisë së radhës së OSBE-së asokohe që shprehet qartë, tensionet për pushtet të atij puçi. 21 Janari ka një zhvillim dramatik, 4 të vrarë. Të sjellë të gjithë nga Rama me qëllim për të rrëzuar Sali Berishën, për të pushtuar Kryeministrinë. Dhe u përdorën të gjitha mjetet e dhunës, përfshirë armët e zjarrit dhe plumbat në dritaren e zyrës së kryeministrit, që ai po punonte aty. Është bërë një hetim i plotë. Kam qenë unë që kam kërkuar hetim ndërkombëtar për problemin dhe i keni të gjitha në media, por kishte problematikë ajo, jo nga unë. Është bërë një hetim, asnjë vrasje dhe plagosje nuk është bërë nga policia, por nga gardistë në zbatim të ligjit të tyre, me teprim, pa teprim, por garda nuk funksionon me urdhër, por me ligj. Sa i përket ministrit të Brendshëm, në këtë rast gjykoj se policia e shtetit nga ajo ngjarje ka dalë e lavdëruar nga ndërkombëtarët, por ministri (Basha) nuk ishte as komandant garde dhe as drejtor i policisë. Nuk mund të them se ka pasur rol konkret në zhvillimet e asaj dite”, deklaroi Berisha.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?
E gjitha u nis pas skandalit me videon Meta-Prifti, ku flitej për koncesion dhe kjo shtyri që të organizohej një protestë kundër këtij korrupsioni siç e quante atëherë Partia Socialiste. Ishte ora 14:00, kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus më tej. Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit. Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hynë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia mbronte ambientin e brendshëm. Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh. Kryeministri i atëhershëm, Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti nëpërmjet Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe ka mbytur në gjak një demonstrim paqësor, që është e drejtë kushtetuese e qytetarit. Partia Socialiste akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Por, Berisha nuk u ndal vetëm me akuzat për PS-në, ai sulmoi ashpër Prokurorinë, SHISH-in dhe Presidentin e Republikës, të cilët, sipas tij, donin ta rrëzonin me dhunë. Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:48
21 Janari, Balla vizitë në familjen e dëshmorit: Faiku Myrtaj s’i njohu dot nipin dhe mbesat e tij, sepse u vra pasi protestoi kundër Berishës

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, njëkohësisht dhe Kryetar i Grupit Parlamentar Taulant Balla në përkujtim të 21 janarit ka vizituar sot familjen e dëshmorit Faik Myrtaj.

Balla ka theksuar se sot pas 12 vitesh urdhëruesi i vrasjeve vazhdon të rrahë gjoksin si dhe nënvizoi se SPAK duhet të hetojë urdhëruesit dhe ekzekutorët në krimin shtetëror të 21 Janarit 2011.

“Në Fier, në familjen e dëshmorit Faik Myrtaj në përkujtim të shokëve tanë të 21 Janarit. Faiku një burrë i mirë e i paqtë nuk i njohu dot nipin dhe mbesat e tij, sepse ra dëshmor duke protestuar kundër regjimit të Sali Berishës 12 vite më parë. Ajo që të irriton më shumë sot pas 12 vitesh është ironia ndaj drejtësisë, ndërsa urdhëruesi i vrasjeve vazhdon të rrahë gjoksin. Dosja penale për tre nga katër vrasjet dhe vendimet e gjykatave janë një nga turpet e mëdha në atë që quhej drejtësi në këtë vend. Edhe pse u vërtetua bereta e komandantit të gardës PZ52778, vrasja e Faik Myrtajt u cilësua nga gjykatat pa autor.

E vetmja dosje e pagjykuar është dosja e dëshmorit tjetër Aleks Nika, e cila sorollatet në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës, edhe pse duhet t’i kishte kaluar SPAK prej shumë kohësh tashmë. Prej disa muajsh kërkesa e familjarëve, avokatit dhe apeli im publik i përsëritur pret përgjigje. SPAK të hetojë urdhëruesit dhe ekzekutorët në krimin shtetëror të 21 Janarit 2011”, shprehet Balla.

 

B.V/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Berti: 20/01/2023 22:00

    Iku nga jeta duke protestuar kunder Saliut po ta dinte se do vinte ne pushtet Balla hajduti me hajdutet e tjere as nuk do e kishte marre rrugen nga Gjirokastra i ndjeri. Iku nje grup hajdutesh dhe erdhi nje organizate hajdute.mjere shqiperia ne dore ne ballave qe ka ren.

    Përgjigju
  • Arbërori: 20/01/2023 20:45

    Taulant Daçiçi shqipfolës, kujdes vrasësi

    Përgjigju
  • vlora1: 20/01/2023 17:07

    Thjesht dhe shkurt kur nuk vepron drejtesia hyn ne loje vetegjyqesia

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën