Nesër Kurban Bajrami, kreu i KMSH-së: Falja në xhami, kujdes me festimet për të shmangur infektimet me COVID

TIRANE-Nesër besimtarët myslimanë do të festojnë Kurban Bajramin. Kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu në mesazhin e shpërndarë për mediat shprehet se duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në Shqipëri është vendosur që namazi i Kurban Bajramit këtë vit do të falet nëpër xhamia sipas masave dhe protokollit të publikuar më parë. Pra Kurban Bajrami nuk do të falet në sheshin 'Skënderbej' për shkak të situatës së COVID-it. Falja e Namazit do të kryet në orën 06:30, ndërsa në 06:35 hytbeja e Kurban Bajramit. Ndryshe nga vitet e tjera për arsye të situatës së krijuar nga pandemia besimtarët myslimanë nga mbarë bota nuk mundën ta kryejnë haxhin e këtij viti. Spahiu u kërkon besimtarëve që gjatë këtyre ditëve të jenë të kujdesshëm në festime duke marrë të gjitha masat e duhura për të shmangur infektimet e mundshme nga Covid-19

"Falënderimet i takojnë Krijuesit të gjithësisë, Zotit të Botërave, Allahut (xh.sh). Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin Muhamed  (a.s), mbi familjen e tij të dashur, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në ditën e fundit. Në këto çaste të gëzuara të festës së Kurban Bajramit ku atmosfera shpirtërore ndihet anembanë më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të institucionit t’ju përcjell urimet më të përzemërta, paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë Bajrami në familjet, miqtë dhe të afërmit tuaj. Festa e Kurban Bajramit është e lidhur ngushtë me kushtin e pestë të Islamit, Haxhin. Por ndryshe nga vitet e tjera për arsye të situatës së krijuar nga pandemia besimtarët myslimanë nga mbarë bota nuk mundën ta kryejnë haxhin e këtij viti.  Mungesa e tablosë së bukur të haxhit ku miliona haxhinjë nga vende të ndryshme të botës, të veshur me të bardha, pa dallim kombësie, shtrese shoqërore, të bashkuar vetëm për t’ju lutur Allahut të lartësuar për paqe dhe dashuri mes njerëzve, për të kërkuar falje për mëkatet, për t’u bërë prej njerëzve të sinqertë dhe të devotshëm do të na mungojë këtë vit. Por mbi të gjitha detyra jonë është të nxjerrim urtësi nga çdo ngjarje, dhe në këto ditë feste le të shpalosim të gjitha vlerat njerëzore, edukative dhe shpirtërore të Haxhit. Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit. Në Kuranin famëlartë Allahu na mëson që tek Ai nuk arrin as mishi as gjaku i kurbanit por përkushtimi ynë që kemi për të. Pra Kurbani është një mjet qëna afron më shumë me Zotin, dhe duke ndarë mishin e kurbanit me njerëzit në nevojë ne jemi më afër pëlqimit të Tij.

Le të shërbejë kjo festë për të ripërtërirë ndjenjat e bukura të dashurisë, respektit, vëllazërisë, faljes dhe përkujdesjes. Kurban Bajrami është dita kur ne me buzëqeshje, gëzim e paqe, shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit. T’i shohim të gjithë njerëzit me syrin e dashurisë, ashtu siç na sheh ne Zoti dhe le të bëhemi pjesë e gëzimit të tyre duke ndarë së bashku mirësitë e Kurban Bajramit. Të kujdesemi që atmosferën e këtyre ditëve ta ndjejnë të gjithë. Të qëndrojmë pranë të moshuarve, të lumturojmë familjen, fëmijët tanë dhe të gjendemi pranë njerëzve në nevojë. Gjatë këtyre ditëve të jemi të kujdesshëm në festimet tona, duke marrë të gjitha masat e duhura për të shmangur infektimet e mundshme nga Covid-19. Shëndeti dhe jeta kanë një rëndësi të veçantë në fenë tonë. Kështu që e kemi për detyrë të kujdesemi për veten, familjen, dhe  për të gjithë njerëzit që na rrethojnë. Me lutjet drejtuar Allahut dhe me kujdesin tonë edhe kjo pandemi do të largohet nga mesi ynë. Kjo ditë e bekuar është ditë e harmonisë, bashkëpunimit, e mirësisë dhe e vëllazërimit, ditë e mirënjohjes dhe e falënderimit ndaj mirësive të panumërta, të cilat Allahu i Madhërishëm ia ka dhuruar njerëzimit. I lutem Zotit të Madhëruar që kjo festë të sjellë në shtëpitë e shqiptarëve, më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit" mbyllet mesazhi i kreut të KMSH-së.

Informacion i pergjithshem nga KMSH

Sipas fesë islame, rituali dhe festa e Kurban Bajramit fillon me faljen e tij herët në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi dhe shpërndarjen e mishit për njerëzit në nevojë, duke mbaruar me vizitat në të afërm, fqinj, shokë e miq.

Urtësia e therjes së Kurbanit

Adhurimet bëhen sepse janë urdhër i Zotit, por pas çdo adhurimi qëndron një urtësi.

Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrificës dhe bindjes së njeriut në rrugën për fitimin e kënaqësisë së Zotit. Kjo bindje dhe sakrificë është simbolizuar me profetin Ibrahim dhe djalin e tij Ismail duke arritur majat.

Është fakt i pamohueshëm se Allahu nuk ka nevojë për asgjë dhe për askënd, por ne kemi nevojë për mëshirën e tij. Në Kuranin Famëlartë thuhet se: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i kurbaneve. Ajo që arrin tek Zoti, është bindja dhe devotshmëria juaj ndaj Tij” (Haxh 37).

Kurbani rrit shpirtin bindës ndaj Allahut dhe kryen rolin e afrimit të njeriut me Krijuesin. Në këtë mënyrë njeriu shfaq adhurimin e tij të vërtetë dhe mundohet të kryejë detyrën e falënderimit.

Të mirat sociale të Kurbanit

Kubani mbjell në shoqëri shpirtin vëllazëror, bashkëpunimin, ndihmesën dhe shpirtin e sakrificës, ndihmon në zhvillimin e barazisë në shoqëri dhe ndikon në kalimin e hendekut midis shtresave të ndryshme shoqërore, duke i nxitur ata drejt bashkëpunimit.

Therja e kurbanit dhe ndihma për nevojtarët duke i gëzuar ata, i shërben zgjerimit të drejtësisë shoqërore dhe fuqizimit të dashurisë midis njerëzve.

Gjithashtu nga ana tjetër kurbani e mëson njeriun e pasur të japë nga pasuria e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit.

Bajrami i kurbanit është ditë paqeje. Kur njeriu është në paqe me Allahun, ai është në paqe me veten e tij, rrjedhimisht është me të gjithë ata që e rrethojnë.

Kafshët që bëhen Kurban

Kafsha hallall për kurban mund të jetë dele, dhi, lopë, buall, deve dhe nga kafshët e tjera të ngjashme. Kjo është e pranuar unanimisht nga të gjithë dijetarët islamë. Pra dykëmbëshët si pula, rosa, pata, gjeli i detit etj. nuk pranohen si kafshë për kurban. Kafshët e lartëpërmendura si të përshtatshme mund të theren si kurban nga të dyja gjinitë. Por përsa i përket familjes së deleve është më e pëlqyeshme të theret dashi.

Për kafshët si delet dhe dhitë, ato duhet të kenë mbushur një vit që të mund të theren si kurban. Vetëm nëse një dele 6 muajshe është e shëndetshme dhe tregon për një vit, atëherë edhe ajo mund të pritet si kurban. Ndërsa dhia, duhet patjetër të mbushë vitin. Kafshët si lopa dhe bualli, duhet të jenë mbi dy vjeç, ndërsa deveja, duhet të jetë mbi pesë vjeç.

Delja dhe dhia mund të theren si kurban vetëm në emër të një personi, ndërsa kafshët si lopa, kau dhe bualli mund të theren si në emër të një personi, ashtu edhe në emër të shtatë personave që bien në ujdi me njëri-tjetrin. Pasi theret kurbani, mishi ndahet ndërmjet këtyre shtatë personave në mënyrë të barabartë.

Kafsha që theret si kurban me qëllim adhurimi, duhet të jetë e shëndetshme, e majmë dhe me organe të rregullta. Kjo shërben si për qëllimin dhe mënyrën e adhurimit, ashtu edhe për rregullat e shëndetit. Për këtë arsye kafsha nuk duhet të ketë ndonjë mangësi që ta pengojë plotësimin e kushteve të kurbanit, si për shembull të jetë e sëmurë keq, e verbër, sakate, me brirë të shkulur ose të thyer, me bisht apo vesh të prerë dhe me pjesën e madhe të dhëmbëve të rënë.

Të gjitha adhurimet kryhen në kohën dhe sipas kushteve të caktuara nga Allahu. Kështu që kurbani mund të theret nga mbarimi i namazit të bajramit të kurbanit deri në perëndimin e ditës së tretë. Përgjithësisht dhe më e preferueshme është që kurbani të theret në ditën e parë. Por ata që s’gjejnë rast për ta therur ditën e parë, mund ta therin edhe ditën e dytë a ditën e tretë.

Mënyra e therjes së kurbanit

Kafsha merret dhe pa e munduar shtrihet në drejtim të kibles nga ana e majtë. Kurbanin mund ta therë i zoti ose mund t’ia lerë ndonjë tjetri.

Ai që e ther nuk lejohet ta torturojë kafshën dhe thika që do të përdorë duhet të jetë e mprehtë. Profeti (a.s.) në lidhje me këtë aspekt ka thënë: “Kur të therni një kafshë, thereni me butësi, ai që ther prej jush, le ta mprehë mirë thikën dhe mos ta mundojë kafshën”.

Thika mbahet me dorën e djathtë dhe në momentin e therjes thuhet “Bismilahi Allahu Ekber”, duke e prerë kafshën në të dyja anët e damarëve të qafës.

Nga sahabët Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) ditën e kurbanit theri dy desh me brirë dhe të majmë. Kur u mat me i therë tha kështu: “Unë fytyrën time e drejtova nga Ai, i cili ka krijuar qiejt e tokën dhe unë nuk jam prej idhujtarëve(En’am, 79). “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botërave. Ai nuk ka asnjë shok dhe unë jam prej myslimanëve.” (En’am, 162-163). “O Zoti im, ky kurban është prej Teje dhe për Ty. Në emër të Muhamedit dhe ymetit të tij, Bismilahi Allahu Ekber” (Et-Taxh, III, 207).

Një kusht tjetër është që kafshës duhet t’i rrjedhë i tërë gjaku pasi të jetë therur. Për të mos e munduar shumë kafshën nuk fillohet rrjepja e lëkurës derisa ajo të mos lëvizë më.

Ndarja e mishit të kurbanit

Është sunet për personin që të hajë vetë nga mishi i kurbanit dhe t’i japë të afërmve të tij dhe fukarenjve. Profeti Muhamed (s.a.s.) porosit:

“Nga kurbanet, hani, shpërndani dhe ruani” (Buhari, Edebu’l-Mufred, I, 198).

Dijetarët islam kanë këshilluar që është mirë që mishi të ndahet në tre pjesë, ku një pjesë të veçohet për pjesëtarët e familjes, një pjesë t’u shpërndahet të varfërve dhe një pjesë t’u jipet fqinjëve ose të afërmve.

Duhet theksuar se mishi dhe lëkura e kurbanit nuk lejohen të shiten. Lëkura mund t’i jepet një institucioni bamirës, mund të përdoret si sexhade në shtëpi ose të shitet vetëm nëse paratë e saj do të jepen si sadaka.

Gjithashtu në këtë ditë feste nuk lejohet agjërimi i çdo lloji qoftë. Në lidhje me këtë Profeti (a.s.), dërgoi një person të lajmërojë: “Mos agjëroni në këto ditë (ditët e teshrikut), pasi janë ditë, në të cilat hahet, pihet dhe gëzohet me familjen” (Taberani).

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar