Refuzimit të kryeministrit Edi Rama për t’iu përgjigjur kërkesave të Partisë Demokratike në interpelanca, duke ia deleguar anëtarëve të Këshillit të Ministrave, opozita do t’i përgjigjet po me refuzim. Sali Berisha thotë se demokratët nuk do të pranojmë më interpelanca të deleguara dhe do të insistojnë që Rama të shkojë në seancë.

“Në qoftë se neni 80 i Kushtetutës përcakton se kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të paraqiten në interpelancë kur kërkohet nga deputetët, asnjë deputet nuk do të pranojë delegimin e interpelancës nga kryeministri. Kushtetuta nuk e njeh një gjë të tillë. Nuk vjen, ne marrim vendimet tona. Ne nuk pranojmë delegimin që nuk e njeh Kushtetuta të detyrimit të tij për t’u paraqitur.

Se nuk paraqitet dot ai, e kuptoni apo jo. Ai është shkatërruar nga nervat dhe çdo gjë. Ai është i sfazuar tani dhe nuk paraqitet për asgjë. Prandaj dhe ikën, prandaj dhe nuk duket në parlament. Por ai duhet të paraqitet. Kështu që do vazhdojnë kërkesat për interpelanca dhe detyrimi i tij është kushtetues për t’u paraqitur në interpelanca. Janë bërë kaq të shumta dosjet e tij, aferat e tij personale dhe familjare, saqë populli kërkon transparencë. Nuk mund të vazhdohet duke ikur, duke shkelur Kushtetutën siç bën ai”, tha Berisha.

Thirrja drejt kryeministrit, vjen vetëm një ditë para seancës ku mes 10 interpelancash janë të paktën 2 ku opozita e ka thirrur për të dhënë llogari.

Por, pavarësisht interpelancave, PD i ka ulur gjakrat me socialistët për një sërë çështjesh të tjera. Rregullorja e re, që do të miratohet nesër në Kuvend ka përfshirë edhe disa amendamente të saj.

“Grupi i punës, ka bërë një punë serioze bashkë me të tjerët, të cilët përsëri janë përpjekur në mënyra të ndryshme të ngushtojnë hapësirën e opozitës, por në mënyrë absolute nuk e pranojmë. Sikundër nuk mund të pranohet asnjë lloj modifikimi, propozimi që bie ndesh me përcaktimin e Kushtetutës”, tha Berisha.

Punë e mirë pranon se palët në Kuvend po bëjnë edhe me Reformën Territoriale.

“Ne jemi të vendosur të paraqesim, në përputhje me interesat e tyre, hartën më të mirë, ndarjen territoriale më në interes të qytetarëve”, vijoi ai.

Teksa Berisha vlerësonte punën e Komisionit të Territoriales, në Kuvend vijonin dëgjesat me kryebashkiakët, të cilët më shumë sesa ndryshim të kufijve, kërkojnë zgjerim të kompetencave të pushtetit vendor.