Opozita nuk e mori dot dritën jeshile në komisionet parlamentare mbi disa nisma të saj për uljen e çmimit të naftës.

“Refuzimi i këtyre nismave është një zgjedhje e pastër politike. Është vendimi i një qeverie që nuk ka asnjë vullnet për të ndërhyrë në mbrojtje të qytetarëve. Përkundrazi, Edi Rama ka zgjedhur të mos marrë asnjë masë konkrete për të përballuar krizën e çmimeve, duke i lënë familjet shqiptare dhe ekonominë vendase në mëshirë të fatit dhe zhvillimeve të konfliktit ne Lindjen e Mesme”, tha Bozdo.

Por, deputeti demokrat Enno Bozdo u kërkon kolegëve socialistë të ngrihen mbi interesin partiak e të votojnë të enjten në seancë plenare projekt-ligjet e propozuara nga PD, përmes së cilëve kërkojnë reduktimin e taksës së qarkullimit uljen e akcizës mbi naftën si dhe zerimin e akcizës së gazit për industrinë prodhuese “Made in Albania”.

“Këto nuk janë propozime partiake. Nuk janë propagandë dhe as ide të parealizueshme. Janë masa konkrete, të provuara në vende të tjera, që japin rezultate të menjëhershme dhe të prekshme për familjet, fermerët dhe prodhuesit shqiptarë”, vijoi Bozdo.

Të enjten në seancë plenare do të kalojë edhe akti normativ i qeverisë për uljen e akcizës me 20% kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër.

Në rend të ditës janë parashikuar edhe një sërë interpelancash, mes të cilave edhe ajo me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjetikës mbi rezervën energjetike si dhe kompaninë shtetërore që kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të hyjë në tregun e hidrokarbureve.