Të shtunën në orën 10.00, Partia Demokratike mbledh Kuvendin Kombëtar. Në nisje, pritet që delegatët të votojnë për Komisionin e drejtimit të punimeve të Kuvendit dhe Sekretariatin Teknik.

Komisioni i drejtimit të punimeve të Kuvendit do të përbëhet nga Ivi Kaso, kryetar; Floriana Garo; Bardh Spahia; Eliona Shkreli; Nada Meçorpaja.  Pas votimit të tyre me ngritje dore, atëherë Kuvendi Kombëtar mund të nisë zyrtarisht punimet, në të cilin siç tradita e do, ka edhe një fjalë të kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Report Tv mëson se në Kuvend do të ketë edhe të ftuar ndërkombëtarë të cilët do të mbajnë edhe fjalë, si dhe do të ketë disa video-mesazhe.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, do të paraqesë para Kuvendit 8 ndryshimet statutore, të cilat më tej do të hidhen në votim. Partia thuajse zhbën të ashtëquajturat primare, pra zgjedhjen e kandidatëve për deputet apo kryetarë bashkie nga anëtarësia. Në statutin e ri, ngrihet një komision në parti që seleksionojë propozimet që vijnë, para se të shprehet anëtarësia me votë. Duke pranuar problemet e hershme të listës së anëtarësisë, PD imponon në statut dixhitalizimin e listave dhe përditësimin e tyre çdo dy vjet.

Po ashtu, në Kuvendin e PD-së do të votohet edhe 200 emrat e rinj të Këshillit Kombëtar, një proces votimi që do të kryhet në hollin e Pallatit të Kongreseve, gjatë çeljes së fazës së fjalimeve. Më pas, Këshilli Kombëtar ka detyrën të votojë propozimet e Sali Berishës për ekipin e ri drejtues.

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar vjen një javë pas zgjedhjeve pa garë, ku Sali Berisha, i cili ishte emri i vetëm në fletën e votimit, u rikonfirmua kryetar për një tjetër mandat me 37 mijë e 341 vota.