TIRANË- 17 tetorit, duhet të ishte dita e parë kur studentët do të ulen në bankat e universitetit, por dita e nesërme do të jetë bojkot i pedagogëve. Bojkoti do të jetë jo vetëm në Tiranë, por do të shtrihet edhe në rrethe. Në një intervistë për Report Tv, me gazetarin Nertil Agalliu, kryetari i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi tha se janë vënë në dijeni në rrugë shkresore dhe publike, institucionet përkatëse për protestën.

“Nesër do jetë një ditë greve si ditë e parë, do të lejojmë vitin e parë të ambientohet me hapësira në orën e parë. Bojkot edhe në çdo Shqipërisë. Rektorët janë vënë në dijeni mbi lëvizjen tonë dhe dekanët janë informuar për këtë lëvizje dhe rektorët nuk janë kundër edhe pse në disa segmente ka pasur një qëndrim të dyzuar, por duhet ta dinë se pa mbështetjen e rektoratit nuk mund të drejtojnë një institucion. Është një protestë e paralajmëruar janë njoftuar institucionet në mënyrë shkresore dhe publike, kemi të drejtën për të kërkuar të drejtën”, tha Kovaçi.

Ai tha se është në pritje të dialogut më perfaqësues të qevërisë për plotësimin e kushteve të tyre.

“Jemi në pritje të dialogut, duhet të jetë negociatore me qeverinë që të realizohen pikat tona, për problemet tona financiare. Qeveria e ka rritur pagën 7%. Duhet të shtohen fondet, të ardhurat që vijnë nga studentët, t’u kthehen në shërbime”, shtoi ai.

Një mesazh e ka pasur edhe për studentët, ku thotë se duhet t’i mirëkuptojnë pedagogët në këtë bojkot, pasi thekson se është edhe në të mirë të tyre.

“Do i presim do i respektojmë, do i tregojmë pse po protestomë dhe ata do na mirëkuptojë që të bashkësakrifikojmë që universitetet të trajtohen në mënyrë dinjitoze. Nuk jemi në Kushtet kur do jemi në situatë të tillë, të gjithë do jemi në oborr për të kërkuar të drejta tonë”, përfundoi Kovaçi në Report Tv.

Pegagogët kanë bërë një listë me 9 kërkesa për të cilën thonë se afati për të negociuar tashmë ka kaluar. Një nga pikat që këmbëngulin më tepër është rritja e pagës me 30% këtë vit dhe 20% vitin tjetër.

  • Kërkesat e pedagogëve
  • -Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
  • -Rritja e financimit për kërkimin shkencor
  • -Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’ 
  • -Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë 
  • -Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare 
  • -Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit.
  • -Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
  • -Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
  • -Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.