Nesër referendum për shkarkimin e Bashës, Berisha ngre Komision për drejtimin e procesit! Përcaktohen qendrat e votimit në Tiranë e qarqe të tjera! Gjirokastra ende pa bazë materiale

Ditën e nesërme, në të gjitha degët e PD-së në rrethe Sali Berisha dhe grupi që ai drejton do zhvillojë atë që e quan referendumi për shkarkimin e kryetarit Lulzim Basha, ndërsa kanë nisur edhe përgatitjet. Ky referendum zhvillohet për të ratifikuar vendimin që mori Kuvendi i thirrur nga Berisha më 11 dhjetor. 

Komisioni i Rithemelimit ka ngritur edhe Komisionin e Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, që do të merret me drejtimin e procesit, ku kryetare do të jetë Albana Vokshi.

Në Durrës janë 2700 anëtarët e kësaj partie janë ftuar në Pallatin e Kulturës të shprehin me votë vullnetin e tyre. Procesi i votimit do të zhvillohet nga ora 08.00-17.00, ku në njësitë administrative të Sukthit, Manzës dhe Ishmit, krahas qendrës së votimit të Pallati i Kulturës, një qendër tjetër do të jetë në një subjekt privat pranë bashkisë Sukth.

Dega Krujë, e cila ka rreth 700 anëtarë, do të votojnë në dy qendra votimi, një në Thumanë dhe një në Krujë , ndërsa sipas drejtuesve të kësaj partie, pritet që në votim të marrin pjese rreth 50 % e anëtarëve. Në Kruje e Thumanë votohet në lokale, ambiente të marra me qira. Materialet kanë shkuar në të dyja degët e PD.

Në Fushë-Krujë, votimi pritet të zhvillohet në një pikë të vetme, te qendra shëndetësore, ku është dhe zyra e partisë.

Drejtuesi i Degës së PD në Fushë-Krujë, Agron Loka thotë se nuk e njeh Kuvendin e PD që do të mbahet nesër,, teksa shton se çdo gjë është gati për referendumin.

"Kam marrë një njoftim në rrugë elektronike, një njoftim nul. Sepse ata nuk janë drejtuesit e partisë demokratike, ata janë deputet, ndaj dhe nuk e njoh vendimin. Unë jam drejtuesi i degës së PD në Fushë-Krujës, unë jam zgjedhur me vote. Në total kemi rreth 870 anëtarë, duke u bazuar në zgjedhjet e fundit , pjesëmarrja pritet të jetë mbi 50%, pritet një fluks i madh i demokratëve në referendum. Materialet zgjedhore kanë ardhur, çdo gjë është gati. Votimi do të hapet në 8 këtu në selinë e Fushë- Krujës. Numërimi po ashtu do të behet këtu.  Nuk do të ketë tensione mes demokratëve", thotë ai.

Në bashkinë e Korçës ka një qendër votimi, që do të jetë te ish-kinema Millemium. Edhe në Pogradec do të jetë po një qendër votimi, te kinemaja e qytetit. Në Korçë janë 3500 anëtarë, në Pustec 3600. ndërsa në Pogradec janë 900 anëtarë. Deputeti Ervin Salianji injoron referendumin, duke thënë se pas 18 dhjetorit do zbatohen vetëm vendimet e Kuvendit të PD në Tiranë.

Në Gjirokastër janë gjithsej 1100 anëtarë të PD me të drejtë vote, ndërsa janë ngritur 4 qendra votimi pë të votuar për shkarkimin e Bashës. Në Gjirokastër qendra e votimit do të jetë në Pallatin e Sportit, në Lazarat do të jetë në një lokal në qendër të fshatit, në Libohovë në një lokal në qendër të qytetit dhe në Urën e Kardhiqit do të votohet te ish-zyra elektorale e PD. Ndërkohë ende nuk ka mbërritur baza materiale për referendumin.

Ndërsa baza materiale ka shkuar në Elbasan, ku është thënë se votimi do të kryhet brenda ambienteve të degës së PD në këtë qytet, dhe dyert e kësaj dege janë hapur sonte, pasi një ditë më parë u ndërruan bravat.

Në Vlorë janë rreth 1400 anëtarë të PD-së, ku qendra e votimit do të jetë pranë selisë së PD në qytetin bregdetar. Ndërkohë nga një qendër votimi do të ketë edhe në Selenice e në Himarë. Sa i përket pjesëmarrjes, kryetari i PD Selenicë, Shezai Balilaj u shpreh se do të marrë pjesë nesër në Kuvendin zyrtar të PD në Tiranë.

"Ne njohim kuvendin zyrtar, PD nuk është pronë e askujt, është e demokratëve", u shpreh ai.

Në Shkodër janë 9 qendra votimi në ambiente private të marra me qira (Stadiumi, sheshi Isa Boletini, Velipoje, Dajç, Bërdicë, Postribë, ana e malit, rrethina etj.) Janë 600 mijë anëtarë dhe numërim do të bëhet në qendrat ku edhe do të votohet

Në degën e Partisë Demokratike të Lezhës janë rreth 2500 anëtarë votimi do të bëhet në ambientet e pallatit të kulturës ‘Dedë Ndue Lazi’. Në Kurbin janë 1200 anëtare dhe votimi do të bëhet në zyrën e Partisë Demokratike. Në Mirditë janë 800 anëtarë dhe votimit do bëhet në një ambient privat përballë katedrales

Në Vlorë janë rreth 1400 anëtarë të PD-së, ku qendra e votimit do të jetë pranë selisë së PD në qytetin bregdetar. Ndërkohë nga një qendër votimi do të ketë edhe në Selenice e në Himarë.

Në Tiranë anëtarët e Partisë Demokratike do të votojnë disa nëpër zyrat e degëve dhe disa nëpër lokale. Kështu në degën nr. 1 në Tiranë do të votojnë në zyrën e degës. Në degën nr.2 në Tiranë do të votohet në lokalin 'Bar Amerika pranë Ambasadës Amerikane.

degën nr. 3 në Tiranë do të votohet në zyrën e degës, në Xhamllik. Në degën nr.4 do të votohet në lokalin Pëllumbat e Paqes. Në degën nr.5 anëtarët e PD-së do të votojnë pranë zyrave Aleat Komp KIKA2. Në degën e PD-së, nr. 6 do të votohet pranë lokalit 'Kombi Art' rruga Lambi Bonata kryqëzimi i rrugës Qelqit.

degën nr. 7 do të votohet në zyrën e degës. Në degën nr.8 do të votohet 100m mbi gjimnazin Partizani. Në degën nr.9 do të votohet në zyrën e degës tek Treni. Në degën nr.10 do të votohet në zyrën e dëgës. Në degën nr.11 në Tiranë do të votohet në një ambient afër AMC.

degën nr.12 do të votohet pranë lokalit Elze Bathirja, në Farkë e Vogël. Në degën nr.13 do të votohet në Yrshek, përballë Uzllovës. Në degën nr.14 do të votohet në rrugën nacionale në Dajt.

degën nr.15 do të votohet në lokalin 'Besnik Kodra' Pez Helms. Në degën nr.16 në Tiraën do të votohet në zyrën e PD-së. Në Vorë do të votohet në zyrën e PD-së. Në Kamëz do të votohet në dy qendra votimi, në zyrën e degës në bulevardin Blu në Kamëz dhe në zyrën e degës në bulevardin Blu në Bathore. Në Paskuqan do të votohet në zyrën e degës.

 

 

VIDEO-Situata në Krujë e Durrës së degëve të PD

 

VIDEO-Situata në Elbasan dhe Shkodër

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:34
Referendumi për shkarkimin e Bashës, Ristani nga Korça: Njerëzit në komision i njohin demokratët, ejani votoni edhe nëse ju kanë marrë kartat e anëtarësisë

Ish-sekretari i përgjithshëm i PD-së Arben Ristani nga Korça ku do të jetë nesër i deleguari i komisionit të Rithemelimit për të ndjekur atë që grupi i Sali Berishës e quan referendum për shkarkimin e Lulzim Bashës, u bëri thirrje anëtarëve që të shkojnë dhe të votojnë. Ristani tha se është problem që një pjesë të anëtarëve i janë marrë kartat, por ato mund të shkojnë pasi komisionerët i njohin demokratët.

Pyetje:-Si paraqitet situata në Korçë, por edhe në degët e tjera të PD pak orë para zhvillimit të referendumit?

Ristani: Kuvendi i partisë demokratike i datës 11 futi mbas shumë kohës në statutin e PD dhe të drejtën e anëtarësisë për tu shprehur referendum e cila është një risi shumë e madhe për demokratizimin e PD. Mbi bazën e vendimit po të kuvendit të datës 11 i cili shkarkoi kryetarin e partisë demokratike u vendos që ky shkarkim të ratifikohet në referendumin e datës 18 pra nëse dhe jemi sot në Korçë, kemi bërë gati bazën materiale dhe çdo gjë do jetë gati në 08.00 të mëngjesit për të gjithë demokratët e Korçës të cilët ftohen të vijnë për të votuar ,ratifikuar vendimin e kuvendit të PD për shkarkimin e kryetar Basha.

Pyetje:-Thuhet se në pjesën më të madhe të degëve të PD përveç Kolonjës referendumi nuk do mbahet në selitë e PD por në ambiente të tjera private?

Ristani: Përveç disa pengesa nga Lul Brava siç ka marrë emrin tashmë disa njerëz të tij kanë ndërruar bravat edhe në selitë e PD, por gjithsesi nuk është kjo arsyeja kryesore, arsyeja është që ne duhet të krijojmë komoditet për atë ditë, për njerëzit që vijnë për të votuar si në Korçë që është zgjedhur salla e kinemasë edhe në qytete të tjera janë zgjedhur pallatet e kulturës apo ambiente të përshtatshme në mënyrë që votimi të bëhet sa më komod.

Pyetje:-Anëtarë të PD të Korçës kanë bërë publike në rrjetet socialë që një pjesë e mirë e anëtarëve të PD u është marrë karta e anëtarësisë  prej muajit qershor dhe nuk është kthyer?

Ristani: Edhe kjo është problem, se vërtetë një pjese prej tyre u janë marrë kartat e anëtarësisë gjithsesi ne kemi listat dhe nga ana tjetër meqë është ftuar anëtarësia për të votuar anëtarët e njohin njëri -tjetrin, ne i njohim demokratët, aq më tepër që strukturat janë të gjitha të përfshira, në komision do jenë po njerëz të strukturave që i njohin demokratët, prandaj do i ftoja të gjithë pavarësisht se mund tu jetë marra karta e anëtarësisë nesër janë të lutur të votojnë.

Pyetje:-Prisni një proces të qetë?

Ristani: Një proces absolut i qetë me një pjesëmarrje të madhe.

 

Ora 18:53
Nesër referendumi për shkarkimin e Bashës, dega e PD në Elbasan hap dyert, mbërrin baza materiale

 

Teksa pritet që ditën e nesërme në të gjitha degët e PD, Berisha dhe grupi i tij të zhvillojnë referendumin për shkarkimin e Bashës, edhe në degën e Elbasanit duket se është gjithçka gati. Dera e Partisë Demokratike është hapur, baza materiale për referendumin ka mbërritur ndërsa nesër pritet një proces normal për të votuar shkarkimin e kryedemokratit. Votimi është thënë se do të kryhet brenda ambienteve të degës së PD në këtë qytet dhe tashmë dyert janë të hapura pasi një ditë më parë u ndërruan bravat.

Ora 18:33
Pak orë para referendumit, Berisha thirrje komisionerëve: Të bëjmë përpjekjet maksimale që të sigurojmë pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve

Kur na ndajnë pak orë nga referendumi i thirrur nga Sali Berisha për shkarkimin e Lulzim Bashës, ish-kreu i PD-së, u ka bërë thirrje komisionerëve që të bëjnë të pamundurën të sigurojnë pjesëmarrjen maksimale të të gjithë anëtarëve.

 “Drejtuar komisionerëve të Referendumit të Shpresës. Një përshëndetje të përzemërt të gjithë ju komisionereve dhe komisionerëve te qendrave te votimit. Këto orë që na ndajnë nga hapja e qendrave të votimit le të bëjmë përpjekjet me maksimale që të sigurojmë pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike në votim.

Për ne, rëndësi përcaktuese dhe absolute në këtë festival të votës së lirë ka mbi të gjitha, transparenca e procesit dhe administrimi me korrektesë absolute i  çdo vote. Në këtë referendum jetike është vota e lirë e anëtarësisë të PD! Suksese”, shkruan Berisha.

Ora 16:30
Kreu i PD Sarandë ndërron bravën e largohet, paditet nga Komisioni për Rithemelimin

Komisioni për rithemelimin e PD ka kallëzuar penalisht, kreun e degës së Sarandës Vesel Koçiut, kryetarit të emëruar të Degës PD Sarandë. Komisioni për rithemelimin e PD thotë se Koçiu ka ndërruar bravën dhe është larguar. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ekspertë të Policisë kanë shkuar te zyra e PD për të konstatuar ndërrimin e bravës.

Ora 16:03
Në Kukës mbështetësit e Berishës përgatiten për referendumin! Koordinatori i degës:  Pjesa tjetër po sillet si në 'Koncert në vitin 1936'

 

Komisioni i zhvillimit të referendumit në PD-Kukës po bënë të gjitha përgatitjet për zhvillimin e ratifikimit të vendimit nr. 6 për shkarkimin e kryetarit të PD-së Lulëzim Basha. Ndërkohë kanë mbërritur materialet me siglën dhe vulën e miratuar në Kuvendin e 11 dhjetorit. Koordinatori i PD-ës në Kukës, Fasli Gërmizi tha se të gjitha përgatitjet po bëhen në kohë rekord pa asnjë problem.

“Nesër do të jetë dita e shënuar e demokratëve, të vendosin me referendum. Është e para që brenda llojit edhe në politikën shqiptare, shfrytëzohet një nen i statutit dhe ngrihet Kuvendi për herë të parë mbi kryetarin. Do të bëhet nesër kjo është ngjarja! Referendumi po, ratifikimi i vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit po, të tjerat janë pa vlerë. Kjo më ngjan me Koncertin e vitit 1936. Ne kemi hapur lojën për të gjithë demokratët kurse ata qajnë hallin e dy tre personave. Kjo do të prodhojë ministra dhe deputetë të popullit por jo të preferuar të kryetarit. Është një gjetje e shëmtuar për të shpëtuar por është e vështirë. Ngjarja ngelet ratifikimi i vendimit nr.6 të Kuvendit Kombëtar”, tha Fasli Gërmizi.

Nesër janë thirrur për të votuar 2400 anëtarë të PD-ës në Kukës në ambientet e sallës së Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina”.

Ora 12:44
S'njeh Statutin që votoi në Kuvendin e 11 dhjetorit, Shehu për Report Tv: Pasi ta shkarkojmë, Basha të rikandidojë për kryetar

“Do të ketë garë në PD, çdokush mund të kandidojë madje edhe Basha nëse do të jetë i barabartë mes të barabartëve” , kanë qenë këto fjalët e deputetit Tritan Shehu për Report Tv në prag të Referendumit, teksa po fliste për situatën në PD që sipas tij nuk është në krizë.

“Basha mund të kandidojë”, tha Shehu, por Statuti i ri i Partisë Demokratike të cilin vetë votoi në Kuvendin e 11 dhjetorit thotë të kundërtën.

Specifikisht në Nenin 46/8 thuhet se nëse partia nuk shpallet forcë fituese, mandati i kreut të saj përfundon autotikisht dhe *nuk mund të rikandidojë*!

Neni 46/8: Në rast se pas shpalljes së rezultatin të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.  

Ish-ministri i Jashtëm, theksoi faktin se brenda PD do të ketë garë dhe cdo njeri mund të kandidojë. Ai shtoi se brenda partisë kriza po merr një zhvillim pozitiv, duke shtuar se përplasja Basha-Berisha është një interpretim i gabuar, pasi kjo “lëvizje” e Berishës është një përpjekje për rigjallërimin e PD.

“Kriza ka qenë ë mbartur përpara dhe u thellua me 25 prillit, më pas u thellua edhe më shumë. Kriza po zbutet nga Foltoret, me lëvizjen pjesëmarrjen shkundja e PD. Është një krizë në zgjidhje, nuk po thellohet, po zgjidhet. Në muajt që vijnë do të marrë një formë të plotë me kongresin në mars. Është një krizë në zhvillim pozitiv. Nuk ka një përplasje Basha-Berisha, është interpretimi i gabuar  ka një përpjekje për të rigjallëruar PD, duke pranuar diversitetin.  Padyshim do të ketë garë në PD, çdokush është i hapur të marrë pjesë. Madje edhe Basha mund të kandidojë nëse është i barabartë mes të barabartëve.”, tha ai.

Duke folur për Report Tv nga Gjirokastra për Referendumin e PD i cili do të zhvillohet ditën e nesërme ai tha me bindje se pjesëmarrja do të jetë shumë e lartë.

“Jemi këtu për të parë organizmin e fundit, për të bërë përmirësimin e fundit për referendumin e nesërme si pasojë e vendimeve që ka marrë kuvendi i 11 dhjetorit. Shoh një ,mobilizim të plotë, një gjallërim të degëve ne nivel qarku. Njerëzit kanë dëshirë të marrin pjesë, për të vendosur ndryshimet në PD dhe për të shkarkuar ish0kryetarin e PD. Po përgatitemi për një luftë të fortë opozitare ndaj këtij regjimi dhe kjo ka filluar pas Kuvenidt të 11 dhjetorit të organizuar nga Sali Berisha. Nëse do të kemi një pjesëmarrje shumë të lartë. Referendumet do të jenë të shpeshta tani e tutje që çdo anëtarë të ketë mundësinë në vendimmarrje. Do të votohet aty ku është votuar edhe në proceset zgjedhore që ka pasur në qarkun e Gjirokastrës. DO të jetë pjesëmarrja më e madhe ndonjëherë nga anëtarësia e PD. Dua t’i bej një thirrje të PD, votoni nëse për një PD të forta dhe opozitën e re që ka Shqipëria. Çdo gjë po të kryhet në bazë n të Kuvendit të 11 dhjetorit, pasi vendimet e Kuvendit janë të imponueshme. Vendimet e Kuvendit janë të padiskutueshme”, shtoi ai.

Votimi për Referendumin në PD do të nisë nesër në orën 08:00-17:00.

Ora 12:14
Referendumi për shkarkimin e Bashës, Salianji: Tentativa për të mashtruar dhe për të gënjyer demokratët! Duan të krijojnë parti anti-amerikane

 

'Tentativë për të mashtruar demokratët dhe për të krijuar parti anti-amerikane', kështu e ke konsideruar Ervin Salianji referendumin që do të mbahet nesër në të gjitha degët e PD në rrethe, për shkarkimin e Lulzim Bashës. Sipas Salianjit, pas datës 18 dhjetor nuk do të ndodhë asgjë, përveç zbatimit të vendimmarrjeve që do të merren në Kuvendin e PD.

" Siç e shikoni jo vetëm që nuk ka kyçe në dyert e Partisë Demokratike, jo vetëm që nuk ka dryna, jo vetëm që nuk ka brava ka njerëz të cilët vijnë dhe punojnë, ora është 22:30 dhe ka njerëz që vijnë punojnë, kryetarë grup seksioni, delegatë të PD-së që kanë konfirmuar masivisht më shumë se 80% për degën e Korçës të cilët jo vetëm kanë konfirmuar pjesëmarrjen por po tërheqin kartat e delegatëve dhe po punohet si strukturë për  të qenë të pranishëm dhe për të marrë një vendim në kuvendin e vetëm të PD-së të datës 18. Jo që oja të komuikoja nëpërmjet jush në lidhje me një aktivitet tjetër të lajmëruar për në Korçë ashtu siç duket edhe nga mediat nëpër gjithë Shqipërinë është tentativa për të mashtruar dhe për të gënjyer demokratët për të krijuar një parti të re anti amerikane që nuk ka lidhje me partinë Demokratike. Cilido që ka punuar për PD-në çdo mik që kemi sakrifikuar bashkë edhe kemi qenë në beteja të përbashkëta për PD-në duhet që as të mos skedohet as të mos përdoret si firmë për të krijuar një parti të re e cila pa diskutim kërkon që ti krijojë probleme PD-së por që në thelb ka mbledhjen e sentimenti anti amerikan dhe pa diskutim interesin personal të Sali Berishës. Nuk ka dhe nuk do të ketë siç ndodhi edh pas mitingut të vogël sipas mendimit tim pas 30 vitesh Sali Berisha nuk mblodhi dot as sa votat që ka marrë një deputet në stadium. Shumë pak njerëz shumica prej tyre jo delegatë një pjesë tjetër që janë demokratë apo edhe delegatë njerëz me përgjegjësi siç i kemi parë padiskutim që do bëjmë çdo përpjekje për të qenë, nuk janë aty dhe jam i bindur që nuk janë në atë takim për të luftuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës por për shkak të zhgënjimit të cilin pas masakrës së 25 prillit gjithsecili prej demokratëve e ka pasur edhe në si drejtues së saj por kjo nuk duhet të bëhet e të japë asnjë kredit krijimit të një partie të re. Është e qartë retorika e politike e foltorisve u tha që në datën 11 do të ketë shkarkim do të ketë ngarkim nuk do të ndodhë asnjë gjë nga këto 12 kaloi data sot është 16 dhe nuk ka ndodh asnjë gjë e tillë dhe asnjë gjë nuk do të ndodhë mbas 18 përveç zbatimit të vendimmarrjeve që do të marrë shumica e delegatëve në kuvendin e vetëm dhe legjitim të PD-së në datën 18. Nuk do të doja dhe ky nuk është një lajm i mirë që dy prej kryetarëve të degëve të qarkut të Korçës, si i Devollit edhe i Kolonjës janë shkarkuar nga kryesia e partisë për shkak të mos zbatimit të udhëzimeve do të bëjmë çdo përpjekje që dhe persona që janë kryetarë grup seksionesh apo që janë në funksione në PD-ë të ulemi të dëgjojmë mosdakordësisë por jo të shkohet drejt po themi tentativave për krijime të partive të reja sepse këto nuk i shërbejnë PD-së dhe PD-ja do të ketë të gjithë predispozicionin për t'i dëgjuar dhe për ti përfshirë për të bashkëpunuar por jo për të toleruar dëmtimin e aksionit opozitar dhe dëmtimin e interesave të demokratëve në gjithë Shqipërinë. Dega e Korçës ka pasur rezultatin më të mirë historik rezultatin më të mirë dhe se sa në 2009 kur PD-ja ka pasur qeverinë qendrore, ka pasur shumicën e komunave edhe në atë që përbën sot bashkinë e Korçës, dega ka pasur rezultat më të dobët numri i votave në % të marra nga PD-ja e degës së Korçës ka qenë më i larti dhe rezultati më i mirë pa diskutim që problematika e cila ka ardhur post zgjedhjeve për shkak të imponimit të personave pa kontribute në këtë kur them për këtë e kam tek deputetët për të qënë i qartë të cilët krijuan probleme dhe besoj që do të zgjidhen duke diskutuar me njerëz që kanë dhënë kontribut dhe sakrificë për PD-në po themi këtu në qëndra dhe jo duke imponuat njerëz që as nuk u panë në fushatë, as pas fushate vetëm për hallin e luftës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për fat të keq. Nuk kemi asnjë problem, ato po themi grup seksione që kanë qenë në mos gaboj 6 sepse ato janë të rëndësishme janë zvëndësuar në mënyrë të menjëhershme të cilët po ashtu kanë qenë një nivel më poshtë kanë qenë sekretarë grup apo që kanë qenë në po të njëjtën grup seksioni kështu që PD-ja ka pafundësisht për fat të mirë burime njerëzore ashtu siç ka pafundësisht nevojë për të qenë të gjithë demokratët të bashkuar por është një proces i cili do të vijojë për të bërë të mundur mbledhjen e gjithë kontributeve", tha Salianji.

Ora 11:34
Referendumi i Berishës për shkarkimin e Bashës, ngrihet Komisioni për organizimin dhe drejtimin e procesit! Kryetare Albana Vokshi

Komisioni i Rithemelimit ka ngritur sot Komisionin e Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, që do të merret me drejtimin e procesit të referendumit që do të zhvillohet nesër për shkarkimin e Lulzim Bashës. Kryetare e këtij Komisioni do të jetë ALbana Vokshi, ndërsa anëtarë do të jenë Ervin Minarolli, Enno Bozdo, Edith Harxhi dhe Keltis Kruja. Këtij Komisioni i është ngarkuar detyra për të organizuar, mbikëqyrur dhe drejtuar referendumin ditën e nesërme, deri në shpalljen e rezultateve.   

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës