Nesër seanca për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, qeveria kërkon mbështetje nga deputetët

Nesër seanca për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, qeveria kërkon mbështetje nga deputetët

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut

Kuvendi i Maqedonisë do të mbajë ditën e nesërme (18 korrik) seancën plenare për ndryshimet kushtetuese. Para seancës, kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se shumica prej dy të tretave nuk i duhet Qeverisë, por përmes ndryshimeve kushtetuese do bëhen më shpejt pjesë e Bashkimit Europian.

Sipas tij, nuk ka pasur vërejtje thelbësore nga opinioni dhe opozita lidhur me tekstin e ndryshimeve kushtetuese, sepse, siç thotë ai, nuk cenohet identiteti maqedonas.

“Debati dhjetë ditor në Kuvend është mundësi e mirë që qytetarët edhe një herë të sigurohen se është proces, që është realizimi i qëllimit të dytë strategjik, pas anëtarësimit të vendit tonë në NATO, dhe sa më shpejt ta kryejnë këtë proces, aq më shpejt do të bëhemi anëtarë të BE-së”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Kovaçevski shtoi se këtë herë ekziston mundësia që vetoja për anëtarësim në Bashkimin Evropian të vijë nga vendi, e jo nga ndonjë shtet tjetër. Kryeministri akuzoi se opozita po përhap histeri për gjoja bullgarizim, por pasi dështoi, filloi të përdorë termin “diktati bullgar”.

“Kjo është më e reja tani – diktati bullgar. Ata vijnë nga Bashkimi Evropian dhe thonë – ky nuk është propozim bullgar, ky është propozim i BE-së. SHBA thotë gjithashtu se ky është propozim i BE-së. Dikur thanë se do të ndryshonin kornizën negociuese, por nuk e thonë më këtë”, Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Përkundër tentimit të kryeministrit për të ndryshuar mendje, nga VMRO-DPMNE theksuan sërish se nuk e ndryshojnë qëndrimin e tyre.

“Kovaçevski nuk ka deputetë për të ndryshuar Kushtetutën, le të përgatitet për largim të shpejtë. Po të kishte Kovaçevski deputetë për ndryshimet kushtetuese, do t’i kishte votuar shumë kohë më parë. Nesër do të shihet sërish se nuk do të ketë asnjë ndryshim të Kushtetutës. Gjithçka që po bën Kovaçevski është duke mbajtur peng shtetin për shkak të dëshirës së tij për të qëndruar në pushtet edhe një ditë,” – VMRO-DPMNE.

Ndërkohë letër deputetëve sot u ka dërguar edhe shefi i diplomacisë Bujar Osmani. Ai theksoi se nga vendimi i tyre do të varet nëse vendi do t’i vazhdojë negociatat apo do t’i ndërpresë ato për një periudhë më të gjatë pa garanci për sukses.

Ndryshimet në kushtetutë duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues dhe bazohen në atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë Sofja mban të drejtën e përdorimit të vetos, apo bllokimit të bisedimeve, ashtu siç bëri edhe në vitin 2020.

Opozita maqedonase është kundër ndryshimeve, pasi sipas saj, “pala bullgare nuk do të ndalet me kushtëzimet e saj edhe sikur të miratohen këto ndryshime”.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë