Trupa gjykuese pranë Komisionit të Vetingut, e përbërë nga Roland Ilia, Firdes Shuli, Etleda Çiftja, do të shpallë sot vendimin për gjyqtaren e Apelit në Tiranë, Fatmira Hajdarin, bashkëshorten e Azem Hajdarit. Nëse KPK-ja vendos ta shkarkojë nga detyra, zonja Hajdari nuk mund të hyjë më në gjykatë si gjyqtare, pasi pezullohet automatikisht, ndërsa ka të drejtë t’i drejtohet Kolegjit të Apelimit, për rrëzimin e vendimit. Nëse KPK-ja vendos ta konfirmojë në detyrë, zonja Hajdari do të vijojë të shërbejë në drejtësi, ndërsa Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioneri Publik mund të kërkojnë shkarkimin e saj në Kolegj.

Seanca dëgjimore me Fatmira Hajdarin u zhvilluar dy ditë më parë, ndërsa zgjati më shumë se katër orë. Verifikimi i gjyqtares u krye vetëm për dy kritere, atë të pasurisë dhe të pastërtisë së figurës. Fatmira Hajdari kishte kërkuar që të verifikohej edhe për aftësitë profesionale, por kjo kërkesë nuk u pranua nga KPK-ja.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë kishe dërguar një raport pranë Komisionit të Vetingut, ku konkludonte se pasuria e zonjës Hajdari ishte e ligjshme. Por, nga hetimi i thelluar i Komisionit të Vetingut rezultoi se gjyqtarja nuk justifikonte një pasuri me vlerë rreth 470 mijë dollarë. Komisioni i Vetingut e la të hapur mundësinë për ta ulur këtë shumë të pajustifikuar deri ditën e vendimit, nëse gjyqtarja sjell prova të reja për burimin e ligjshëm të parave të investuara në pasuri të paluajtshme.

Edhe Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar kishte paraqitur një raport, sipas të cilit gjyqtarja Fatmira Hajdari ishte e përshtatshme për të vijuar detyrën në drejtësi dhe se nuk kishte gjeruar asnjë indicie që mund të njolloste figurën e saj. Por, Komisioni i Vetingut ishte vënë në dijeni se Ambasada Amerikane në Tiranë i kishte anuluar vizën gjyqtares Hajdari, duke e ndaluar që të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këto kushte, Komisioni ka sinjalizuar DSIK-në, e cila ka ndryshuar raportin për pastërtinë e figurës për Fatmira Hajdarin. Në raportin e dytë, DSIK ka shënuar se gjyqtarja Hajdari nuk është e përshtatshme për të vijuar detyrën, pasi nuk ka deklaruar faktin e bllokimit të vizës.

Gjyqtarja Fatmira Hajdari dhe avokati i saj u mbrojtën duke thënë se, nuk kishte refuzim hyrje në SHBA, por thjeshtë një revokim të vizës deri në përfundimin e procesit të Vetingut dhe se kur ka plotësuar formularin për figurën, nuk e dinte se ia kishin anuluar vizën. Por, Komisioni i Vetingut theksoi se anulimi i vizitës, që do të thotë ndalim për të shkelur në Amerikë, është bërë para se zonja Hajdari të dorëzonte formularin.

Procesi i Vetigut të Fatmira Hajdarit është ndjekur nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs, i cili gjatë seancës dëgjimore shigjetoi dhe ironizoi më pyetje gjyqtaren, duke i vënë në pah paradokset e krijimit të pasurisë. Theo Jacobs është  vëzhguesi më famshëm ndërkombëtar në procesin e Vetingut. Prezenca e tij është kthyer në një makth për prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë. Ai është i ashpër, i prerë, i papërfolur asnjëherë dhe që lëshon pyetje ‘përvëluese’.