Nesturi: Kur FSHF e ka shndërruar futbollin në një garë të trukuar kuajsh

Nesturi: Kur FSHF e ka shndërruar futbollin në një garë të trukuar kuajsh

Kreu i FSHF-së

Debati i ditëve të fundit si rrallë herë nuk ka qenë politika por futbolli. Jo futbolli i sportdashësve dhe i stadiumeve, por fatkeqësisht zgjedhjet e afërta për kreun e FSHF. Dhe si për çdo zgjedhje, nuk do të mungojë në fakt dhe përpjekjet që segmente të politikës të nakatosen zhgërrueshëm në baltovinat në të cilat është futur prej shumë kohësh institucioni që duhej të merrej me drejtimin e futbollit e jo të shalimit të tij, pasi nuk ka sportdashës shqiptar që nuk e di që FSHF e ka shaluar futbollin e vendit për një garë të trukuar kuajsh. 

Absurditeti madje shtyhet më tej, kur nga këto hone nga ushtrohet pushtet okult dëgjohen thirrjet: Politika duhet t’i rrijë larg futbollit. Pasi është e vështirë të mendosh se kjo bëhet në emër të futbollit, sesa si justifikim që gjithçka të mos ndryshojë, që fitimet dhe ndarja e dividentëve me të cilat mbahet i kënaqur tarafi të vijojnë me të njëjtat ritme e të pandryshuara. Nëse nuk do të ish kështu dhe FSHF kërkon t’i rrijë larg politikës, përse duhej që federata e futbollit të kopjonte segmentet më anakronike të politikës për procesin e zgjedhjeve? Si ka mundësi që përzgjedhja e delegatëve për Shoqatat Rajonale i përngjan përzgjedhjes së delegatëve të Bashës e të Berishës për Kuvendet përkatëse? Gjetja e çdo lloj formule për të mbajtur të njëjtat fytyra, më së paku dëshmon se vetëm zgjedhje nuk janë, ndërsa po të zhbirosh paksa më tej do të shohësh se situata është shumë më e rëndë. Realisht ruajtja e kreut për një mandat të gjashtë të Dukës është për të mbrojtur një skemë prej së cilës  FSHF është shndërruar në një makinë parash për një grup të vogël drejtuesish, që me fuqinë ekonomike të grumbulluar arrijnë të ushtrojnë pushtet përtej futbollit.

Dokumenti i Autoritetit të Konkurrencës që u botua së fundmi në media, jep një pasqyrë të pjesshme të gjithë pushtetit okult që shkon përtej futbollit dhe që ka të bëjë me përqindje kuotash në kompani që ndërthuren nga sektori i ushqimit deri te të drejtat televizive të ndeshjeve, nga sektori i shërbimeve deri tek shitja e biletave. Është një botë e ndërlikuar në të cilën protagonistë nuk janë kontribuesit dhe përfaqësuesit e futbollit shqiptar, por biznesmenë që përveç kuotave në kompanitë gjithmonë e më fitimprurëse, qarkullojnë me çanta me para që vërviten në pika bastesh.  Këtu është dhe pjesa më e ndjeshme, nëse me këto çështje do të merret SPAK. Shkelja e procedurave për të manipuluar zgjedhjet për kreun e FSHF është tepër pak, për të hedhur dritë se çfarë ndodh realisht në botën rrotull futbollit.Meseleja qëndron pikërisht tek interesat e ndërlidhura të shumë botëve që përfitojnë nga bukuria e futbollit dhe hapja e kapakut të skemave në të cilat janë përfshirë drejtuesit e FSHF do ta qelbte me erën e rëndë gjithë mjedisin rrotull.

Strategjia që po ndjek Duka dhe të tijtë për t’i shpëtuar përgjegjësisë ndaj kësaj situate është viktimizimi se po sulmohen nga politika. Në fakt do të ishte shumë më mirë, që në këtë betejë për të shpëtuar futbollin të mos mbetej Kryetari i Bashkisë së Tiranës si protagonist i dorës së parë, por që në këtë protagonizëm të ishin përfshirë figurat më të shquara  që kanë kontribuar dikur në futbollin aktiv dhe që ende pritet prej tyre në ecurinë e mëtejshme të politikave të FSHF. Por si i bëhet kur shumë nga këto figura ose rrinë pasivë nga zhgënjimet ndër vite, ose më e keqja manipulohen prej këtij pushteti okult dhe me fuqi ekonomike? Duhet të heshtin të gjithë apo dikush duhet të flasë, pavarësisht faturës që merr? Është për të ardhur keq kur sheh se idhuj e simbole të sportit shqiptar ndër vite arrijnë të përdoren si arinjtë që u kanë shpuar hundën e që kërcejnë nën ritmin e defit të FSHF. Kështu veç bëhen bashkëpërgjegjës së vijimit të degradimit të atij sporti që i kanë përkushtuar dikur jetën. Pesha e lavdisë së dikurshme si idhuj të tifozëve duhet të shndërrohet në peshë përgjegjësie, për të dhënë gjithsecili kontributin e tij për t’i kthyer frymëzimin e dikurshëm, pasi në fund të fundit, futbolli është pasion, dhe jo llogaritje e ftohtë votash për të siguruar kryetarllëkun.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Bardhi i propozoi për martesë, Sara tregon kush e zgjodhi unazën

Bardhi i propozoi për martesë, Sara tregon kush e zgjodhi unazën