NEW YORK- Gjithkujt mund t’i ketë ndodhur të ecë nëpër rrugë dhe shpeshherë as mos t’i vënë re të pastrehët që ulen buzë rrugës për të kërkuar lëmoshë. Pikërisht për të sensibilizuar njerëzit lidhur me çështjen e të pastrehëve qendra e komunitetit “New York City Rescue Mission” në New York ka zhvilluar eksperimentin social me titull “Make them visible” në rrugët e qytetit.
 
Disa banorë kanë dalë vullnetarë për t’u veshur si të pastrehë dhe janë ulur në buzë të rrugës duke pritur që të kalonin të afërmit e tyre.
 
Pyetja që qëndronte pas eksperimentit “Bëjini të dukshëm” ishte: Do e njihnit të afërmin tuaj nëse do të ndesheshit me të në një trotuar ndërkohë që ai po kërkon lëmoshë? Në fakt, nga eksperimenti u pa se të afërmit e tyre nuk i njohën, madje në shumicën e rasteve as nuk ua hodhën sytë.
 
Pasi punonjësit e qendrës u treguan videot me të afërmit që kërkonin lëmoshë në rrugë, personat që morën pjesë në eksperiment mbetën pa fjalë dhe u ndjenë në faj që nuk njohën të afërmit e tyre.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)