Në vijim të polemikave pas nisjes së aksionit të IKMT për prishje të 2 pishinave të resortit “Prestige” tek Mali i Robit në Durrës, News 24, media e pronarit të hotelit Irfan Hysenbelliu, ka hedhur një akuzë tjetër në drejtim të Qeverisë dhe Kryeministrit Rama. News 24 ka publikuar një letër ku nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave i kërkohet shoqërisë ‘Focus Media News’, të lirojë godinën në të cilën ky televizion qëndron prej 20 vitesh. ''Duke u përballur me këtë situatë, shoqëria ‘Focus Media News’ apeloi vendimin në Gjykatën e Tiranës, ku edhe mori të drejtën e saj, ndërsa togat e zeza vendosën që të rrëzonin qeverinë, duke e cilësuar urdhrin e saj si të paligjshëm'' shkruan kompania.

Por në një reagim Ministria e Financave dhe Ekonomisë sqaron se situatë qëndron krejtësisht ndryshe. Ministria ka bërë publike dokumentin me njoftimin që i është dërguar mediave të z. Hysenbelliu dhe thotë se  20-vjeçare ka përfunduar më 25 korrik të këtij viti dhe nuk paguajnë qira prej 6 vitesh.

“Në vazhdën e sulmeve të mbushura me trillime, të cilat kanë shënjestruar muajt e fundit institucionet e Tatimeve dhe Doganave, nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu, sot  ka dalë një tjetër në adresë të MFE.  Sipas tyre, Kryeministri ka kërkuar lirimin e ambienteve shtetërore të marra me qira nga grupi mediatik i zotit Irfan Hysenbelliu për t'i mbyllur gojën mediave të tij. Kjo është një shpifje dashakeqe, si plot të tjera të prodhuara nga ky grup mediatik. Bëjmë me dije se : Po, ka pasur një kontratë qiraje mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe “Focus Media Group”, e cila ka përfunduar në datën 25.07.2022. Referuar kontratës së lidhur dhe konkretisht nenit 7 “Zgjidhja e kontratës”, pika 7.1, parashikohet që:  “Kontrata zgjidhet me mbarimin e afatit të përcaktuar në pikën 3.1 të kësaj kontrate”. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me cilësinë e subjektit qiradhënës, ka njoftuar subjektin përmes korrespondencës shkresore mbi përfundimin e afatit të kontratës së qirasë për godinat që duhet t'i kthehen shtetit”, bën me dije Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila nënvizon se  “Gazeta Panorama”, pjesë e “Focus Media News” që ushtron aktivitetin e saj në të njëjtat godina, rezulton të mos ketë paguar as qiranë prej 6 vitesh.

Sa i përket pretendimit të News24 se ka një vendim gjykate që i jep të drejtë Ministria thotë se Gjykata ka vendosur thjesht pezullimin e zhvendosjes së mediave deri në një moment kur do të ketë një vendim përfundimtar të formës së prerë.

“Deklarata e mediave të zotit Irfan Hysenbelliu, se gjykata e ka shpallur të paligjshme shkresën e MFE është një trillim. Gjykata ka marrë një vendim pezullimi proceduarial të lirimit të godinave shtetërore, derisa çështja të trajtohet dhe zgjidhet me vendim gjyqësor të formës së prerë. MFE e respekton plotësisht këtë vendim dhe pret që gjykata t'i njohë shtetit të drejtën e tij për të rimarrë pronën që i takon.  Por kjo, as nuk ka lidhje me lirinë e mediave të zotit Irfan Hysenbelliu, as nuk e ndryshon faktin se zoti Irfan Hysenbelliu i përdor mediat e tij për të shantazhuar përfaqësuesit e shtetit dhe dizinformuar publikun, për të mbuluar problemet shumë serioze që bizneset e tij kanë me ligjin”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Kujtojmë se mediat e z. Hysenbelli kanë shkruar se IKMT ka hyrë në mënyrë të paligjshme në objekt pasi leja është firmosur nga vetë kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të KKT. Ndërsa Ministria e Brendshme ka botuar dokumentet e lejes dhe shkruan në Facebook se këto dokumente vërtetojnë pikërisht të kundërtën. Ministria e Brendshme shkruan se leja është me kusht, ku thuhet ajo do të jepet vetëm pasi të plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse dhe asnjëra prej tyre nuk është plotësuar. 

Njoftimi për përfundimin e kontratës