“Gëzuar z.kryeministër nga Nexhmija.com!”. Sali Berisha mbeti një hop, pastaj qeshi me të madhe, duke trokitur gotën dhe iu drejtua botuesit Ifran Hysenbelliu, në gazetën e të cilit, vijon prej javësh historia e gruas së Hysni Kapos: “Jo tani është përpara Vito.com. Ua ka marrë ju”. Sali Berishën e takova mbrëmë, nga afër, në Pallatin e Brigadave, pas shumë vitesh. Herën e fundit e mbaj mend: ishte përtej tavolinës
së kryetarit të PD-së, asokohe në opozitë.

Përballë tij ishim ne, disa drejtues të gazetave që mbronin opozitën e atëhershme, përballë të “kuqve” siç cilësoheshin socialistët. Berisha atëherë ishte shpuzë, gati sa nuk kërcente mbi tavolinën e madhe, duke na orientuar se si të bënim gazetën të nesërmen, si kryeredaktori më i rreptë. Dhe e bënte, dhe vazhdon ta bëjë me gazetat që sërish i    .ka nën hyqëm. Por mbrëmë ishte një Sali Berishë tjetër. I lodhur, më shumë i anuar nga pesha e viteve. Foli gjatë. Lexoi Faik Konicën. Edhe atë gjatë. Foli për mediat në Shqipëri. I ngriti në qiell, duke thënë se ato ishin opozita e vetme, sepse prej vitit 2009 Shqipëria nuk paska patur opozitë.

Rreth tij ishin gazetarë, shumë, por edhe shumë jogazetarë. Më shumë aktorë të spektaklit “Portokalli”, ata që e imitojnë, që bëjnë humor krize me të dhe qeverisjen e tij. Por ata janë në pakicë. Shumica janë gazetarë që janë bërë, prej botuesve, zëdhënës të qeverisë, media të shtypura dhe elektronike që i bëjnë “Hosanna” qeverisë, sepse tashmë ajo ka gjithçka në dorë. Nuk ishte kjo që pritej në 2012, në fund e këtij viti, pas të cilit do të nisë beteja e ashpër elektorale dhe ku mediat do të ndahen partizançe në llogoret e tyre, shumë në atë të pushtetit dhe pak në anën e opozitës.

Por deri atëherë ka kohë. Mediat afër pushtetit, kanë gjetur të kompensojnë humbjet nga aktualiteti vrasës, duke u rikthyer te historitë e vjetra. Duke shitur rrëfime banale të 4-5 dekadave më parë e më tej, për të bërë sikur harrohet e sotmja, kur kulti i individit dhe udhëheqësit është lartuar frikshëm. Duke qenë me dorë në zemër që të marrin një buzëqeshje kryeministrore, ca thërrime nga raklamat dhe fondet që jepen vetëm për një pjesë të medias.

Një vit për tu harruar dhe për të nisur një të ri. Me këmbë në tokë, duke u marrë me përditshmërinë që injorohet nga qeverisja dhe kyçet ndër sëndukët mediatikë, që janë sajuar për të fshehur rrobat e pista të “mbretit”.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 28 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)