Nga 1 janari do ta blejnë energjinë vetë në treg të lirë, bizneset kundër: Ka kosto të lartë, do sjell rritjen e çmimeve të produkteve! Ministria e Energjetikës: Do shqyrtojmë kërkesat

Nga 1 janari i vitit 2022, bizneset do të dalin në treg të lirë për të blerë vetë energjinë elektrike, në një kohë kur bota po përballet me një krizë energjetike dhe çmimi në treg është rritur ndjeshëm. Ky vendim i OSHEE është kundërshtuar nga 11 shoqata biznesi shqiptare dhe të huaja, duke thënë se kjo do të rrisë kostot e prodhimit që rrjedhimisht do të çojë në rritjen e çmimeve të produkteve në tregun vendas.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp shoqatat e biznesit shprehen se rritja e kostove të prodhimit do të sjellë uljen të prodhimit duke rezultuar në një tkurrje të ekonomisë dhe ulje të punësimit.

11 Shoqatat e biznesit i kanë paraqitur qeverisë 5 kërkesa ku kërkojnë edhe një tryezë teknike për dialog me palëve, në të kundërt do të marrin masa të tjera.

"Të krijohet urgjentisht një tryezë teknike negociatash me praninë e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe Komunitetit Europian.Të qartësohen dhe garantohen kushtet për një treg energjetik të stabilizuar. Të mos rriten tarifat për shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë. Të miratohen ndryshime të nevojshme ligjore për lehtësimin e procedurave të vetëprodhimit të energjisë elektrike", janë disa nga kërkesat e Shoqatës së Bizneseve.

Për kërkesat e tyre Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se do t'i shqyrtojë dhe analizojë për të pasur një qasje pozitive për mbështetjen e bizneseve prodhuese në këtë moment kur bota po përballet me një krizë energjetike.

Operatori i Shpërndarjes njoftoi para disa ditësh se nga 1 janari 2022 biznesi i madh do të blejnë vetë energjinë në tregun e lirë përmes kontratave me furnizues privat. Nëse këto subjekte nuk arrijnë të lidhin një kontratë me një furnizues privat atëherë këtë energji do ta sigurojë Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) pjesë e shpërndarjes por me çmimin e tregut. Nga ky vendim preken 7 358 biznese.

DEKLARATË PËR SHTYP E SHOQATËS SË BIZNESEVE

Karakteristikat fiziko-gjeografike dhe klima i atribuojnë Shqipërisë një potencial të madh për energjinë hidroelektrike, energjinë diellore dhe energjinë e erës. Pavarësisht potencialit të madh të energjisë së pastër, totalisht nga burimet e rinovueshme, aktualisht vendi nuk prodhon atë që është e nevojshme për nevojat e tij dhe është i detyruar të importojë nga jashtë, duke vuajtur kështu pasojat negative të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Shqipëria është një vend që energjinë e prodhon nga burime 100% të rinovueshme, siç janë hidrocentralet. Por, politika e qeverisë shqiptare, prej vitesh ka qenë një politikë tregtare. Në kushtet aktuale, që çmimi i importit është rritur shumë, kuptohet që kjo politikë tregtare e emergjencës, është jo fitimprurëse.

Shqipëria ka një potencial hidro-elektrik dhe mund ta shtojë kapacitetin e prodhimit të brendshëm me 33%. Me këtë shtesë të prodhimit të hidrocentraleve, do të mund të plotësonte kërkesat e brendshme për energji, pa qenë e varur nga çmimet e importit dhe nga kriza e energjisë.

Biznesi vendas dhe i huaj është njoftuar që prej janarit të 2022, se 7538 biznese do të bëhen pjesë e tregut të liberalizuar të energjisë elektrike.

Shoqatat e biznesit shqiptare dhe të huaja pasi u njohën me këto ndryshime kundërshtojnë këto masa, pasi ky ndryshim do të sjellë si pasojë: rritjen e ndjeshme të kostove të prodhimit, të kostove të shpërndarjes, të magazinimit të mallrave dhe produkteve. E gjitha kjo do të reflektojë në mënyrë të paevitueshme rritjen e çmimeve të produkteve në tregun vendas.

Rritja e kostove të prodhimit do të sjellë uljen të prodhimit, ulje të importeve dhe eksporteve, duke rezultuar në një tkurrje të ekonomisë, e cila do të pasohet me uljen e punësimit dhe uljen e kontributeve e taksave.

Shoqatat e biznesit, nëpërmjet kësaj deklarate kërkojnë fuqimisht:

1. Të qartësohen dhe garantohen kushtet për një treg energjetik të stabilizuar, të paanshëm, joarbitrar, demokratik, pasi nuk ekzistojnë absolutisht kushte të tilla për daljen në treg të 7538 subjekteve sipërmarrëse, të cilat aktualisht furnizohen me energji nga operatori publik. Nuk mund të hyhet në një treg pa ditur më parë rregullat e funksionimit të tregut. Aktualisht në Shqipëri nuk ka as treg të liberalizuar dhe as bursë energjie, e cila është kushti vendimtar për vetë ekzistencën e tregut të energjisë elektrike.

2. Të mos rriten tarifat për shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë. Propozimi i OST-së dhe OSHEE Sh.a. për rritjen e tarifave përkatëse të shpërndarjes dhe transmetimit është i pabazuar në kostot reale të këtyre dy subjekteve. Në kushtet aktuale të krizës energjetike, rritja e këtyre tarifave nuk reflektohet proporcionalisht me kostot që ka operatori i transmetimit dhe ai i shpërndarjes. Citojmë propozimin e OST-së për rritje të tarifës, i cili nuk justifikon humbjen ekonomike dhe kostot e tij.

3. Të miratohen ndryshime të nevojshme ligjore për lehtësimin e procedurave të vetëprodhimit të energjisë elektrike nga shoqëritë e vogla, të mesme apo klientë familjarë pa u limituar te fuqia e instaluar 500 kË nga panelet diellore, por edhe duke përfshirë burime të tjera të rinovueshme të tilla, si era apo uji.

4. Kërkojmë që rritja e çmimit të energjisë të jetë transparente dhe të reflektojë vetëm pjesën e tarifës së energjisë së importuar.

5. Të krijohet urgjentisht një tryezë teknike negociatash me praninë e përfaqësuesve të qeverisë shqiptare dhe Komunitetit Europian.

Nëse nuk do të ketë asnjë dialog për krijimin e tryezës teknike, shoqatat e biznesit që kanë përgatitur këtë deklaratë, do të ndërmarrin veprime të tjera të dakordësuara, që do të komunikohen pas datës 24 dhjetor.

Shoqatat e biznesit:

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë

Bashkimi Tregtar i Shqipërisë

Confindustria Albania – Shoqata e Industrialistëve Italianë në Shqipëri

Proeksport Albania

Shoqata e Investitorëve të huaj (FIAA)

CCIA – Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri

Shoqata Shqiptare Turizmit – ATA

Shoqata e ricikluesve të Shqipërisë

Shoqata Shqiptare e Energjisë se Rinovueshme – AREA

Shoqata e Përpunuesve të Miellit

Dhoma e Tregtisë Francë-Shqipëri

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:19
11 shoqata biznesi kundër blerjes vetë të energjisë në treg të lirë, Ministria e Energjetikës: Do shqyrtojmë kërkesat e tyre

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar për deklaratën e 11 shoqatave të biznesit, të cilët shprehen  kundër vendimit që ata të blejnë vetë energjinë elektrike në treg të lirë nga 1 janari 2022.

Shoqata e bizneseve parashtroi 5 kërkesa, ndërsa Ministria e Energjetikës tha se do të shqyrtojë dhe analizojë të gjitha kërkesat e tyre, për të pasur një qasje pozitive për mbështetjen e bizneseve prodhuese në këtë moment kur bota po përballet me një krizë energjetike.

11 shoqata biznesi shqiptare kanë kundërshtuar vendimin për të blerë vetë energjinë elektrike në treg të lirë duke thënë se kjo do të rrisë kostot e prodhimit që rrjedhimisht do të çojë në rritjen e çmimeve të produkteve në tregun vendas.

"Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në kushtet e detyrimeve ligjore për liberalizimin e tregut të energjisë, në zbatim te ligjit nr. 44/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” dhe angazhimeve të marra në kuadër të përafrimit me legjislacionin e BE, e konkretisht me Direktivën 2009/72/KE, ka dëgjuar me vëmendje kërkesat e 11 shoqatave të bizneseve, të shprehura publikisht sot.

Duke mirëkuptuar situatën e krijuar për shkak të krizës globale energjetike, si dhe duke vlerësuar rëndësinë e zhvillimit të biznesit në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike të vendit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të analizojë të gjitha kërkesat e tyre, për të pasur një qasje pozitive për mbështetjen e bizneseve prodhuese në këtë moment të vështirë.

Në ditët në vazhdim MIE do të komunikojë publikisht qëndrimin e saj për të adresuar dhe mitiguar shqetësimin e shoqatave të biznesit të shprehur sot", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Energjetikës.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë