Nga 16 gushti, s'ka më ilaçe
Financat bllokojnë importin

Nga 16 gushti, s'ka më ilaçe<br />Financat bllokojnë importin
TIRANE - Ministria e Financave përfshihet në skandalin e radhës. Shqiptarët që vuajnë nga sëmundje kronike dhe që mbijetojnë vetëm nga përdorimi i pandërprerë i disa ilaçeve të caktuara rrezikojnë të klasifikohen si “të dënuar me vdekje” nga një vendim i dikasterit të Ridvan Bodes, që ndalon hyrjen në vend të çdo ilaçi që nuk është pajisur me pullën fiskale të dyfishtë. Faktikisht, është një sasi e konsiderueshme medikamentesh, që janë bllokuar tashmë nga Dogana dhe nuk lejohet të hyjnë në vend, duke rrezikuar të prishen në temperaturat 40 gradë celsius të kësaj vere të nxehtë, mësohet nga përfaqësues të ndryshëm të importuesve me shumicë të medikamenteve dhe shpërndarësve të tyre.

Ajo që përbën skandal është fakti që ministria e Financave nuk ka specifikuar asnjëherë aspektet teknike të pullës fiskale, theksojnë këta grosistë për Shqiptarja.com. Ndërkohë, bllokimi mund të sjellë në atë, që, duke nisur nga data 16 gusht, në treg të mos ketë më ilaçe jetëshpëtuese dhe ilaçe të tjera që përdoren më shumë nga të sëmurët.

PROCESI

Që nga data 6 gusht, nuk lejohet më që tregtarët e medikamenteve të importojnë produktet e tyre të zakonshme, që prodhohen jashtë Shqipërisë. Atyre nuk u jepet më leja e importit, pa vendosur pullën fiskale që në fabrikën e prodhimit të ilaçit përkatës. Kjo lidhet me një vendim, të kundërshtuar në bllok nga ana e të gjithë tregtarëve të farmaceutikës në vend, sipas të cilit ministria e Financave do të pranonte hyrjen në Shqipëri vetëm të atyre ilaçeve që ishin pajisur që në prodhim me pullën e dyfishtë.

Ky proces është bllokuar më pas, pas ndërhyrjes së fuqishme dhe lobimit që u bë, deri tek kryeministri Berisha, nga ana edhe e ambasadave të huaja, si asaj zvicerane. Thelbi i këtij kundërshtimi kishte të bënte me atë, se, sipas importuesve, vendimi është teknikisht i parealizueshëm. Kjo, pasi sasitë e ilaçeve që prodhohen për një vend si Shqipëria janë aq të vogla,  sa që nuk u investojnë fare prodhuesve të tyre, kur mësojnë se duhet të shtojnë edhe pajisje plus për të ngjitur në pakot e tyre edhe pulla fiskale. Këtë ata e konsiderojnë si një proces pa leverdi, pasi fjala është për pako të limituara, ose pako vetëm për Shqipërinë, të cilave u rritet mjaft kostoja nga një gjë e tillë.

Megjithë kundërshtimet, madje edhe nga ministria e Shëndetësisë, në fillim të vitit 2013 ka dalë Udhëzimi i ministrit të Financave, sipas të cilit duhet të vendoset patjetër pulla e dyfishtë. Sipas tregtarëve, ata kanë qenë gjithnjë në kontakt me dikasterin e Shëndetësisë, që është shprehur dakord me kërkesat e tyre në parim, por kjo nuk e ka penguar ministrinë e Financave të mbajë një qendrim të palëkundur. Kjo, pasi ministrit Bode i intereson hyrja e parasë në arkën e shtetit, të katandisur bosh dhe jo problemet që i krijohen sektorit të importuesve të medikamenteve.

Por, ajo që duhej të realizonte më parë ky dikaster ishte përcaktimi teknik i procesit, pa të cilin vendosja e pullës kthehej në një absurditet. Deri tani, askush nuk i ka dhënë përgjigje një kërkese të tillë, pra ende nga Financat nuk është ideuar aspekti teknik i pullës. Por, a ka gjë që justifikon humbjen e jetës, qoftë edhe nga një njeri i vetëm, për shkaqe të tilla?
 
VENDOSJA E PULLES - DEBAT NE KUVEND

Vendimi i qeverisë Berisha për të vendosur pullë dyfishe është kundërshtuar ashpër vitin e kaluar në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese të Kuvendit. Sipas PS, pulla rrit çmimin e barnave, që duhet të paguajë konsumatori fundor, që në shumicën e rasteve është dikush me të ardhura të pakta, si pensionistët. Deputeti Eltar Deda tha se deri tani është e paqarte se kush do t’i paguajë kostot e vendosjes dhe importimit të kësaj pulle.

“Pasi mendojmë se e gjithë kostoja do të bjerë mbi xhepat e qytetarëve dhe e gjithë kjo do të pasqyrohet me një rritje tjetër të çmimeve”, tha ai. Nga ana e tij, drejtori i Drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë Ahmet Hysa tha se çmimi i pullës do të mbulohet nga importuesit dhe prodhuesit e barnave. Ndërsa nenkryetari i komisionit parlamentar Tritan Shehu përshëndeti vendosjen e pullave, duke e konsideruar si një element shumë të rëndësishëm në rritjen e sigurise dhe cilësisë së barnave në vend.

Ajo që nuk sqarohej ën këtë rast është fakti i thjeshtë se, është e vërtetë që importuesit do të mbulojnë koston shtesë, por është logjike që ata këtë kosto ta shkarkojnë tek konsumatori, përndyshe do të kenë humbje, që nuk e pranon asnjë biznes në botë, në kushtet e ekonomisë së tregut. Po kështu, nuk mund të shpjegohet që, në rast se kjo masë merret për një treg më cilësor, ambasadat e huaja të lobojnë në favor të importit të ilaçeve në kushtet e mëparshme.

Ministrat Petrit Vasili dhe Vangjel Tavo kanë shprehur më parë rezervat e tyre për një masë të tillë, por Tavo e ka nënshkruar si të gjithë anëtarët e tjerë të kabinetit Berisha vendimin përkatës, duke qenë se vendimi i qeverisë është kolegjial. Kështu, edhe me bekimin e kryeministrit Berisha, i është hapur një rrugë aspak humane hyrjes së parave në buxhet, duke kërcënuar seriozisht jetën dhe shëndetin e shqiptarëve.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.07.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën