Qeveria vendos: Marrim 700 mln euro eurobond! Në nëntor banesat e rindërtuara kalojnë në pronësi të qytetarëve! Të para i marrin familjet në nevojë, të tjerët me short publik

TIRANË-Këshilli i Ministrave ka vendosur ditën e sotme se vendi do të dalë në tregun ndërkombëtar në fillim të nëntorit me eurobond 700 mln euro. Ky borxh do të shlyhet nga 7 deri në 10 vite dhe do të përdoret për disa sektorë. Ndërsa data e saktë se kur do të dilet në treg nuk është vendosur pasi do të shihen normat e interesit.

Gjithashtu një tjetër vendim i qeverisë ishte edhe kalimi në pronësi të plotë të qytetarëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Shpërndarjet e para do të bëhen nga 20-26 nëntorit ku 1050 apartamente dhe banesa individuale u kalojnë qytetarëve. Familjet në nevojë do të jenë të parat që marrin banesat, ndërsa shpërndarja e të tjerave do të bëhet me short publik.

“Sapo filloi procesi i kalimit të shkollave në pronësive të bashkive pas përfundimit të një numri të madh të shkollave të rindërtuarave që i kalojnë bashkive për mirëmbajtje dhe administrim në vazhdim. Ky muaj do të jetë muaji i rëndësishëm për rindërtimin. Në vigjilje të dyvjetorit të tërmeti ne kemi procesuar për të kaluar në pronësi të plotë të qytetarëve shtëpitë e rindërtuara, njësitë individuale dhe apartamente. Do ndiqen dy korsi për shpërndarjen e tyre. Një është lista prioritare ku trajtohen familje në nevojë. Për këto familje shpërndaja bëhet menjëherë, ndërsa për pjesën tjetër shpërndarja do të bëhet me short publik. Vetëm me 20-26 nëntor do të shpërndahen 1050 apartamente dhe njësi individuale. Deri tani janë shpërndarë vetëm nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit 1100 njësi individuale dhe mbi 800 grante për familjet e dëmtuara nga tërmeti”, tha Arben Ahmetaj.

Gjithashtu sot u vendos marrja  e një granti nga Gjermania për zhvillimin e qëndrueshëm rajonal duke nxitur punësimin dhe arsimin profesional, si dhe krijimi një asgjësie së sigurimit të cilësisë dhe shërbimeve të kujdesit shëndetësorë, që do të merret me edukimin dhe trajnimin e profesionistëve të shëndetit.

Konferenca e plote e ministrave

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:32
Vendimi/ Krijohet Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror

Duke nisur nga janari, do të krijohet Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror. Kjo Agjenci do të të jetë në varësi të ministrisë së Shëndetësisë dhe ka për mision sigurimin e cilësisë së produkteve të kujdesit shëndetësor me të gjitha elementet e tij nga të gjithë ofruesit (publikë ose privatë), me qëllim garantimin e kujdesit shëndetësor, shoqëror e cilësor dhe të bazuar në standarde.

Vendimi i plotë

VENDIM PËR KRIJIMIN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË SË SIGURIMIT TË CILËSISË SË KUJDESIT SHËNDETËSOR DHE SHOQËROR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Krijimin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror (në vijim, Agjencia), si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale (në vijim, ministri).

2. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera të ligjshme.

3. Agjencia ka për mision sigurimin e cilësisë së produkteve/përfitimeve të kujdesit shëndetësor me të gjitha elementet e tij nga të gjithë ofruesit (publikë ose privatë), me qëllim garantimin e kujdesit shëndetësor, shoqëror e cilësor dhe të bazuar në standarde, nëpërmjet edukimit, certifikimit dhe kontrollit të sigurisë së shërbimeve për strukturat dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe shoqëror.

4. Agjencia ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie:

a) Vlerësimin e cilësisë, sigurisë dhe akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor shqiptar, publike dhe private, dhe të institucioneve të kujdesit shoqëror;
b) Edukimin në vazhdim të profesionistëve të shëndetësisë dhe profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror.

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AGJENCISË

1. Agjencia ka këto përgjegjësi:

a) Të vlerësojë cilësinë dhe të akreditojë institucionet shëndetësore shqiptare, publike dhe private, dhe institucionet e kujdesit shoqëror;
b) Të ngrejë mekanizmat për vlerësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtjes sociale në të gjitha nivelet;
c) Të zhvillojë kapacitetet nëpërmjet akreditimit të programeve të certifikuara të edukimit në vazhdim për profesionistët shëndetësorë dhe të kujdesit shoqëror;
ç) Të vlerësojë nevojat për formim të vazhdueshëm për kategori të ndryshme të punonjësve të shëndetësisë dhe të kujdesit shoqëror;
d) Të menaxhojë projektet dhe programet e miratuara nga ministria në fushën që mbulon agjencia.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË

1. Agjencia e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.

2. Agjencia ka lidhje funksionale bashkëpunimi me institucionet e tjera të kujdesit shëndetësor në varësi të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

3. Agjencia, sipas fushave të përgjegjësisë, kryen këto detyra:

a) Kryen vlerësimin e jashtëm të cilësisë për akreditimin e parë dhe periodik të institucioneve të kujdesit shëndetësor e shoqëror për shërbimet që ato ofrojnë;
b) Mbështet institucionet shëndetësore dhe shoqërore aplikuese për akreditim lidhur me procesin e vetëvlerësimit dhe vetëpërmirësimit;
c) Harton e vë në dispozicion, gjatë fazës së vlerësimit të institucioneve, udhërrëfyesin për vetëvlerësimin e standardeve të akreditimit dhe udhërrëfyesin për vlerësuesit e jashtëm të institucioneve shëndetësore dhe shoqërore;
ç) Planifikon, vepron e realizon procesin e vlerësimit dhe harton raportet për vizitat akredituese të realizuara;
d) Publikon e boton materialet e informacionet për sigurinë dhe cilësinë e ofrimit të shërbimit shëndetësor;
dh) Vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga institucionet e kujdesit shëndetësor dhe shoqëror për akreditim dhe ia paraqet për miratim Bordit të Akreditimit;
e) Kontrollon përmbushjen e standardeve bazë të cilësisë të institucioneve të kujdesit shëndetësor pas licencimit;
ë) Planifikon, bashkërendon dhe zbaton programe të formimit të vazhdueshëm të profesionistëve të shëndetësisë dhe profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror;
f) Bashkërendon punën dhe realizon procesin e akreditimit të ofruesve dhe aktivitetet e edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë dhe profesionistët e shërbimeve të kujdesit shoqëror, pa përfshirë programet në varësi të ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe shkencën dhe strukturave të saj, sipas standardeve, kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave;
g) Organizon mbledhjet e bordeve të edukimit në vazhdim dhe Bordit të Akreditimit në fushën e shëndetësisë dhe të shërbimeve shoqërore dhe i përcjell për vendimmarrje të gjitha çështjet, sipas legjislacionit në fuqi;
gj) Zhvillon dhe promovon standardet e cilësisë së edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë dhe profesionistët e shërbimeve të kujdesit shoqëror përmes ofrimit të asistencës teknike për ofruesit e aktiviteteve të edukimit mjekësor dhe shoqëror të vazhdueshëm për procesin e vlerësimit të nevojave për edukim, planifikimin dhe implementimin e aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm;
h) Realizon studime për vlerësimin e nevojave për formim të vazhdueshëm, për kategori të ndryshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe profesionistëve të shërbimeve të kujdesit shoqëror;
i) Monitoron ofruesit e akredituar dhe aktivitetet e edukimit në vazhdim, të drejtpërdrejta ose në distancë (e-learning), të akredituara, për të garantuar zbatimin e standardeve të cilësisë së edukimit në vazhdim;
j) Kryen procedurën e njohjes dhe të regjistrimit të krediteve të edukimit të vazhdueshëm të përfituara nga profesionistët e shëndetësisë dhe profesionistët e shërbimeve të kujdesit shoqëror, sipas standardeve dhe kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave;
k) Kryen procesin e certifikimit të profesionistit të shëndetësisë dhe profesionistit të shërbimeve të kujdesit shoqëror;
l) Bashkëpunon me institucionet e arsimit të lartë, institucionet akademike, si dhe organizatat e specializuara, shqiptare ose të huaja, për njohjen e programeve të trajnimit;
ll) Planifikon, bashkërendon dhe zbaton programe të formimit të vazhdueshëm shëndetësor dhe shoqëror.

4. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e agjencisë dhe përgjigjet përpara ministrit. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë mbështetet në veprimtarinë e tij nga një zëvendësdrejtor i Përgjithshëm.

5. Për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor, pjesë e procesit është dhe rekomandimi nga Bordi i Akreditimit, i cili funksionon sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë.

6. Për edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve shëndetësorë dhe të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, pjesë e procesit janë dhe:

a) Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm për Profesionistët Shëndetësorë, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë;
b) Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm për Profesionistët e Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për shërbimet e kujdesit shoqëror në Republikën e Shqipërisë.

7. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin e funksionimin e administratës shtetërore.

8. Rregullorja për mënyrën e funksionimit të Agjencisë miratohet nga ministri, pas propozimit të drejtorit të Përgjithshëm.

9. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm, të zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm dhe të nëpunësve të Agjencisë rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë të Agjencisë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.

10. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

11. Vula e Agjencisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë, sipas këtij vendimi, strukturat aktuale vazhdojnë funksionimin e tyre sipas strukturave dhe organikave të miratuara.

2. Numri i punonjësve për Qendrën Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit dhe Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim riorganizohen në Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror.

3. Fondet e miratuara për Qendrën Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit dhe Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim të mbeten në strukturat aktuale deri më 1 janar 2022.

4. Për nëpunësit e Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit dhe Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil, në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit. Për punonjësit administrativë zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.

5. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.825, datë 14.5.2008, “Për krijimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, të punonjësve të shëndetësisë dhe për një shtesë në vendimin nr.306, datë 27.6.2002, të Këshillit të Ministrave”, dhe nr.230, datë 15.4.2005, “Për krijimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore dhe për një shtesë në vendimin nr.306, datë 27.6.2002, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të nivelit të pagave të punonjësve me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë”, të ndryshuar”, shfuqizohen.

6. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Ora 14:16
 Qeveria vendos: Në fillim të nëntorit marrim 700 mln euro borxh

Qeveria ka vendosur ditën e  sotme se shuma që do të dal në tregun ndërkombëtar për eurobondin do të jetë 700 mln euro. Shqipëria do të dalë në treg në fillim të nëntorit. Gjithashtu sot u vendos marrja  e një granti nga Gjermania për zhvillimin e qëndrueshëm rajonal duke nxitur punësimin dhe arsimin profesional.

“Janë miratuar dy projekteve vendime, një në lidhje me eurobondin dhe vlerën e tij që pritet të dilet në treg në fillim të nëntorit me një vlerë prej 700 mln euro. Data nuk është vendosur ende dhe të dalim në treg në ditët më të përshtatmë ku do të jetë dhe norma e interesit më e përshtatshme. Projektvendimi i dytë ka të bëjë më nxitjen e punësimit, arsimit profesional dhe zhvillimit ekonomik të biznesit të vogël. Një grant nga Gjermania prej 1.25 mln euro synon zhvillimin e qëndrueshëm rajonal”, tha Delina Ibrahimaj.

Ora 14:07
Qeveria i ndaloi investimet OSHEE dhe OST, por i hap rrugë shpronësimeve për linjat 110 dhe 220 kilovolt, Ministria e Infrastrukturës: Investime kritike

 

Në mbledhjen e qeverisë ditën e sotme ka kaluar projktligji për shpronësimet për dy linjat 110 kilovolt dhe 220 kilovolt. Kjo u bë me dije nga Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Në një kohë ku qeveria i ka ndaluar investimet OSHEE dhe OST, Balluku tha se investimi për dy linjat është kritik. Po ashtu Balluku tha se Këshilli i Ministrave mori sot vendimin për ofrimin e garancisë sovrane për të vënë në dispozicion të sektorit energjetik 10 miliardë lekë.

"Kemi patur një sërë projekt vendimesh, ato të energjisë dhe infrastrukturës. Për fushën energjetike është marrë vendimi për ofrimin e garancisë sovrane për të vënë në dispozicion 10 mld lekë në dispozicion të sektorit të energjisë për të mbrojtur familjet dhe biznesin e vogël. Ajo që po bëjmë, po krijojmë mundësi për të siguruar sasitë e nevojshme të energjisë me kontrata të gjata që të kemi çmime të mira e ato sot në treg përmes bursave. Kanë kaluar edhe projektligji për shpronësimet për dy linjat 110 kilovolt dhe 220 kilovolt. Ne i konsiderojmë investime kritike, pasi investimet  e tjera janë stopuar. Prioritet është krijimi i mburojës për abonentët familjarë dhe biznesi i vogël. Dua të përmend dy ndryshime në VKM për rregullimin e burimeve të energjisë së rinovueshme. Janë ndryshime për të facilituar investimet vendase në energjinë e rinovueshme që të bëhen pjesë garave pa i vënë detyrime që i pengojnë si eksperiencë apo sasia e parave që duhet të kenë në dispozicion para nisjes së projektit", tha Balluku.  

/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë