Nga abuzimi me tenderat tek vjedhja e pagave të policisë, si u zbuluan efektivët dhe ish policët që u arrestuan në Shkodër

Nga abuzimi me tenderat tek vjedhja e pagave të policisë, si u zbuluan efektivët dhe ish policët që u arrestuan në Shkodër

1658427429_Shkoder.jpg

Përveç abuzimit me tenderin e rikonstruksionit, efektivët dhe punonjësit e administratës në Shkodër kanë vjedhur edhe pagat e policëve. Agjencia e Mbikëqyrjes policore njofton se janë arrestuar 9 punonjës policie dhe punonjës administrate, ndërsa për 5 të tjerë është dhënë masa arrest me burg. Specialistja e financës në drejtorinë e policisë Shkodër vodhi pagat e efektivëve dhe i ndante edhe me punonjës të tjerë të Policisë. Financierja që vidhte pagat e punonjësve të policisë është identifikuar si Veronika Xhanaj.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria e Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të AMP, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka ekzekutuar 14 masa të sigurimit personal me karakter shtrëngues, regjistruar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim.

Pas hetimeve të kryera në kuadër të procedimit penal nr. 716/2022, Gjykata e Shkallës së Parë pranë Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur të caktojë masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj 9 punonjësve:

1.Kryekomisar S.R., 41 vjeç, i punësuar pranë D.V.P Shkodër, i dyshuar për veprën penale, “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim;

2. R.P., 38 vjeç, me detyrë Jurist pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, i dyshuar për veprën penale, “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim;

3. R.K., 36 vjeç, me detyrë Specialist Finance pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, i dyshuar për veprën penale, “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim;

4. M.I., 66 vjeç, me detyrë Inxhinier/Mekanik pranë sektorit të Autotransportit në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, i dyshuar për veprën penale, “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim;

5. A.H., 38 vjeç, me detyrë Specialist në Sektorin e IT-së pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, i dyshuar për veprën penale, “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”  kryer në bashkëpunim;

6. L.U., 37 vjeç, me detyrë Shef i Sektorit Logjistik pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, i dyshuar për veprën penale, “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim;

7. N/Komisar XH.I., 54 vjeç, me detyrë Specialist në Sektorin e Rendit pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, i dyshuar për veprën penale, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim;

8. B.M., 38 vjeç, aktualisht me detyrë Specialist pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Shkodër (ish punonjës i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në pozicionin e Specialistit të Prokurimeve), i dyshuar për veprën penale, “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim;

9. A.B., 27 vjeç, i dyshuar për veprën penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata e Shkallës së Parë pranë Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur të caktojë masën e sigurimit personal, “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj 5 punonjësve:

10. K.T., 54 vjeç, me detyrë Specialist në Sektorin e Auditimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale, “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim;

11. P.P., 55 vjeç, me detyrë Specialist në Sektorin e Auditimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale, “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim;

12. P.P., 55 vjeç, me detyrë Specialist në Sektorin e Auditimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale, “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim;

13. V.XH., 60 vjeç, me detyrë Specialist pranë Sektorit të Financës në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, i dyshuar për veprën penale, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”;

14. A.B, 34 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim.

Nga veprimet hetimore rezulton se gjatë periudhës kohore 2020 deri në fund të vitit 2021, këta punonjës policie dhe punonjës të administratës civile pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë kryer veprime favorizuese dhe fiktive, me qëllim favorizimin e subjekteve të caktuara për përfitimin e tenderave me vlera të vogla që janë zhvilluar nga kjo Drejtori.

Gjatë hetimit ka rezultuar se punonjësit e Sektorit të Auditimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë kryerjes së auditimit të procedurave të tenderimit për vitin 2020 dhe 2021 dyshohet se nuk kanë pasqyruar në mënyrë të qëllimshme shkeljet e kryera në lidhje me procedurat e prokurimeve kryer nga punonjësit përgjegjës të D.V.P Shkodër.

Po ashtu, gjatë hetimeve ka rezultuar se punonjësja V.XH., me detyrë Specialiste pranë Sektorit të Buxhet/Financës në D.V.P Shkodër dyshohet se ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin duke përvetësuar shuma të ndryshme parash në periudha të ndryshme kohore, për vete dhe punonjës të tjerë të kësaj Drejtorie, me burim të ardhurat nga paga e punonjësve të policisë.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.


Lajmi kryesor:

Shkodër/ Abuzuan me tenderin për rikonstruksionin e komisariatit dhe vidhnin pagat e policëve! 14 të arrestuar, mes tyre kryekomisari


SI.E.//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Sot Amerika vendos/ Nisin votimet! Garë e ngushtë presidenciale, por Harris është 4 pikë në avantazh! Qendrat e votimit me xhama antiplumb e dyer çeliku

Sot Amerika vendos/ Nisin votimet! Garë e ngushtë presidenciale, por Harris është 4 pikë në avantazh! Qendrat e votimit me xhama antiplumb e dyer çeliku