Nga Afganistani në Evropë
Rruga e gjatë e imigrimit ilegal

Nga Afganistani në Evropë <br />Rruga e gjatë e imigrimit ilegal
TIRANE- Para se të niste rrugën e tij të gjatë për në Europë, 26-vjeçari Ibrahim nga qyteti Harat i Afganistanit ishte përgatitur të përballonte gjithçka për të arritur në një vend të zhvilluar të Evropës. Ai ka kaluar vitet e fëmijërisë dhe të rinisë në periudhe të tmerrshme luftërash.
Thotë se lufta i ka marrë jetën tre anëtarëve të familjes së tij. Me një valixhe të vogël dhe me 7 mijë dollarët që kishte arritur të kursejë, në mars të vitit 2010 Ibrahimi ishte nisur rrugës për në kryeqendrat evropiane, me shpresë të gjejë një punë të mirë për t’i ndihmuar vetes dhe familjarëve që i kishin mbetur të gjallë. Por, si duket ende është në mes të rrugës. Ai gati një muaj është strehuar ilegalisht në Llojan të Maqedonisë, një fshat me 6 mijë banorë që është vetëm një kilometër larg kufirit me Serbinë. Aty e kanë lënë të presë njerëzit, të cilëve u ka paguar për ta çuar në një vend anëtar të Bashkimit Evropian (BE). I kanë thënë të presë derisa t’i japin shenjë se mund të vazhdojë rrugën, por pritja gjithnjë e më tepër bëhet e padurueshme për të. Bashkë me afër 300 imigrantë tjerë ilegal kryesisht nga shteti amë i tij, Ibrahimi tani më është bindur se është ngujuar në një shtet ku nuk mund të gjejë punë e as të arrijë qëllimin për të ndihmuar familjen. Maqedonia është ndër shtetet e para në Evropë me shkallën më të lartë të papunësisë me afër 35 për qind, derisa çdo i treti banor jeton në varfëri të thellë.

Ibrahimi thotë se shumë dekurajuese për të gjithë ka qenë momenti kur kanë mësuar se pikërisht nga fshati Llojan shumë të rinj kanë ikur në vendet e BE-së për të kërkuar azil, e më pastaj janë kthyer mbrapsht nga autoritetet evropiane pasi u është refuzuar kërkesa. “Nuk mund të qëndroj këtu. Kam miq që tani më kanë arritur në Angli, Gjermani, Francë…Atje kanë gjetur punë, kanë marrë azil. Do ia dal edhe unë”, thotë ai, duke e shtrënguar grushtin për të dëshmuar vendosmërinë e tij në arritjen e qëllimit.

Rrjeti i fuqishëm
Asnjë institucion kompetent në Maqedoni, Greqi apo Shqipëri nuk ka ndonjë evidencë se sa është numri i imigrantëve nga Afganistani dhe vendet tjera konfliktuoze të Lindjes së Largët që janë futur në kontinentin e Evropës. Nga intervistat me emigrantët ilegalë të stacionuar në Llojan të Maqedonisë, mësohet se dyndja më masive ka filluar nga viti 2005. Ata nga Afganistani kalojnë në Iran, pastaj në Turqi që më në fund të arrijnë në Greqi apo edhe Bullgari. Është po e njëjta rrugë që përshkon droga e kultivuar në Afanistan e që gjen treg në Evropë. Pikërisht para gati shtatë viteve, rrjeti i trafikantëve që kontrabandojnë drogën kishin parë mundësinë që këtë rrugë të provuar ilegale ta shfrytëzojnë edhe për trafikim të njerëzve. Këto rrjete, që kryesisht drejtohen nga shtetas të Iranit, tani kanë hapur agjenci turistike nëpër disa qytete të Afgnistanit, duke ofruar “ekskursione” në kryeqendrat evropiane. Për klientët e tyre nuk nevojitet as vizë e as pasaportë, por vetëm 7-10 mijë dollar amerikanë. Të ardhurat e një pjese të konsiderueshme të popullatës afgane lidhen drejtpërdrejtë me kultivimin e hashashit, andaj nuk paraqet ndonjë problem për të kursyer këtë shumë të parave.

Ibrahimi, i cili nuk dëshiron të publikojë identitetin e plotë e as të fotografohet, thotë se nuk dëshiron të tregojë detaje për rrjetin e trafikantëve. Vetëm thotë se ky rrjet ndërkombëtar, që përbëhet nga shtetas të Serbisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë si dhe të Iranit dhe të Turqisë, është aq i organizuar dhe i fuqishëm saqë do të rrezikonte edhe atë personalisht, por edhe familjen e tij në Afganistan. Më së paku, do të rrezikonte të mos vazhdojë udhëtimin ilegal.
Ky rrjet, që operon agjencitë “turistike” në Afganistan, u merr nga 7 mijë dollarë klientëve, duke u premtuar se do t’i dërgojë deri te vendi i parë i BE-së. Duke shfrytëzuar mjete të ndryshme transporti, trafikantët ilegalisht kalojnë kufirin Afganistan-Iran, apo i sjellin në shtetin Iranian nëpërmjet Pakistanit. Po ashtu ilegalisht kalojnë edhe kufirin Iran-Turqi, duke u drejtuar kah pjesa e Turqisë në kontinentin Evropian. Në Greqi janë futur nëpërmjet rajonit të quajtur Evros.
“Grupet na dorëzonin nga njëra te tjetra, varësisht prej shteteve. Secilës i paguanim nga 2 mijë dollarë. Ajo që më habiti ishte fakti se e dinin shumë mirë momentin se kur duhet të kalojmë kufirin”, thotë Ibrahimi. Sipas tij, të gjitha grupet që përbëjnë rrjetin e kanë ditur se kur në roje apo turn janë “njerëzit e tyre”. “Me siguri i kanë blerë me para. Thjeshtë shtireshin kinse nuk na shohin”.

Rrjeti i trafikantëve në Evropë përbëhet që nga transportuesit e mallrave e deri te fermerët. Emigrantët që kanë poseduar shuma të mëdha parash nuk janë ndalur në Greqi por kanë vazhduar drejt destinacionit të fundit – Angli apo Francë. Të tjerët kanë përfunduar në duart e fermerëve grekë, ku janë strehuar dhe kanë punuar. Trafikantët nuk u kanë treguar se Greqia gjeografikisht është e ndarë nga pjesa tjetër e BE-së dhe e Zonës Shengen. I kanë gënjyer se po u fute në Greqi pa asnjë problem mund të lëvizësh në çdo shtet të Evropës.

Kriza greke dhe fluksi i imigrantëve
Deri ne vitin 2008 emigrantët nga Afganistani lëviznin thuajse pa hetuar nëpër rajonin e Maqedonisë, për të vazhduar drejt Serbisë e për t’u future në Hungari, si vend i BE-së. Përveç kësaj rruge ilegale, trafikantët shfrytëzonin edhe linjën Bulgari-Rumani-Hungari dhe atë Greqi-Shqipëri-Itali. Autoritetet shtetërore të Maqedonisë, por edhe të vendeve tjera të rajonit, nuk kanë bërë përpjektjet e nevojshme për të ndaluar këto rrugë ilegale të trafikimit. Burime diplomatike në Shkup thanë se vendet që kanë qenë të “vërshuara” nga emigrantët e Afganistanit disa herë kanë kërkuar nga autoritetet e Shkupit që të ndërpresin kanalet e trafikimit. Sipas tyre, Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka ndërprerë këto kanale por paralelisht janë ngritur kanale tjera nga njerëz të njëjtë. Pas dështimeve në luftën me kontrabandistët, diplomatët kanë filluar të dyshojnë se në këtë biznes fitimprurës janë të përfshirë edhe zyrtarë shtetërorë të Maqedonisë. Gjendja është bërë alarmante kur në vitin 2008 Greqia fillon të ndjejë seriozisht pasojat e krizës ekonomike. Pjesa më e madhe e afganëve ngelin pa punë kështu që sytë i drejtojnë kah pjesa tjetër më e zhvilluar e Evropës. Ndërkohë, presionet e shtuara të Brukselit ndaj Bullgarisë dhe Serbisë japin rezultatet e para në prerjen e kanaleve kontrabanduese, kështu që mbi 500 afganë ngelin në Maqedoni, prej të cilëve 300 vetëm në fshatin Llojan.

“Numri nuk është i njëjtë dhe ndryshon dita-ditës. Disa shkojnë për në Serbi e disa tjerë vijnë nga Greqia e stacionohen këtu. Janë mbi 300 këtu në Llojan. Nuk e di saktë prej nga janë, mbase nga Afganistani apo nga shtetet arabe andej”, thotë Selami Mehmeti, kryetar i bashkësisë lokale të fshatit Llojan. Një banorë tjetër i këtij fshati, Bunjamin Ramadani, thotë se numri shtohet nga dita në ditë dhe kjo varet nga fakti se sa prej tyre arrijnë të depërtojnë në Serbi dhe vazhdojnë rrugën drejt vendevetë BE-së dhe sa prej tyre kthehen përsëri në këtë fshat.

Një bashkëbisedues tjetër nga ky fshat, Iljasa Saliu, i cili njëherit është dhe publicist, thotë se ky karvan i përvuajtur paraqet pikërisht fytyrën e vërtet të Maqedonisë, duke aluduar në institucionet shtetërore të cilat me mosreagimin adekuat kanë irrituar edhe popullatën vendase.
“Në bazë të disa informatave prej vetë banorëve të fshatit, numri i tyre supozohet të jetë 300 të ardhur, me ndryshime të herë pas hershme, ku para një viti numri dukej të ishte dyfish më i lartë”, thotë Saliu. Ai thotë se në mesin e këtyre emigrantëve ka të atillë, që paraqiten si udhërrëfyes - bartës për në vendet e Evropës Perëndimore, që e njohin mirë terrenin dhe gjuhët që fliten nëpër këto treva. “Këtë kemi mundur ta kuptojmë, ku për tri vjetë radhazi i kemi parë të njëjtit persona, mbase të integruar shkëlqyeshëm në mesin e banorëve të Llojanit dhe nuk ishte ndonjë vështirësi të vëreje se kush është inkuadruar në këtë tregëti”, thotë Saliu. Autoritetet përgjegjëse, konkretisht Ministria e Punëve të Brendshme në sytë e banorëve të fshatit Llojan shihet si e dështuar, ndërsa shumë prej tyre edhe dyshojnë se në mesin e uniformave blu ka dhe nga ata që përfitojnë.

“Disa hereë e kemi lajmëriar policinë në Mateç edhe në Kumanovë, por asgjë. Vijnë sa për sy e faqe, i marrin nga 10-15 prej imigrantëve, i çojnë në Kumanovë, pas 4-5 orëvë i kthejnë përsëri në Llojan”, thotë Mehmeti, udhëheqësi i banorëve të Llojanit. Banorët thonë se ia kanë dhënë të gjitha informatat policisë së një taksi kompani nga Gjevgjelia dhe një tjetër nga Kumanova janë ata që sjellin emigrantët në hyrje të fshatit, por se ende asgjë s’është ndërmarrë.
Institucionet kompetente deklarojnë se do të ndërmarrin masa për deportimin e të gjithë atyre që ilegalisht janë futur në territorin e Maqedonisë. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Ivo Kotevski, ka deklaruar për mediat lokale se policia do të reagojë nëse bëhet fjalë për persona që kanë hyrë ilegalisht në Maqedoni. Ai ka sqaruar se çdo person që qëndron ilegalisht në Maqedoni, në momentin kur kapet nga policia, ai vendoset në qendrën transitore për të huajt. “Nëse kërkojnë azil atëherë ata përkujdesen në qendrën e azilantëve”.

Ndërkohë, në Qendrën e azilantëve në Shkup, sipas të dhënave zyrtare, aktualisht qëndrojnë vetëm 63 persona. Pjesa më e madhe e tyre janë nisur për në vendet e BE-së, por kanë përfunduar në Maqedoni. Edhe pse kjo qendër funksionon që nga viti 2008, vetëm gjatë 2011-ës kanë qëndruar 670 persona, pjesa më e madhe të ikur nga Afganistani. Kompetentët e Qendrës thonë se për pesë here është rritur numri i atyre që kërkojnë azil në Maqedoni. Por, statistikat tregojnë se që nga viti 2005 e deri më tani vetëm 12 persona kanë marrë përgjigje pozitive.

Greqia, qendra e trafikantëve
Përqendrimi i një numri të madh të imigrantëve në Greqi ka bërë që ky shtet evropian të shndërrohet në një qendër ku operojnë trafikantët. Rrjeti i tyre evropian përbëhet nga agjenci turistike, kompani të transportit të mallrave, falsifikatorë dokumentesh të udhëtimeve, taksistë, fermerë si dhe zyrtarë shtetërorë.
Sipas të dhënave nga Departamenti grek për Mbrojtjen e Qytetarëve, vetëm gjatë muajit shtator të vitit 2011 në pikën kufitare Evros me Turqinë janë arrestuar 7052 imigrantë illegal, në gusht 6339, në korrik 5941 dhe në qershor 3689. Një numër më i vogël është arrestuar nga janari deri në maj të vitit 2011. Shpesh ka ndodhur që trafikantët t’i kenë lënë në ujë emigrantët dhe t’ia kenë mbathur pasi kanë hetuar se mund të kapen nga policia. Kjo ka rezultuar me disa imigrantë të vdekur nga të ftohtit ose nga mbytja në ujë.

Hulumtimi tregoi se mënyra më e shpeshtë që përdoret nga trafikantët për të bartur emigrantët në vendet e BE-së është nëpërmjet dorëzimit të tyre në duart e rrjeteve kriminele të çdo shteti. Emigrantët që vijnë në Maqedoni kalojnë ilegalisht kufirin në afërsi të qyteteve Gjevgjelija apo Dojran, prej nga merren në ‘përkujdesje” nga rrjeti i trafikantëve të këtij vendi. Të njëjtit, për një shumë prej afër 500 eurosh marrin obligim t’i kalojnë ilegalisht në kufirin me Serbinë, ku ua dorëzojnë trafikantëve serbe, të cilët i kalojnë ilegalisht në Hungari.

Por, shpesh ndodh që tërë rrugën ta marrin përsipër trafikantët grek. Agjenci turistike të involvuara në rrjetin kriminel i fshehin emigrantët në autobusët e tyre, përderisa një pjesë e trafikantëve maskohen si turistë të nisur në ekskursion në vendet e BE-së. Ka të atillë që udhëtojnë me avionë privat deri në destinacionin e dëshiruar, pasi paraprakisht të jenë pajisur me pasaporta false. Në këtë drejtim, më 7 janar të 2011 policia greke kapi një grup të imigrantëve ilegal nga Afganistani që kishin siguruar pasaporta false daneze për të fluturuar në Romë dhe Xhenova. Për udhëtimin e tyre ishte siguruar edhe një avion privat, kurse vetëm fluturimi kushtonte 11 mijë euro. Grupi u arrestua në aeroportin e Kavalas dhe të Janinës dhe përbëhej nga dy gra marokiene me pasaportë italiane, dy pilotë nga Italia dhe një agjent turistik nga Greqia, i cili kishte paguar për avionin privat. Rruga tjetër është nëpërmjet kompanive transportuese, duke fshehur emigrantët ilegal prapa mallit të ngarkuar nëpër maune.

Emigrantët afganë e iranianë në Shqipëri me pasaporta false

Derisa Maqedonia mbetet ende vend lehtë i kalueshëm për emigrantët dhe parajsë për trafikantët me njerëz, Shqipëria duket se ka shtuar masat në pengimin e kësaj tregëtie ilegale. Por, jo mjaftueshëm.
Përfaqësues të policisë shqiptare mundohen të na bindin se emigrantët e huaj nuk mund të kalojnë për në shtetet evropiane duke përdorur brigjet shqiptare si vend kalim. Sipas tyre, brigjet shqiptare monitorohen rreptësisht dhe janë shkatërruar të gjithë rrjetet e trafikimit parmes mjeteve lundruese. Por kjo përgjigje e dhënë me shkrim nga një burim zyrtar i Policisë së Shtetit shqiptar pas kërkesës tone, është ndjekur nga një varg ngjarjesh në fund të muajit nëntor dhe fillim të dhjetorit, ku grupe klandestinësh afganë, pakistanezë apo iranianë janë kapur në brigjet italiane, pasi ishin nisur me gomone nga Shqipëria. Po ashtu në Kapshticë në kufirin e Shqipërisë me Greqinë u kapën këto ditë 4 klandestinë afganë të fshehur në një kamion, si dhe një shtetas iranian i pajisur me dokumente false që i kishte siguruar në Athinë.
Më 9 dhjetor 2011 në brigjet italiane në Salento, kishin mbërritur dy varka me 57 klandestinë afganë e iranianë, të cilat ishin nisur nga Shqipëria. Agjencia e lajmeve citoi policinë italiane, e cila kishte njoftuar se dy varkat ne bord kishin 4 gra dhe 26 fëmijë, mes të cilëve 4 ishin vajza të mitura, ndërsa pjesa tjetër 27 klandestinë, ishin meshkuj.
Nga ana tjetër policia e shtetit shqiptar ka nxituar ta përgënjeshtrojë këtë lajm. “Nuk është e vërtetë se 57 klandestinët afganë dhe iranianë të kapur në brigjet e Salentos në Itali, erdhën nga Shqipëria. Brigjet shqiptare monitorohen në mënyrë të vazhdueshme nga aparatura të teknologjisë më të fundit bashkëkohore, si dhe nga mjete lundruese të fuqishme, të cilat bëjnë të mundur kontrollin e hapësirës ujore dhe ndërhyrjen në mënyrë të menjëhershme në rast tentative trafikimi”, u shpreh përmes deklaratës publike zyra e medias në Policinë e Shtetit.
Sipas investigimti tonë, prej dy vitesh, kundrejt pagesës 1000 - 1500 euro për person, nga brigjet e Vlorës dhe Sarandës janë nisur drejt Italisë disa mjete lundrimi që kanë transportuar klandestinë afganë, pakistanezë dhe iranianë.
Skema e lëvizjes është kjo. Pasi mbërrijnë në Greqi nga Turqia, përmesa ndërmjetësve, dhe të pajisur me dokumente false, dhjetra klandëstinë kalojnë kufirin greko-shqiptar, kryesisht në Kapshticë, por edhe në Kakavijë, dhe pasi lidhen me skafistë në jug të vendit, mësyjnë brigjet e Italise me gomone.
Këtë skemë, që na e tregon jo zyrtarisht një punonjës i policisë së Vlorës, e vërtetojmë në rrugë zyrtare përmes ngjarjeve të fundit. I referohemi këtu ngjarjeve të 27 dhe 28 nëntorit të këtij viti, kur nga policia e Korçës u njoftua se një valë klandestinësh afganë, pakistanezë e iranianë po vijnë drejt Shqipërisë nga Greqia.
Vendkalimi kufitar i Kapshticës duket se është kthyer në një portë të hyrjes së klandestinëve nga Afganistani, Pakistani dhe Irani. Këtë gjë e dëshmojnë arrestimet e fundit në këtë pikë kufitare të shtetasve të huaj. Me 27 nëntor u njoftua se në këtë pikë kufitare u zbuluan katër shtetas të huaj, tre prej të cilëve afganë dhe një pakistanez. Katër emigrantët klandestinë u gjetën brenda një kamioni, ndërsa shoferi që e drejtonte, po i transportonte me destinacion përfundimtar Italinë. Shtetasit afganë ishin të moshave nga 20 deri 25 vjeç, ndërsa shtetasi pakistanez në moshë 18-vjeçare. Kamioni i përkiste një firme të importit të fruta-perimeve me Greqinë. Shoferi i mjetit, Slavko Sekuliç, nga Podgorica e Malit të Zi, 55 vjeç, u arrestuar në këtë rast me akuzën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Burime të policisë kufitare në doganën e Kapshticës, bënë të ditur se kanë përforcuar kontrollet kundër emigracionit klandestin të shtetasve që vijnë nga Lindja e Mesme. Po ashtu në këtë pikë doganore u arrestua edhe një shtetas iranian. Drejtoria rajonale e policisë së kufirit në Korçë, deklaroi zyrtarisht se i arrestuari ishte 28-vjeçari Yaghob Asgari, nga Teherani, i cili ka tentuar të hyjë në territorin shqiptar me një pasaportë të falsifikuar bullgare.
28-vjeçari nga Teherani, por me kombësi turke, është dyshuar për një hyrje të paligjshme në Shqipëri nëpërmjet doganës së Kapshticës, nga pajisja e tij me pasaportë bullgare. Vetë 28-vjeçari iranian i ka deklaruar policisë së kufirit në Kapshticë se këtë pasaportë bullgare e kishte përfituar në Athinë, kundrejt një pagese prej 400 eurosh.

Ky investigim është mbështetur nga projekti SCOOP dhe Shoqata Daneze e Gazetarëve Hulumtues

(shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë