Nga Basha, Genc Pollo tek Meta, si e shantazhuan ish bashkëpunëtorët Sali Berishën duke i mbyllur gojën nën kërcënimin e zbulimit të të vërtetave tronditëse

Nga Basha, Genc Pollo tek Meta, si e shantazhuan ish bashkëpunëtorët Sali Berishën duke i mbyllur gojën nën kërcënimin e zbulimit të të vërtetave tronditëse

Lulzim Basha, Genc Pollo dhe Ilir Meta

TIRANË- Para 9 shtatorit 2021 do të dukej thjeshtë e pabesueshme, por sot është e vërtetë. Kërcënimit të Sali Berishës për t’u larguar sa më parë në Holandë, diversioneve dhe shantazhit të tij me përgjime, Lulzim Basha i është përgjigjur me të njëjtën gjuhë, me kërcënime dhe shantazh, por gjithnjë pa kaluar vijën e kuqe. Në fund të aksionit të ‘Foltores’, kur Berisha intensifikoi akuzat, Basha tregoi një tjetër anë të tij, teksa deklaroi i prerë se PD-ja nuk do të kthehej në bunker anti-amerikan për të mbrojtur Familjen Berisha, theksoi se vinte nga fisi Hoti dhe foli për llumin e qeverisjes së Berishës.

“Përtej tymnajave, plani i tij, nëse do të flitej për një plan, është shndërrimi i Partisë Demokratike në një bunker antiamerikan për interesin e tij... Unë nuk kam folur dhe jam akuzuar se pse nuk flas, edhe pse vij nga fisi i fjalës, qoftë nga Basha, qoftë nga Hoti (nëna). Nuk kam dashur t’i hedh kripë plagës, edhe pse statuti ma njeh këtë të drejtë që vendosa për Berishën... A ka pasur llum në kohën e qeverisjes së PD? Po, një pjesë e kemi pastruar kur ishim në qeverisje, një pjesë nuk kemi dalë ta pastrojmë”, ka deklaruar Basha, duke mbrojtur vendimin për përjashtimin e Berishës nga grupi i deputetëve të PD-së dhe rrjedhimisht nga partia, në zbatim të një kërkese ultimative të SHBA. 

Të gjitha këto deklarata reflektojnë një mesazh të qartë për Sali Berishën: Lulzim Basha mund të flasë për veprimtarinë e zezë të Sali Berishës dhe Familjes së tij, për afera dhe implikime që ndoshta nuk i di askush apo që dihen pjesërisht dhe në mënyrë të mjegullt. Basha ISHTE bashkëpunëtori më i besuar i Sali Berishës nga viti 2005 deri në 9 shtator 2021. Ishte dëshmitar i veprimeve në prapaskenë të Berishës për shumë ngjarje të rënda, por sidomos për veprimet, urdhrat dhe lëvizjet gjatë dhe pas vrasjeve të 21 Janarit 2011.

Shantazhi i Bashës ndaj Berishës u pasua nga një lëvizje konkrete dhe kërcënuese nga ana e Bashës, i cili propozoi nismën ligjore për Vetingun në politikë, duke parashikuar verifikimin e dy fëmijëve dhe dhëndrit të Berishës për burimet e pasurisë dhe lidhjet e mundshme me krimin. Qëndrimi i Bashës është reflektuar menjëherë tek Berisha, i cili ka zbutur gjuhën, duke u tërhequr gradualisht nga kërcënimet e koduara dhe mesazhet shantazhuese.

Lulzim Basha nuk është politikani dhe ish bashkëpunëtori i vetëm që shantazhon dhe i mbyll gojën Sali Berishës. Në vitin 2015, Ilir Meta ‘çarmatosi’ Sali Berishën me një mesazh shantazhues, duke e kërcënuar hapur se do t’i zbulonte një aferë të të birit, Shkëlzen Berishës.

Dy vjet pasi Ilir Meta u bashkua me PS-në, në mars të vitit 2015, Berisha vendosi të hakmerrej ndaj tij. Berisha i kërkonte Metës të jepte dorëheqjen si kryetar Kuvendi dhe të paraqitej në prokurori, pasi akuzohej se kishte porositur vrasjen e dy deputetëve, Tom Doshit dhe Mhill Fufit. Berisha përdori maksimalisht këtë akuzë të dyshimtë dhe angazhoi grupin e PD-së kundër Metës.

Në seancën e datës 5 mars 2015, Berisha dhe Meta u përballën në Parlament, duke akuzuar njëri-tjetrin për vrasje. Ndërsa Berisha vijoi akuzat, Ilir Meta vendosi të përdorë armën e fundit për ta ndaluar. Meta i përmendi për herë të parë Berishës një video të Shkëlzen Berishës. Meta zbuloi edhe një sekret, teksa tha se Shkëlzeni ishte në videot e Dritan Priftit, video e cila ishte parë nga Berisha.

“Se të kërcënon ty Dritani me videot e Zenit, bashkë me Tomën, kjo është çështje tjetër, nuk është çështja ime, të lutem shumë! Herën e parë, dorëheqjen e dhashë prej Shkëlzenit, se ai ishte në videon e Dritan Priftit, dhe ti e di shumë mirë, dhe më the: “Shiko çfarë ka bërë ky budallai”. Ashtu më the! Më thoshe: “Ça t’i bëj këtij budallait se më turpëroi!” Vazhdo ende me mendtë e Shkëlzenit! Vazhdo, se unë nuk kam çfarë të bëj për ty”, tha Meta.

Teksa Berisha nuk po tërhiqej, Meta e kërcënoi për herë të parë Berishën, se do të publikonte videon. “Jo, jo, derisa i ke ti, do t’i nxjerrësh ti. Unë do të nxjerr ato...”, tha Meta. Për t’i treguar Berishës se e kishte seriozisht, Meta autorizoi Spartak Brahon, për të publikuar videon në seancën e ardhshme. Kaq mjaftoi që Sali Berisha të mbyllte gojën, ndërsa Meta anuloi publikimin e videos.

Pranvera e vitit 2015 shënoi edhe përplasjet e fundit mes Metës dhe Berishës, të cilët u bashkuan dy vjet më pas. Që nga ajo ditë, Sali Berisha nuk ka artikuluar qoftë edhe një akuzë ndaj Ilir Metës.

Një përpjekje për të shantazhuar Sali Berishën ka ndërmarrë edhe Genc Pollo, sot mbështetës i ‘Foltores’. Në fund të vitit 1998 u përvijua një konflikt mes Polos dhe Berishës, duke dalë në pah në vitin 1999, kur Pollo tha se do të sfidonte Berishën për kreun e PD-së. Konflikti u përshkallëzua me shkëputjen e një grupi deputetësh nga PD-ja, me në krye Pollon dhe Tritan Shehun, duke krijuar më pas një parti të re.

Pollo angazhua për të zbuluar një dosje të pretenduar të Sali Berishës si bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit. Dosjen ia kërkoi Nazif Bezhanit, i cili ishte kryetar i Komisionit Shtetëror për Kontrollin e figurës së zyrtareve dhe personave të larta, për lidhjet e tyre me ish-Sigurimin e Shtetit.

Në një libër me kujtime, Nazif Bezhani rrëfen se “...një nga ngjarjet interesante ishte shkëputja e një fraksioni nga Partia Demokratike, me pretendimet e tyre kundër udhëheqjes së Partisë. Një nga pjesëtarët e këtij grupi, i konsideruar kryetar provizor, erdhi në zyrën time dhe më kërkoi me këmbëngulje kontrollin e figurës së kryesisë së Partisë Demokratike, e në veçanti, të Sali Berishës dhe Pjetër Arbnorit. Ai më siguroi se të dy kanë qënë agjentë, por jo vetëm kaq. Kur unë kundërshtova për të marrë përsipër një verifikim të tillë, për shkak se nuk kishte bazë ligjore, i ashtuquajturi kryetar më kërcënoi se do t’i drejtohej për gjykim opinionit, nëpërmjet masmedias...”.

Sali Berisha u afrua me Pollon dhe Shehun më vonë, ndërsa partia e tyre u shkri me PD-në para zgjedhjeve parlamentare të 2009. Nuk dihet nëse Pollo ka siguruar ndonjë material shantazhues ndaj Berishës, por konflikti mes tyre u shua, ndërsa Pollo ishte ministër në qeverinë Berisha për tetë vite me radhë 2005-2013, si dhe deputet deri në vitin 2019.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja