Edison Ypi: Nga bundrrat e Tiranës tek Majlinda e punës

Edison Ypi: Nga bundrrat e Tiranës tek Majlinda e punës

Festa e Ullirit

Ta pranosh ftesët për të vajtur në promuovimin e njërit nga librat e shumtë që ka autor, kopertinë, çmim, por s'ka energji, s'ka magji, s'ka asgjë - je aq budalla sa më mirë gjej një çengel, ngule në tavan, merr një litar, lyeje me sapun, dhe gjithçkaje jepi fund.
Ta pranosh ftesën që të vjen me rastin e hapjes së një butiku - je aq bosh, jeton aq kot, sa më mirë merr një gotë uji, mbushe përgjysëm, mbytu në të.
Ta pranosh Ftesën që të vjen për të marrë pjesë në Festën e përvjetorit të Brigadës X apo Regjimentit Y gjatë asaj luftës inekzistente - veten s'të lypset ta vrasësh, veten e ke vrarë me kohë.
Ama të erdhi një Ftesë të shkosh te
"Festa e Ullirit", pamja ndryshon rrënjësisht.
Le pastaj kur kjo Ftesë të njofton se ajo Festë bëhet në një fshat që quhet Luar, e për më tepër që Ftesën ta ka bërë me firmë e me vulë e famëshmja, e palodhura, e papërtuara Kryetare e Roskovecit Majlinda Bufi, me ma pre mishin me gërshërë me ma bo kukurrec, këtë Ftesë e atë Ftesë nuk i refuzoj, nga varri ngrihem shkoj e respektoj.
E sheh atë Ftesë, dhe syve nuk u beson.
Nga ora 9 paradite deri në mesditë, pra brenda 3 orësh, maratonë vrapimi, vizitë në parkun agro-turistik, vizitë në Pyll, Panair me gatime të zonës, bimë medicinale, objekte muzeore, ekspozitë me aktivitete argëtuese sportive, fjala e hapjes e zonjës Majlinda Bufi si në filmat kolosalë ku titulli dhe infot jepen pasi filmi ka filluar, ndarje çmimesh për fituesit e maratonës, ndarje çertifikatash për prodhuesin më të mirë, të vajit të ullirit më të mirë, rakisë më të mirë, verës më të mirë, dhe në fund koncert festiv.
Tërë këto mrekullira, vërtet do ndodhin brenda 3 orësh ?
Nuk do marr në telefon. Nuk do pyes njërin e tjetrin. Do iki ta verifikoj vetë.
Isha dhe e pashë.
Gjithçka më se e vërtetë.
Kanë ardhur me makina. Ndoshta dyqint a treqintë makina. Dhe çfarë makinash. Nga më të mirat.
Djem, vajza, banorë, bujq, fermerë, të gjithë në ekstazë.
Roskovecarët dhe mysafirët nuk kanë kohë për të humbur, kohën e kursejnë, nguten të festojnë.
Duke i parë aq energjikë, kupton se Kryetarja menunë e Festës e ka bërë të ngjeshur ngaqë roskovecarët princër e mbretër kohën e kanë të racionuar.
Gjëmon zëri i Kryetares: Nuk na duhen emrat e rrugëve si "Rruga e Ferrave" apo "Rruga e Plepave". Tu vemë rrugëve emra të individësh aktivë dhe pozitivë me kontribut në komunitet.
Rrugë të asfaltuara. Vila gjithadej. Lokale të pastra. Fushë për aktivitete. Fushë sporti. Luari duket si fshat zviceran.
Rresht mbi bankarela prodhimet bujqësore dhe blegtorale. Secili prodhimin e vet, ta jep edhe ta shijosh paraprakisht.
Pranë mbishkrimeve që tregojnë llojin e produktit të ekspozuar, në një fletë të veçantë falenderimi i Kryetares për pjesmarrjen në Panair.
Majlinda Bufi nuk falenderon me llafe që i merr era.
Kryetarja falenderon me firmë dhe vulë që mbeten përgjithmonë. Prodhuesi i vajit të ullirit, rakisë, verës, etj, falenderimin e Kryetares e var në mur si fotografinë kur ka qënë vetë ushtar, djalit apo çupës në universitet, nipit në kurbet, dhe me atë falenderim mburret me plot të drejtë.
Mesditë.
Festa dhe Panairi po mbyllen.
Ca janë shtruar në restorant. Ca bëjnë muhabet. Ca po kthehen.
Pa ti biem një herë rrotull Luarit duke kaluar nëpër pyllin e famshëm.
Nga "Pylli i Luarit" duket në pëllëmbë të dorës Myzeqeja si qiell i blertë me serra si re të bardha.
Shtëpitë s'janë të ndara me mure të turpshme dhe të frikshme si në ca vende të tjera. Kanë vetëm gardhe simbolikë që shënojnë kufijtë e pronës.
Në Luar të gjitha shtëpitë janë vila.
Të gjitha oborret janë plot e përplot me pemë frutore dhe gjela deti që çukisin ç'u hedh amvisa.
Tu thuash luarasve: Më jep një gjeldet, ose 1 litër raki, a 1 kilogram mollë, ti paguaj sa bëjnë, të thonë: Më vjen keq, i kemi të gjitha bio, dhe të gjitha të shitura, gjelat e detit, rakinë, verën, frutat, të gjitha.
Duhet me u kthy.
Nuk bën mirë për shëndetin psiqik të kthehesh befas nga Parajsa në Ferr.
Iki në Kurjan.
Ndërsa nga Luari që sheh nga veriu duket Myzeqeja, nga Kurjani që sheh nga jugu duket Mallakastra me qindra kodrat e malet e saja.
Bukuria e Kurjanit është fërgëlluese.
Katër gjimnaziste maturante mallakastriote po kthehen nga shkolla.
Niagarë të qeshurash.
Të katra perrira.
Të katra me plane, idera, alternativa.
Njëra, ajo më e bukura, thotë:
-Do studjoj për ekonomi. Do i vë syrin një djali vendali që do mbarojë agronomi. Do dashurohemi. Do kthehemi në fshat. Do fejohemi. Do martohemi. Do ngremë Fermë gjigande. Do bëjmë një tufë kalamaj.
Pyes një kurjanas me motoçikletë:
-A jemi në Mallakastër këtu ?
Thotë mallakastrioti,
-Hiq një vizë me shkumës përgjatë asfaltit të Bulevardit të Roskovecit. Këndej është Mallakastër. Andej është Lalëri'.
Liqenin e Kurjanit, po ta shoh sot kam frikë se çmendem. Po e lë për një herë tjetër.
Kalon me uturimë një Toyota gjigande. Brenda nja katër a pesë buçko të fuqishëm turista gjermanë, ose polakë, ose çekë.
-Cilët janë ata që kaluan ? pyes një mallakastriot me cfurk në sup.
-Janë puntorë të fermës, thotë mallakastrioti.
Fshatra me rrugë të asfaltuara. Shtëpitë vila. Kopështije si të qëndisura. Prodhime bio të gjitha të shitura. E të tjera e të tjera.
Mund të thotë ndonjë skeptik se e paraqita shumë rozë.
Jo shoku Skeptik. Nuk e teprova aspak. Vërejtja jote ka gojë për të llapur, por nuk ka bythë ku të rrijë. Po të ishte si thua ti, pra që "katundet e sotëm duken të bukur nga jashtë por janë tmerr nga brenda", i bie që "katundet katastrofike të Diktaturës dukeshin të mjera nga jashtë, por nga brenda buçiste kënga e shtrohej gostia, vlonte hareja dhe lumturia".
I shijshëm si kafshimi i një molle plot lëng ky udhëtim i paharruar nga bundrrat e kafeneve të Tiranës te Majlinda e punës.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emigranti: 01/11/2021 01:14

    BRAVO EDISON YPI...JE NJE FIGURE NE GAZETARI...NA KENAQE ME KETO SHKRIME TE BUKURA PER VENDIN TONE...ju pershendesim nga larg..

    Përgjigju
  • Liri: 31/10/2021 21:30

    Bravo majlinda. Harram e pacin barkderrat bashkiak turp tu vij para tyj

    Përgjigju
    • LALA: 01/11/2021 02:25

      Liri e dashur thuhet.. ...turp t'ju vij para teje...

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi për Lezhën, PS merr shumicën në këtë qark, diferencën e thellon emigracioni! Rriten partitë e reja

Sondazhi për Lezhën, PS merr shumicën në këtë qark, diferencën e thellon emigracioni! Rriten partitë e reja