Festivali i Filmit në Kanë nis më 12 maj dhe, edhe pse këtë vit studiot e mëdha amerikane duket se kanë zgjedhur të mos kenë praninë e zakonshme, tapeti i kuq në Francë do të mbushet sërish me emrat më të mëdhenj të kinemasë botërore.
Mes pak projekteve amerikane që do të marrin vëmendje janë festimet për 25-vjetorin e “Fast and Furious”, ku priten Vin Diesel, Jordana Brewster dhe Michelle Rodriguez, si edhe 40-vjetori i “Top Gun”, që do të organizohet në plazh.
Në edicionin e 79-të të festivalit do të jenë Barbra Streisand dhe Peter Jackson, të cilët do të nderohen me Palmën e Artë për karrierën. Në jurinë ndërkombëtare do të marrin pjesë Demi Moore dhe Stellan Skarsgard, ndërsa Julianne Moore do të vlerësohet me çmimin “Women in Motion”.
Në Kanë do të parakalojnë gjithashtu Cate Blanchett, Javier Bardem, Penelope Cruz, Glenn Close, Tilda Swinton, John Travolta, Kristen Stewart, Gillian Anderson, Bill Murray, Scarlett Johansson, Monica Bellucci, Sandra Huller, Adam Driver, Rami Malek, Woody Harrelson, Michael Fassbender, Alicia Vikander, Sebastian Stan dhe shumë emra të tjerë të njohur.
Pjesë e festivalit do të jenë edhe ikonat e kinemasë franceze si Isabelle Huppert, Lea Seydoux, Marion Cotillard, Virginie Efira, Catherine Deneuve dhe Charlotte Gainsbourg. Përveç premierave të filmave, Cannes do të shoqërohet edhe nga mbi 50 festa dhe evente VIP. Nga “Chopard Dinner & Love Party” deri te “Eva Longoria Global Gift Gala”, ndërsa kulmi pritet më 21 maj me “Amfar Gala” në Hotel du Cap-Eden-Roc në Antibes.
Në eventin bamirës për kërkimin shkencor kundër Sidës, do të performojnë Robbie Williams, Pink Pantheress dhe Zara Larsson. Pas mesnate do të organizohet edhe “DiCaprio Amfar Afterparty”, festa tradicionale e Leonardo DiCaprio që zgjat deri në agim.
Një tjetër surprizë këtë vit është edhe seriali “The White Lotus”. Sezoni i katërt do të xhirohet pjesërisht gjatë festivalit dhe në tapetin e kuq do të jetë një pjesë e kastit, mes tyre Laura Dern, Vincent Cassel, Heather Graham dhe Rosie Perez.
Sa u përket filmave që pritet të marrin vëmendje, regjisori iranian Asghar Farhadi rikthehet me “Histoires Parallèles”, ku luajnë Isabelle Huppert, Virginie Efira, Vincent Cassel dhe Catherine Deneuve. Filmi trajton ndikimin e sulmeve terroriste të Parisit të vitit 2015 në jetën e disa personazheve.
Javier Bardem do të jetë protagonist në “El ser Querido” të Rodrigo Sorogoyen, ku luan një regjisor me marrëdhënie të vështirë me vajzën e tij. Penelope Cruz dhe Glenn Close luajnë në “La Bola Negra”, film i frymëzuar nga një vepër e papërfunduar e Federico Garcia Lorca.
Michael Fassbender dhe bashkëshortja e tij Alicia Vikander rikthehen bashkë në thrillerin fantastiko-shkencor “Hope”, ndërsa Scarlett Johansson, Adam Driver dhe Miles Teller luajnë në “Paper Tiger”, një thriller mes politikës dhe botës së krimit.
Sebastian Stan dhe Renate Reinsve janë protagonistët e “Fjord” të Cristian Mungiu, ndërsa Andy Garcia rikthehet si regjisor pas 21 vitesh me filmin noir “Diamond”, ku luajnë Bill Murray, Dustin Hoffman, Brendan Fraser dhe Vicky Krieps.
Ndër filmat më të komentuar është edhe komedia “Full Phil” e Quentin Dupieux me Woody Harrelson dhe Kristen Stewart, që regjisori e ka përshkruar si “Emily in Paris”, por në version makthi.
Komente





