Nga Cërnica në Bujanoc, 2 dekada studime arkeologjike nxjerrin ‘Dardanët’ të plotë, Përzhita: Historia me gërmimet, pse Damastion mendohet si kryeqendra e Mbretërisë

“Dardanët” vijnë të plotë, nën botimin e akademikut Luan Përzhita. Një punim i shtrirë në bibliotekë e terren, që e ka zanafillën më shumë se dy dekada më parë, kur arkeologët nisin të kërkojnë në Kosovë, gjurmë të trashëgimisë ilire.

“Në vitin 2000 ne filluam kërkimet arkeologjike së bashku me kolegët tanë të Muzeut të Kosovës për hulumtimet arkeologjike të cilat menjëherë u startuan pas krijimit të një situate re që është edhe çlirimi i Kosovës.”, thotë studiuesi i Arkeologjisë, njëherazi rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike Luan Përzhita.

Gjatë kësaj periudhe studimet kanë avancuar me plotësimin e hartës arkeologjike të Kosovës, zbulime e botime, siç janë 500 qendrat arkeologjike në Rrafshin e Dukagjinit. E ky studim në 300 faqe, gërsheton historinë e arkeologjinë, për të dhënë një panoramë të transformimeve nga Prehistoria në Mesjetë, edhe përmes ilustrimeve.

“Jemi fokusuar në gërmimet arkeologjike duke filluar që me kulturat prehistorike të tumave dardane, ilire ashtu edhe me vendbanimet e tjera siç janë ato që lidheshin me mbretërinë dardane apo vendbanime të periudhave të ndryshme siç është ajo e pushtimit romak,  periudha bizantine mjaft e pasur dhe periudha e hershme shqiptare”, thotë Përzhita.

Të dhëna të reja për fisin e Dardanëve, datojnë në shekujt IV-II para Krishtit në qytetin Damostion, që mendohet të ketë qetë një pikat kyçe të zhvillimit.

“Vazhdimisht studiuesit kanë kërkuar në territorin e Dardanisë, qendrën ose kryeqendrën Dardane, e cila sipas burimeve historike thuhet se kishte prerë edhe monedhat argjendi edhe ari me siglën Damastion, pra ishte kryeqendra e Mbretërisë Dardane. Kërkimet e fundit që po bëhen në Jug të Serbisë në zonën e Bujanocit, në Kërshevicë, kanë dhënë një material shumë të pasur arkeologjik, pra mendohet që edhe kjo qendër mund të jetë ajo që shënojnë autorët antikë, qendra e Damastionit. Kjo është një ndër qendrat më të rëndësishme ku duhet të vijojnë gërmimet arkeologjike, të cilat bëhen me hope për hir të së vërtetës, nuk ka vazhdueshmëri”, shprehet arkeologu.

Kërkimet arkeologjike që janë kryer jo vetëm në Kosovë, por edhe territoret përreth siç shpjegon studiuesi pasurojnë me fakte informacionin për Mbretërinë, Provincën dhe Mesjetën Dardane.

“Ka shumë gërmime të tjera, si përshembull Cërnica, ku kanë punuar kolegë të Kosovës, që na ka dhënë material shumë interesant për Mbretërinë Dardane. Por ka edhe vendbanime të tjera në Nishin antik, në Scupin antik, kanë treguar se kanë disa nukle fillestare që mund të lidhen me pjesën e Mbretërisë Dardane”, thotë Përzhita. 

Materialet për Mesjetën e Hershme të gjendura në nekropolet Banjë të Malishevës, Graboc, etj. , japin të dhëna me interes edhe për kapërcimin e periudhave.

“Graboci dhe Banja e Malishevës janë dy nekropole të periudhës së hershme shqiptare që lidhen me kulturën e Komanit, ose të asaj faze që ilirët dora-dorës po kalonin fazën e tranzicionit për të dalë pastaj në histori si arbër ose arbëreshë. Janë disa vula që ndodhen në unazat zbukurimore të zbuluara në varrezat e këtyre dy pikave, që kanë postulatet e tyre që lidhen me formulat e pagëzimit të asaj kohe, ose që lidhen me formulat që i dedikohen virgjëreshës Mari, që janë zbuluar përafërsisht edhe në varrezën e Komanit, çka tregon edhe për elementët e krishterë që kishin banorët e kësaj kohe, si një etni e cila ishte mjaft mirë e organizuar dhe mjaft mirë e konsoliduar. Madje ka edhe burime historike tashmë që i përmend në libër që tregojnë se ky organizim vazhdoi deri në shekullin e XIX, pra deri në pushtimin bullgar”, tregon arkeologu.

Mbetet ende punë për tu bërë sipas studiuesit, lidhur me vendbanimet e Dardanëve, dhe të dhënave arkeologjike që mund të gjenden brenda dhe jashtë territorit.

“Gërmimet duhet të vijojnë edhe në Shkupin antik, sidomos në rrethinat e këtij territori sepse ka të dhëna që ka pasur qytetërim të Mbretërisë Dardane në këto zona, me shumë rëndësi janë shumë fortifikime e qyteza që ndodhen në Kosovë. Vetëm aty ndodhen mbi 70, pa llogaritur Shkupin apo jugun e Serbisë ose pjesa tjetër që lidhet me Ohrin. Të cilat, në bazat e tyre, pavarësisht se lindën në një periudhë që lidhet me periudhën e hekurit, para fillimit të qytetërimit, besoj se ato kanë brenda tyre edhe elementë që lidhen me Mbretërinë Dardane. Po ashtu edhe shumë vendbanime të tjera, që janë të periudhave të shek. I ose II me depërtimet e para të Romës në këtë territor bazamentin e tyre e kanë me siguri të periudhave të Mbretërisë Dardane. Pra mbetet një punë kolosale për ti kërkuar në mënyrë sistematike institucionale, pasi kjo kërkon mbështetje financiare”, thotë Përzhita.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD/ Kulluri: Pjesëmarrja për turp! Elezi: Pse nuk bllokojnë godinën e ‘narko shtetit’, po u nxijnë jetën qytetarëve?

Protesta e PD/ Kulluri: Pjesëmarrja për turp! Elezi: Pse nuk bllokojnë godinën e ‘narko shtetit’, po u nxijnë jetën qytetarëve?