Një sulm rus me dronë ndaj një treni civil pranë Kharkivit ka ngritur shqetësime serioze për përdorimin e teknologjisë perëndimore në luftë dhe ka vënë në qendër të vëmendjes Elon Musk dhe rrjetin e tij satelitor Starlink.

Dyshimet lindën kur një tren civil me pasagjerë u godit nga dronë rusë në verilindje të Ukrainës, pranë Kharkivit, në një zonë mbi 50 kilometra larg vijës së frontit. Pamjet nga vendngjarja treguan vagonë të djegur, pasagjerë që largoheshin mes dëborës dhe sende të shpërndara përgjatë shinave. Të paktën pesë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e dënoi sulmin, duke e quajtur “terrorizëm”.

Ekspertët thonë se ky ishte një sulm i pazakontë dhe i rrezikshëm, sepse për herë të parë dronët rusë goditën me saktësi një objektiv civil në lëvizje, larg zonave të zakonshme të luftimit. Sipas tyre, një goditje e tillë nuk është e mundur pa përdorimin e teknologjisë së avancuar të komunikimit.

Një analizë e Institutit për Studimet e Luftës të cituar nga The Welt  tregon se Rusia po pajis dronët e saj gjithnjë e më shumë me antena të internetit satelitor Starlink, për t’u mundësuar operatorëve të shohin pamjet nga kamera e dronit edhe në distanca shumë të gjata. Këto sisteme, sipas ekspertëve, u lejojnë dronëve të godasin objektiva deri në qindra apo mijëra kilometra larg.

Kjo ka sjellë në qendër të debatit Elon Musk, themeluesin e SpaceX, kompania që zotëron rrjetin Starlink. Pas sulmit, Musk u kritikua publikisht dhe u pyet pse Starlink nuk bllokohet për përdorim nga forcat ruse. Ai reagoi ashpër, duke thënë se Starlink është shtylla e komunikimit ushtarak të Ukrainës dhe se mbyllja e shërbimit nuk është e thjeshtë.

Nga ana tjetër, ministri ukrainas i Transformimit Digjital falënderoi SpaceX për bashkëpunimin dhe përpjekjet për të kufizuar përdorimin e Starlink nga Rusia. Kompania ka deklaruar më herët se po përpiqet ta ndalojë këtë përdorim, por se dallimi mes përdoruesve ukrainas dhe rusë është shumë i vështirë.

Raportimet tregojnë se Starlink nuk është e vetmja teknologji perëndimore që po përdoret nga Rusia. Forcat ruse po përdorin gjithashtu pajisje rrjeti nga kompani amerikane dhe kamera civile kineze për komunikim dhe mbikëqyrje në vijën e frontit, shpesh duke anashkaluar sanksionet përmes tregjeve të treta.

Sulmi ndaj trenit civil në Ukrainë ka nxjerrë në pah një problem më të gjerë të luftës moderne: teknologji të krijuara për përdorim civil, të disponueshme lirshëm në treg, po shndërrohen në mjete lufte dhe terrori, shpesh pa kontroll real nga prodhuesit ose shtetet.