TIRANE- Territori i Shqipërisë do të vëzhgohet nga ajri ditë për ditë me qëllimin parandalimin e mbjelljes dhe identifikimin dhe eliminimin e parcelave që janë me kanabisa sativa. Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Shetit, që ka deklaruar se monitorimi do bëhet me një avion që është vënë në dispozicion nga Policia e Italisë. Ndërkaq, janë përcaktuar edhe zonat se ku do të fluturojë avioni. Takimi është bërë dje mes drejtuesve të policisë shqiptare dhe asaj italiane. Zv/Drejtori i Pёrgjithshёm pёr Sigurinё Publike, Altin Qato, gjatё këtij takimi ka bërë njё ekspoze tё planit tё veprimit, lidhur me hapat qё do tё ndiqen pёr monitorimin dhe kontrollin e plotё tё territorit.
 
DY POLICITË
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se, kjo masë është marrë për parandalimin e mbjelljes së lëndëve narkotike. “Nё kuadёr tё masave tё ndёrmarra pёr parandalimin e goditjen e kultivimit tё bimëve narkotike, është zhvilluar njё takim ndërmjet funskionarёve tё Policisё sё Shtetit dhe tё Policisё Italiane”, ka bërë të ditur Policia e Shtetit. Gjatё këtij takimi janë diskutuar hapat qё do tё ndërmerren nё bazё tё protokollit tё bashkёpunimit nёnshkuar ndërmjet policisё shqiptare dhe policisё italiane pёr monitorimin e territorit tё vendit me avion tё posaçëm, mjet qё do tё vihet nё dispozicion nga policia italiane. Nё kёtё takim të pranishëm kanë qenë, zv/Drejtorёt e Pёrgjithshёm tё Policisё sё Shtetit, pёrkatёsisht Sokol Bizhga dhe Altin Qato. Gjithashtu të pranishëm kanë qenë edhe drejtues tё strukturave tё luftës kundër drogës dhe bashkëpunimit ndёrkombёtar nё Policinё e Shtetit.
 
HARTA E FLUTURIMEVE
Delegacioni italian i ardhur në Shqipëri për të sjellë avionin mbikqyrës të territorit shqiptar, pёrbёhej nga funksionari i Drejtorisё Qendrore tё Policisё Kriminale, pёrgjegjёs pёr implementimin e operacioneve tё fluturimit, Funksionarё tё Guardia di Finanza, po ashtu dhe drejtues tё Misonit Interforze tё Policisё Italiane nё Shqipёri. Gjatë këtij takimi janë përcaktuar disa modalitete tё monitorimit tё territorit pёrmes avionit tё posaçëm dhe vendet se ku do të fluturojë për zbulimin e parcelave të mbjella me kanabis sativa. Veprimtaria pёr monitorimin e territorit do tё fillojё ditёn e hёnё, ku do tё nisё dhe monitorimi pёrmes avionit, proces i cili do tё pasohet nga veprimet nё terren tё forcave vendore tё policisё tё mbёshtetura nga forcat speciale, me qёllim asgjësimin e sipërfaqeve tё konstatuara.
 
MISIONI I AVIONIT
Avioni i vёnё nё dispozicion nga policia italiane, do të bëjë kontrollin e territorit për identifikimin e sipёrfaqeve tё mbjella me kanabis me qёllim që më pas të bëhet edhe asgjësimi i tyre. Gjithashtu janë përcaktuar edhe mënyra e raportimit tё pёrbashkёt pёr rezultatet, si dhe masat e sigurisё gjatё operacionit. Ky bashkëpunim dhe mbёshtetja e dhёnё nga policia italiane, janё njё kontribut i rёndёsishёm nё hapat e ndёrmarrё nga Policia e Shtetit pёr tё goditur kultivimin e bimëve narkotike.
 
KONTROLLET E MËPARSHME
Monitorimi i territorit me avionë special për identifikimin e sipërfaqeve të mundshme të kultivuara me bimë narkotike është bërë edhe herë të tjera. kështu në muajin gusht të vitit të kaluar, avionët italiane e shtrinë kontrollin e tyre në të gjithë territorin e vendit, për një periudhë rreth dy mujore, të ndarë në dy faza. Faza e parë u zhvillua nga data 3 deri më 20 qershor dhe aktualisht po zhvillohet faza e dytë e monitorimit, nga data 1 korrik deri më 7 gusht. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)