Një projekt i menduar për të zgjatur 8 deri në 10 vite është mbyllur në pak më shumë se dy javë. Vetëm 17 ditë pas nisjes së tij, Paolo Maldini dhe Leonardo kanë vendosur t’i japin fund aventurës së tyre në drejtimin e kombëtares italiane, duke lënë pas një situatë të papritur dhe një Federatë që duhet të nisë sërish nga zero.
Ish-kapiteni legjendar i Milanit ishte zgjedhur si drejtor teknik i Italisë me misionin për të ndërtuar një projekt afatgjatë dhe për të rikthyer “Azzurrët” në majat e futbollit botëror. Leonardo, si këshilltar i tij, ishte pjesë e të njëjtit plan. Por ideja e madhe për një rilindje të futbollit italian u rrëzua brenda 17 ditësh.
Kriza nisi pas vendimit të presidentit të FIGC (Federata Italiane e Futbollit), Giovanni Malagò, për të mos vazhduar me kandidaturën e Andrea Pirlos si trajner i ardhshëm i kombëtares. Maldini dhe Leonardo kishin besuar te ish-mesfushori italian, por refuzimi i kësaj zgjedhjeje solli përplasjen që përfundoi me dorëheqjen e tyre.
Maldini, i njohur për faktin se nuk pranon lehtë kompromiset, mori një vendim të ngjashëm me atë që kishte bërë më parë te Milani. Edhe largimi i tij nga drejtimi i klubit ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës erdhi pas mosmarrëveshjeve me pronarët për strategjinë sportive dhe merkaton. Këtë herë, qëndrimi i tij i fortë solli një tjetër ndarje. Maldini nuk pranoi të vazhdonte pa pasur kontrollin e plotë mbi projektin teknik dhe zgjodhi të largohej.
Nga ëndrra Ancelotti dhe Guardiola te zgjedhja Pirlo
Misioni i parë i Maldinit dhe Leonardos ishte gjetja e trajnerit që do të udhëhiqte Italinë drejt një epoke të re. Fillimisht u përmendën emra të mëdhenj si Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola, por të dyja mundësitë u mbyllën me refuzime. Pas tyre, alternativa kryesore u bë Andrea Pirlo. Një emër i madh si futbollist, por një zgjedhje që solli shumë pikëpyetje për shkak të eksperiencës së tij si trajner. Maldini dhe Leonardo, megjithatë, ishin të bindur për këtë zgjedhje.
Por kandidatura e Pirlos u dobësua shpejt nga dyshimet sportive dhe polemikat rreth lidhjes së tij me kompaninë ruse të basteve Fonbet, ku ai është një nga figurat promovuese. Nga një “Maestro” i futbollit italian, Pirlo u kthye në një opsion të diskutueshëm, duke përshpejtuar edhe fundin e projektit të Maldinit.
Italia duhet të nisë nga fillimi
Pas largimit të Maldinit dhe Leonardos, Federata Italiane duhet të kërkojë një drejtues të ri teknik dhe një trajner të ri për kombëtaren. Emrat që rikthehen në garë për stolin e “Azzurrëve” janë Roberto Mancini dhe Antonio Conte, ndërsa koha po ecën shpejt me Ligën e Kombeve që afrohet në shtator.
Një projekt që ishte prezantuar si një ndryshim historik për futbollin italian u mbyll para se të merrte formë. 17 ditë mjaftuan që ëndrra e një epoke të re me Maldinin dhe Leonardon të shndërrohej në një tjetër krizë për kombëtaren e Italisë.

U duk se ishte vendosur gjithçka, por në fakt e ardhmja për trajnerin e ri të Italisë është ende e paqartë. Andrea Pirlo bëri me dije se nuk është më kandidat, Paolo Maldini dhe Leonardo më pas dhanë dorëheqjen nga postet drejtuese. Dhe tani duket se është hapur rruga për rikthimin e Roberto Mancinit në stolin e kombëtares italiane.
'Mancio' është kandidati i preferuar i Malagò dhe me largimin e drejtorit teknik dhe Leonardo, ai është në 'pole position' për të marrë drejtimin e Italisë, duke parakaluar kështu edhe Antonio Conten.
Pas refuzimit të Pep Guardiolës dhe Carlo Ancelottit, si dhe kaosit me Pirlon, çështja e trajnerit është bërë më komplekse. Para 'Maestros', emrat në listë ishin Roberto Mancini dhe Antonio Conte.
Trajneri kampion i Euro 2021 (Mancini) për momentin duket më afër. Conte ka deklaruar se nuk është kontaktuar asnjëherë për të marrë drejtimin e Italisë, megjithatë ai është kandidati i preferuar i presidentëve të Serie A, që kanë pasur një peshë të rëndësishme në zgjedhjen e Malagò si president federate.
Një rol vendimtar për zgjedhjen e Contes mund të ketë emërimi i Chiellinit në postin e drejtorit teknik të Italisë, në vend të Maldinit.
Komente








