Vitin e kaluar, prof. dr. Adem Mezini botoi librin e tij më të fundit: Nga Gorbaçovi tek Putini (Historia politike e tranzicionit rus). Me prof. A. Mezinin kam njohje të vjetër. Si ish student i tij jam i familjarizuar me figurën si pedagog, dhe ca më shumë me botimet e tij. Si pedagog dallohet për seriozitetin, për elokuencën, kumtimin e qartë e me hapësirë dhe për marrëdhëniet korrekte.
Prof. Mezini është autor i disa librave për historinë botërore, ndër të cilët do të përmendja: Bota nuk ndryshon vetiu (Tiranë, 2006), Revolucioni Demokratik në Rusi, 1905-1917(Tiranë, 2007), Shekulli XX (Tiranë, 2010), Refleksione për Kohët Moderne (Tiranë, 2000) etj. Pavarësisht nga tematikat e tyre, botimet e A. Mezinit dallohen për stilin lakonik e të lartë, për mendimin përgjithësues, për analizat e mprehta dhe njohjen e gjerë, të mbështetur në burime e botime serioze.
Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është aftësia e tij për të bërë analiza realiste, me profesionalizëm e pa paragjykime për zhvillimet e djeshme e të sotme të shek. XX, në epiqendër të të cilave është ish Bashkimi Sovjetik dhe Rusia e tanishme.
Pasi përfundon së lexuari librin Nga Gorbaçovi tek Putini.., krijon një ide të qartë për rrugëtimin gati një shekullor të Bashkimit Sovjetik dhe Rusisë paskomuniste, për shkaqet e rënies së sistemit komunist, për rolin e njerëzve që e drejtuan atë, për periudhën e vështirë të tranzicionit, për raportet e Rusisë me Perëndimin dhe me demokracinë, për sistemin aktual qeverisës, për defektet dhe të ardhmen e këtij vendi. Profesor Mezini del nga kuadri i një historiani të zakonshëm.
Në librin e tij të fundit vihet re një mpleksje e historisë politike, ekonomike e shoqërore me filozofinë, sociologjinë e diplomacinë. Autori përpiqet t’u japë përgjigje disa pyetjeve shqetësuese për të shkuarën dhe të ardhmen e Rusisë. Ato kanë të bëjnë me shkaqet e rënies së menjëhershme e të paparashikuar të ish Bashkimit Sovjetik, me rolin e individëve e në mënyrë të veçantë të Gorbaçovit e Putinit, për ngecjen e mendimit teorik komunist dhe shterpësinë e tij, për raportet ndërmjet historisë dhe aktuales në shoqërinë ruse, për rezonancën e këtij shteti të madh në politikën botërore etj.
Pavarësisht nga dëshirat tona për Rusinë dhe të ardhmen e saj, ky vend i madh ka disa karakteristika të qenësishme, të cilat duket se mbeten të pandryshueshme nga ngjarjet dhe kohët. Rusia dallohet, siç shprehet autori, për qëndrimin e saj të rezervuar ndaj botës perëndimore dhe demokracisë në përgjithësi, për nacionalizmin e fortë dhe karakterin ekspansionist (pavarësisht nga sistemet politike dhe burrat që e drejtojnë), për një mpleksje të fortë të tradicionales me modernen, për pranimin e një lideri dhe shteti të fortë, për kërkesa modeste mirëqenieje dhe ca më pak për të drejta e liri individuale. Duket se evropianët shohin e kërkojnë tek Rusia atë që ata duan, dhe jo atë që ofron ky vend, i cili siç thoshte një kolegu im rus në vitin 2006 ‘ka një faqe nga Perëndimi ndërsa tjetrën nga Lindja’.
Libri përbëhet nga pesë pjesë. Në pjesën e parë trajtohet ‘Perestrojka dhe Glasnosti’ të pashkëputura nga ideatori i tyre – Gorbaçovi. Në këtë kapitull analizohet situata e vështirë e krijuar në Bashkimin Sovjetik veçanërisht në vitet 70-80-të dhe shkaqet e saj. Shkakun kryesor ai e gjen me të drejtë tek shterpësia e sistemit komunist, i cili nuk mund të prodhonte më ide e projekte për zhvillimin e shoqërisë sovjetike. Ngecja e tij ishte shoqëruar me burokratizmin, apatinë dhe me korrupsionin e lartë. Në vitet 80-të shoqëria sovjetike dukej plotësisht e asfiksuar. Atë nuk mund ta shpëtonte asnjë ilaç për të ruajtur sistemin. Këtë të vërtetë e tregoi më së miri ardhja në majën e pushtetit e Mihail Gorbaçovit në vitin 1985.
Autori pranon disa arritje të tij për shoqërinë sovjetike, kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut dhe reformimin e sistemit politik, por në thelb ato nuk mund të preknin sistemin socialist. Përpjekjet e ‘reformatorëve komunistë’ siç i quan autori Hrushovin, Brezhnjevin dhe Garbaçovin për të ndalur krizën dështuan. Gorbaçovi, Jelcini dhe Putini shihen si produkte të kohës dhe të formimit të tyre të mëparshëm. Gorbaçovi e tronditi shoqërinë sovjetike, pa dashur ta çojë atë drejt vdekjes, ndërsa Jelcini e shkëputi atë përfundimisht nga sistemi socialist. Putinit iu desh të ringrinte kapitalizmin në Rusi, duke marrë mbi vete shumë kompetenca e përgjegjësi.
Periudha e tranzicionit zë një vend të konsiderueshëm në këtë libër. Rusisë iu desh të ringrinte institucionet politike, të rimëkëmbte ekonominë e shkatërruar dhe të ringrinte prestigjin e shtetit të rënë përtokë. Kjo ishte një nga periudhat më të vështira, sepse rënia e prodhimit u shoqërua me anarkinë, me korrupsionin e lartë, me dezitegrimin e riformatimin e këtij shteti gjigant. Rusia eci në shinat e zhvillimeve demokratike, por edhe në traditën e saj historike.
Prof. Mezini u kushton vëmendje konflikteve nacionale që shpërthyen në Rusinë e këtyre viteve. Ai përmend luftën ndërmjet Armenisë dhe Azerbaxhianit, luftën e Gjeorgjisë, e Moldavisë, të Taxhikistanit dhe sidomos luftën e Rusisë me Çeçeninë e pasur me naftë dhe me pozicion gjeopolitik të rëndësishëm. Konfliktit çeçen ai i kushton disa faqe. Çeçenët shpallën pavarësinë por ajo nuk u njoh nga qeveria ruse. Shtypja e rezistencës çeçene kërkoi angazhimin e gjerë të Rusisë, e cila shpenzoi miliarda dollarë të fituar nga nafta, duke përdorur metoda të egra që në disa raste i kalonin kufijtë e pranuar nga konventat ndërkombëtare.
Një vend të veçantë zënë liritë dhe të drejtat e njeriut në Rusinë e sotme. Niveli i demokracisë në këtë vend lë shumë për të dëshiruar. Autori i referohet një sondazhi të vitit 2006, në të cilin vihej në dukje se qytetarët rusë vlerësonin më shumë mirëqenien materiale, se sa liritë dhe të drejtat e njeriut. Opozita ruse vëren autori është mjaft e dobët, sikurse edhe shoqëria civile. Kundër saj janë përdorur metoda antidemokratike – duke përfshirë edhe eliminimin fizik të kundërshtarëve të Putinit.
Niveli i demokracisë në këtë vend është i ulët. Përveç mungesës së hapësirës nga pushteti qendror, duhet vënë në dukje edhe një lloj apatie e një pjese të popullsisë ruse, të pamësuar me demokraci. Para pak kohësh një gazetar anglez intervistoi një grua të shkolluar në San Petersburg, e cila iu përgjigj kështu pyetjes se: Çfarë mendonte ajo për demokracinë?: “Demokracia, është e mirë për gjermanët, ndërsa për ne rusët është e lodhshme... ajo kërkon që të planifikojmë çdo gjë”. ‘Rusia, shkruan autori, është ende larg të qenit një demokraci e qëndrueshme.... ajo funksionon si demokraci autoritare. Rusia është një vend ku demokracia e stilit perëndimor dhe media e lirë ka ende rrugë të gjatë për të bërë’.
Pjesa e pestë dhe e fundit e librit, e titulluar ‘Përqasje midis historikes dhe aktuales, roli i Rusisë në politikën botërore’ është hartuar në formë konkluzionesh. Me këtë pjesë, autori, sipas mendimit tim, e ka treguar veten si një studiues që di të sintetizojë një përvojë të gjatë të historisë së një vendi si Rusia, e cila ka kaluar dy tranzicione radikale, krejt të veçanta, siç qe Revolucioni Bolshevik i vitit 1917 dhe revolucioni demokratik i vitit 1990-91.
Tranzicioni i fundit i shoqërisë ruse përbënte një tip të ri ndryshimesh, të paprovuara më parë, si eksperiencë dhe si teori. Fillimet e tij lidhen me Perestrojkën gorbaçoviane, por tranzicioni si proces radikal filloi vetëm pas rënies së komunizmit. Sipas gjykimit të prof. Mezinit kapitalizmi i ri rus i fundshekullit XX, ngjason me atë europian të shek. XIX.
Me shumë interes janë konkluzionet për demokracinë ruse dhe sistemin partiak në këtë vend, të cilin ai e quan të brishtë dhe ende jo pjesë të jetës së shtresave të ndryshme të shoqërisë ruse. Në Rusi opozita është formale, ajo nuk ka forcë, ndërsa shtylla tjetër e demokracisë-shoqëria civile është e dobët, apatike dhe e distancuar nga simotrat e saj perëndimore. Në këtë vend kanë ndodhur edhe likuidime fizike të drejtuesve të opozitës dhe gazetarëve opozitarë.
Me të drejtë në libër demokracia ruse karakterizohet si ‘demokraci e mbyllur ose e drejtuar’, në përshtatje deri diku me traditën ruse të rolit të fuqishëm të njëshit. Në Rusi nuk ka alternim alternativash, ndërsa gara elektorale është formale, shkruan autori. Sistemi elektoral ka kufizime të tilla që e bëjnë pothuajse të pamundur pjesëmarrjen e forcave të reja në Dumë, sepse pragu i hyrjes është 7%. Putini dhe Medvedevi alternohen me njeri tjetrin në postet e presidentit e kryeministrit për një periudhë gati 18-vjeçare.
Rusia në vitet e tranzicionit është shndërruar në një shtet tipik oligarkik. Shtresa e oligarkëve është bërë mjaft e fuqishme. Ata vinë kryesisht nga ish-komunistët që përfituan nga vështirësitë e tranzicionit dhe përfitimet e ndarjes së padrejtë të pronës shtetërore. Ata që mundohen të sfidojnë pushtetin humbasin pasuritë, sikurse ndodhi me manjatin e naftës-Khodorkovskin. Rrugëtimi drejt demokracisë në Rusi do të jetë një proces i gjatë dhe tepër kompleks. Shoqëria demokratike ka nevojë për shtet ligjor dhe shoqëri civile të zhvilluar. Rusia e sotme lëkundet midis autokracisë dhe demokracisë.
Një ndër karakteristikat e Rusisë cariste, sovjetike e deri diku edhe të periudhës demokratike është fakti, se ajo nuk e ka humbur protagonizmin për zgjerim, hegjemoni e konflikte. Ky tipar është i pranishëm edhe sot e kësaj dite, ndonëse fuqia e saj ekonomike e ushtarake nuk është ajo e mëparshmja, kur ishte superfuqi.
Këtë e treguan qartë akte të tilla si aneksimi i Krimesë në vitin 2014, ndërhyrja ushtarake dhe mbështetja e rebelimit në Ukrainë, ndërhyrja në Siri etj. Në klasifikimin ushtarak, përmend autori, Rusia llogaritet e dyta. Ajo shpenzon gati 100 miliard $ në vit për ushtrinë. Por, fuqia ekonomike e këtij vendi nuk i përgjigjet statusit të superfuqisë. Karakterin ekspansionist Rusia e ka pasur dhe e ka në kohën e sotme, që kurse sundonin Romanovët, por edhe gjatë komunizmit, duke përdorur internacionalizmin proletar, ndërsa në periudhën e fundit fshihen pas nacionalizmit dhe interesave kombëtare.
Gorbaçovi: komunist, antikomunist, lider apo shef provincial?
Rënia e Bashkimit Sovjetik dhe kalimi i Rusisë drejt tranzicioni të një shoqërie demokratike lidhet ngushtë me Gorbaçovin. Këtij personaliteti i kushtohet më shumë vëmendje se askujt personi tjetër në libër. Autori sjell gjykimet e tij por edhe mendime të njerëzve të shquar për këtë personalitet të dyzuar, i cili donte të reformonte shoqërinë sovjetike dhe të ruante sistemin socialist. Por, ai ‘hapi kutinë e Pandorës’ për ndryshimet radikale, që çuan në rënien e regjimeve komuniste në BS dhe në vendet ish-komuniste të Europës. ‘Radikalët e majtë, shkruan prof. Mezini e akuzojnë si antikomunist e tradhtar. Garda e vjetër sovjetike e konsideron tradhtare dhe agjent të imperializmit..’.
Analizat e mprehta për Gorbaçovin dhe shoqërinë sovjetike janë mpleksur me vlerësime e gjykime të personaliteteve të njohura botërore në Lindje e në Perëndim, si Furet, Eric Hobsbawn, G. Sartori etj. Sipas gjykimit të E. Hobsbawn ‘Gorbaçovi ishte dhe do të mbetet në histori si një figurë tragjike, një komunist-car – liberator si Aleksandri II (1855-89), që shkatërroi atë që deshi të reformonte e në këtë proces qe shkatërruar edhe vetë’. Gjykimet për figurën e Gorbaçovit janë parë të lidhura ngushtë me formimin e tij dhe me nevojat e shoqërisë sovjetike për ndryshim. Revolucioni i Tetorit krijoi llojin e socializmit të pamëshirshëm, brutal e të komanduar (Erick Hobsbawn) dhe Gorbaçovi që ishte produkt i tij, nuk mund të ‘fluturonte’ në hapësira të panjohura. Ai nuk pati strukturën e liderit që projekton dhe merr veprime të rëndësishme për të zgjidhur çështjet që koha i kishte nxjerrë në rendin e ditës. ‘Komunizmi sovjetik, shkruan Furet, vdiq nga dekompozimi i brendshëm, për të cilin Gorbaçovi ishte vetëm përshpejtuesi, përpara se rivali i tij Jelcini të bëhej likuiduesi i tij.
Libri ‘Nga Gorbaçovi tek Putini’ përfaqëson një arritje për autorin dhe një nevojë për shoqërinë tonë. Studime të kësaj natyre mendoj se mungojnë tek ne. Ato janë të kërkuara jo thjesht sepse kanë të bëjnë me zhvillimet e një vendi të madh, me ndikim në Europë e Ballkan, por mbi të gjitha sepse Shqipëria e periudhës socialiste ishte pjesë e atij modeli zhvillimi, sikurse edhe ish-Bashkimi Sovjetik. Po kështu, nuk mund të thuhet se nuk gjenden ngjashmëri e paralele ndërmjet tranzicionit shqiptar dhe atij të shoqërisë ruse.
Pavarësisht nga karakteri akademik i këtij libri, unë mendoj se çdo kush që do ta lexojë atë, do të përfitonte prej tij. Veçanërisht ai është i dobishëm për studiuesit, njerëzit e politikës dhe studentët e këtij profili.