Letra e arkitektit Reinier de Graaf drejtuar Edi Ramës acaroi atë që po e ngacmove vjen erë: llumin, injorancën, trashësinë, kafshërinë, hajvanët, gomerët.
Injorantët dhe vandalët nuk e dinë se nga Homeri te Edi Rama historia e botës është plot me bizarritete cerebrale dhe stilistike si letra e Reinier de Graaf-it.
E fal gjysmën e pavjedhur të thesarit për të lexuar ose dëgjuar, ndonjë nga letrat ku Edi Rama ka "telendisur" Reinier de Graaf-in.
Telendisja reciproke mes të mëdhejve, nuk lindi sot, është shkencë e vjetër.
Në Tibet ka zona ku, nëse nuk ke arritur përsosmërinë e duhur shpirtërore, nuk mund të hysh, madje as nuk të lejohet të kesh dijeni se ato vende ekzistojnë.
Dijetarët e antikitetit shkruanin "hapur" për ata që kuptojnë dhe meritojnë, dhe "mbyllur" për të pagdhendurit.
Leonardo shkruante me dorën e majtë, nga e djathta në të majtë, gjithmonë ngatërrueshëm, gjithmonë me kod, që të mos e lexonte çdokush, jo inferiorët, jo niveli i ulët, por vetëm ata që meritonin.
Dante, me mënyra të tjera, bënte të njëjtën gjë si Leonardo.
Noli dhe Konica, nga bërja për 1 lek njëritjetrin, deri te kafshimi pa mëshirë i vetes, kapën zenitin.
Lasgushi mahniste audiencën duke u përgjigjur gjithmonë në mënyra të ndryshme të paparashikueshme.
Edi Rama, absolutisht dhe definitivisht komunikatori shqiptar më i madh i të gjitha kohërave - para të cilit Sali Hajduti është një belban folklorik, një zevzek banal, një liliput qesharak - me bizarritetet e tij komunikative madhështore gurrë e pashterrëshme ku pinë ujë të pastër nga kopjacët te oratorët e ardhshëm, ka dëshmuar se është njëkohësisht edhe mjeshtër i ruajtjes së higjenës komunikative nga llumrat e kudondodhur. Pa këto përkujdesje, njerëzit e mëdhenj të botës do kishin vdekur nga vërshimi i pisllëkut eruditiv.
Në gjithë Shqipërinë diktatoriale, nga Vermoshi në Konispol, njësoj si në krejt Lindjen, nga Berlini Lindor në Alaskë, nuk mund të flitej ndryshe veçse me stil, me kod, me "bjeri pragut të dëgjojë dera".
Kadare ishte gjeniu absolut i gardhit të mbyllur për banalët, dhe të hapur për gjithë të tjerët që ndjenin dhe kuptonin.
Prill 1986. Pallati me kube. Bërtitëm e uluritëm sa u ngjirëm për episode groteske dhe kriminale të Diktaturës. Në fund, në faqen 3 të "Koha e Shkrimeve", Murgu shkrau:
Edisonit,
Lexuesit të pasionuar.
Gorki ka thënë dikur: Lavdi marrëzisë së trimave, që mund të perifrazohet: Lavdi marrëzisë së lexuesve !
Kujtim nga autori.
(firma)
Tiranë, 21 prill 1986
Ta marrim shtruar anës e anës.
Sipas halldupëve tanë, kur Trump kritikoi aleatët evropianë se nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen duke u thënë se "pa ndihmën tonë në Luftën e Dytë Botërore, sot do të flisnit gjermanisht", talli hapur Anglinë.
Pastaj, në një tjetër rast, kur mbreti Charles ja ktheu kusurin Trump-it kur i tha: "Po të mos ishim ne, ju do të flisnit frëngjisht", talli rëndë Amerikën.
Kur Churchill-i, me një gastare në dorë, tha: "Birra është prova e ekzistencës së Zotit", ofendoi Zotin.
Kur Reinier de Graaf i shkroi Edi Ramës se "duhej të bëhej mbret për hir të zhvillimit urban", ofendoi Edi Ramën.
Kur Ismail Kadare në një autograf e quajti Edison Ypin "lexues të pasionuar" dhe "të marrë", ofendoi Edison Ypin.
O injorantë, o rrugaçë, o plehra që s'dini të bëni gjë tjetër veçse të vidhni:
Kadare, para se të shkruante autografin, i korrigjoi librit me stilolaps katër gabime shtypi. Plus tre gabime të ndrequra te fletushka "Ndreqje gabimesh" në fund të librit. Duket nga numri i gabimeve që bënte, çfarë shkrimtari ishte Kadare.
Të gjithë të mëdhenjtë e botës që mbrohen nga llumi, kanë shkruar, dhe do vazhdojnë të shkruajnë, si arkitekti Reinier de Graaf Edi Ramës.
Komente











