Nga instagrami, smpartphone-t, ndalimi i duhanit e ndryshimi i klimës, vitet 2010-të, një dekadë ndryshimesh turbulente

Nga instagrami, smpartphone-t, ndalimi i duhanit e ndryshimi i klimës, vitet 2010-të, një dekadë ndryshimesh turbulente

Smartphone: dikur gishti i madh, sot qafa

Kur në vitin 2007 doli në treg Apple iPhone nuk dihej ende mirë, se sa do të ndryshonte përdorimi i medieve sociale brenda pak vjetësh. Telefoni me prekje me funksione të shtuara u përhap me shpejtësi, ankesave për dhimbje të kyçit të gishtit të madh iu shtuan ato të qafës për shkak të përdorimit të celularit. Njerëzit i sheh kudo kokëulur sot në rrugë. Duke ecur, duke qëndruar në këmbë apo të ulur ata i mbajnë sytë ngulur para Display-t. Luajnë, lexojnë, telefonojnë. Gjenerata "kokë ulur" me kufje që minimizojnë zhurmat e tjera izolohet nga bota jashtë. Në disa vende madje janë vënë semaforë në tokë që "kokëulurit" tek celulari të mos kalojnë kur sinjali është i kuq.

Instagrami dhe Influencerët

Vetëinskenim apo vetëmashtrim? Në një kohë që industria dhe media përpiqen të krijojnë herë pas here një imazh të ri të femrës larg seksizmit, herë pas here supermodelet super të holla zëvendësohen nga femra të kolme e jo aq perfekte, të tjerë në Youtube dhe Instagram nuk duan ta dorëzojnë imazhin e bukurisë perfekte pa asnjë defekt. Në Youtube dhe Instagram lindin influencerë që arrijnë miliona vetë dhe kthehen në marka të reklamave të ndryshme. Apps të ndryshme me filtra krijojnë imazhin e një bukurie që ka të bëjë shumë pak me realitetin.

MeToo

Në janar 2013 feministja gjermane Anne Wieczorek u bëri një thirrje përdoruesve - të shkruajnë në twitter përvojën e tyre me seksizmin në përditshmëri, shakatë në dukje të padëmshme për femrat. Brenda 2 javësh publikohen 60.000 mesazhe duke shkaktuar një valë debati, dhe sensibilizimin e parë për seksizmin në mediat sociale. Katër vite e gjysmë më vonë kjo temë rikthehet në botë me një fuqi të re. Në vazhdën e skandalit me producentin e Hollywood-it, Harvey Weinstein që kishte keqtrajtuar seksualisht disa femra në Hollywood, përhapet me shpejtësi hashtagu MeToo. Sërish vihen në shënjestër personalitete të njohura. Aktorë si Kevin Spacey humbasin reputacionin, ylli i operas, Placido Domingo tërhiqet nga skena. Debati nuk ka përfunduar. Tema e seksizmit futet në përditshmëri - një gjoja pëllëmbë pa të keq në prapanicë i përket tani së shkuarës.

Netflix dhe serialët

Para 10 vjetësh fenomeni "streaming" i filmave dhe serialëve ishte i rezervuar vetëm për platformat amerikane. Më pas erdhi Netflix. Në vitin 2012 ky rrjet pushtoi Europën, në vitin 2014 edhe Gjermaninë. Shikuesit në moshë të re ndërkohë kalojnë më shumë kohë në Netflix se para televizorit. Serialë të njohur i sheh pa reklama, në telefon, në tablet, në laptop, kudo e me çmim të arsyeshëm. Peizazhi televiziv ndryshoi rrënjësisht e nuk ka për të qenë më kurrë si më parë. Edhe Spotify ka ndryshuar shprehitë e dëgjuarit muzikë në këto dekada. CD-ve u ka kaluar koha, formati mp3 po ashtu ka dalë nga qarkullimi. Tani mund të dëgjosh muzikë, të krijosh listën tënde të preferuar kudo e kurdo. Spotify ofron krahas 50 milionë titujve, edhe libra audio dhe podcasts.

Refugjatët, urrejtja kundër të huajve, populizmi

"Ne ia dalim mbanë", tha kancelarja gjermane, Angela Merkel në vitin 2015 dhe hapi dyert për qindra mijëra vetë që kërkonin ndihmë. Njerëz që kanë marrë arratinë nga lufta, uria, varfëria dhe që kërkojnë në Gjermani një jetë më të mirë. Shoqëria e ndjen për herë të parë se po vjen një valë e madhe refugjatësh. Solidariteti i fillimit (Refugees welcome) dhe pasiguria për valën e refugjatëve në Natën e Vitit të Ri 2015 ia lenë vendin zemërimit, deri edhe urrejtjes. Sulmet këtë natë të djemve të rinj, kryesisht afrikanoveriorë ndaj vajzave dhe grave bënë të qartë përplasjen e fortë të kulturave. Ato çuan ujë në mullirin e një partie, që para dhjetë vitesh nuk ekzistonte në Gjermani: Alternativa për Gjermaninë, Afd. Një parti populiste e djathtë, në pjesë të saj ekstremiste e djathtë. Ndërkohë përfaqësuesit e saj janë të përfaqësuar edhe në Bundestag.

Ndalimi i duhanit

Më 1. Gusht 2010 në Bavari hyn në fuqi një ligj për ndalimin e duhanit pa përjashtim. Lande të tjera gjermane e ndjekin këtë shembull vite më pas. Shqetësimi është i madh. Shumë shtronin pyetjen, nëse për duhanpirësit do të kishte më kuptim një vizitë në pub. Tani rë gjithë janë mësuar me pub-e pa duhan, klube me ajër të pastët. Vetë duhanpirësit e dinë tani. Edhe përjashta mund të ndeshin me ndonjë vështrim kritik.

Veganizmi

Heqja dorë nga produktet shtazore në ushqim, veshje dhe produkte të tjera përqeshej një kohë të gjatë. Ndërkohë stili vegan i jetesës ka hyrë në përditshmëri. Restorantet dhe mensat ofrojnë ushqim vegan, produktet vegane kanë kaluar nga dyqanet e specializuara në supermarkete. Edhe veshja vegane është një trend i njohur tanimë. Një argument tjetër për stilin vegan është edhe klima- Sepse metani dhe gazra të tjerë që prodhohen nga bujqësia janë ndotës të klimës.

Ndryshimi i klimës

Klima - njihej si një problem, për të cilin flitej më shumë në konferencat botërore të klimës. Masat për të ngadalësuar ngrohjen globale ka kohë që merren. Por askush nuk ia doli të sensibilizonte opinionin për klimën si nxënësja suedeze, Greta Thunberg. Ajo bën grevë të premteve, duke braktisur shkollën, jo shumë kohë më vonë Thunberg flet para të fuqishmëve të kësaj bote. Nxënës nga e gjithë bota e ndjekin shembullin e saj. Të premteve në vend të shkojnë në shkollë, ata dalin në rrugë për të protestuar në mbrojtje të klimës. Dhe ia dalin: bota ua dëgjon zërin. Njerëzit shikojnë të përdorin më pak gjëra plastike, përdorin biçikletën, politika miraton paketa për klimën. Komisioni Europian ka paraqitur madje edhe një "deal" për klimën. Kurse Të Gjelbrit në Gjermani arrijnë vlera zgjedhore që as nuk i ëndërronin më parë.

Kujdesi për veten, Hygge, vetëpërmirësimi

Para kërcënimit të klimës, mjerimit të qindra mijëra refugjatëve, politikës së presidentit amerikan dhe shumë konflikteve të pazgjidhura në botë, duket se njeriu e kërkon gjithnjë e më shumë balancën brenda vetes. Në asnjë dekadë tjetër nuk ka pasur kaq shumë botime që kanë në fokus cilësinë e jetesës. Në revista apo kurse ofrohet yoga, kujdesi për veten. Fjala daneze, "Hygge" - lumturi e momentit është në gojën e të gjithëve. Vendosja e paqes me veten. Këtë e predikojnë një numër i pafund psikologësh dhe mediatorësh në podcats, video në youtube etj. Me këtë temë fitohet shumë para, por nëse njerëzit më pas e ndjejnë veten më mirë...

E në këtë kuptim gëzim e mbarësi në dekadën e re!/DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tayna tregon momentin e arrestimit në Zvicër: Qëndrova 5 orë në burg

Tayna tregon momentin e arrestimit në Zvicër: Qëndrova 5 orë në burg