Pas rritjes së çmimeve të karburanteve me 22% dhe të vajit ushqimor deri në 8%, prodhuesit paralajmërojnë se shtrenjtimi pritet të prekë edhe preparatet larëse dhe detergjentët.
Shumë pluhur larës prodhohen në vend, por lënda e parë importohet nga jashtë. Sapunët larës vijnë kryesisht nga importi. Prodhuesit vendas pohojnë se furnitorët e huaj i kanë njoftuar për rritje të çmimeve të lëndëve të para nga 15 deri në 20%, krahasuar me periudhën para nisjes së luftës.
Rritja e çmimeve të lëndëve djegëse ka ndikuar direkt në shtimin e kostove të lëndëve të para në fabrikat jashtë vendit. Kosto shtesë prodhuesit llogarisin edhe tarifat e shtrenjtuara për transportin
Duke llogaritur kohën e ardhjes së furnizimeve të reja, që varion nga 30 deri në 45 ditë, prodhuesit e detergjenteve parashikojnë se çmimet e reja në treg do të reflektohen në nisje të muajit maj.
I pashmangshëm shtrenjtimi i çmimeve pritet të jetë edhe prej importuesve të preparateve të gatshme që importohen nga jashtë, ku sipas të dhënave të tregut mësohet se ka pasur shtrenjtim të çmimeve nga furnitorët e huaj.
Në mars të vitit 2022, me fillimin e luftës në Ukrainë, çmimet e preparateve larëse të prodhuara në tregun vendas u rritën 10 deri 20%. Shtrenjtimi u ndikua nga lënda e parë që u ble më shtrenjtë dhe rritja e tarifave të transportit. Në atë periudhë, rritja e çmimeve dhe ndryshimet demografike ndikuan në pakësim të kërkesës sipas prodhuesve.
Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2025 u importua një sasi prej 68,3 mln kg për grupin “Sapuni, preparatet parëse, lubrifikues, qirinjtë”. Krahasuar me 2024 importet e grupit u rritën 2%.
Për muajt janar-shkurt 2026 importet e grupit shënuan rënie 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhëse.
Prodhuesit vendas të detergjentëve kanë ngritur shpesh shqetësimin se rënia e kërkesës së konsumatorit po ndikohet nga ndryshimet demografike dhe emigracioni, për rrjedhojë prej tyre ulet sasia e importeve të lëndëve të para prodhuese të detergjentëve./ Monitor
Komente












